Shpresat, grumbullim dyditor me talentet e inferiores
Trajneri Artan Bushati është vënë në kërkim të futbollistëve të tjerë kandidatë për t‘u bërë pjesë e Kombëtares Under-21. Pas miqësores së 19 nëntorit, të fituar 3-0 në Maqedoni, drejtuesi i stolit kuqezi tashmë ka hedhur rrjetat në Kategorinë e Parë, ku militojnë shumë lojtarë interesantë. "Përveç lojtarëve që aktivizohen me skuadra të kësaj kategorie, të pranishëm në grumbullim do të jenë edhe disa të rinj që stërviten me ekipe elitare, por që gjithsesi nuk kanë shumë hapësira aty", pohoi tekniku Bushati. "Të gjithë kanë të drejtë të kenë shansin e tyre dhe nga këto dy ditë grumbullim shpresojmë të evidentojmë elementë interesantë që mund t‘i vlejnë skuadrës në të ardhmen. Synimi është që të përforcojmë mesfushën dhe repartin e mbrojtjes, mbi të gjitha me lojtarë që luajnë në qendër". Janë gjithsej 24 të rinj, ndërmjet moshës 18 dhe 20 vjeç, që do të jenë në dispozicion të trajnerit të "kuqezinjve të vegjël". Për dy ditë, në datat 21-22 dhjetor, ata do të vëzhgohen nëpërmjet seancave stërvitore dhe ndeshjeve miqësore. Grumbullimi i skuadrës bëhet të dielën (më datë 21), në orën 14:00 përpara stadiumit "Qemal Stafa". Ekipi do të akomodohet në hotel "Leonardo", në bregdetin e Durrësit, ndërsa stërvitja do të zhvillohet në Qendrën e Ekipeve Kombëtare, në Kamëz, pranë kryeqytetit.