E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas Topit, edhe Spahiu takon të rinjtë nga Kosova e Shqipëria

Një ditë pasi presidenti Bamir Topi ka pritur të rinjtë e Parlamentit Rinor të Shqipërisë dhe Kuvendit Rinor të Kosovës, edhe nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu ka pritur në zyrën e tij këta të rinj.

Synimi i përbashkët i të rinjve është ndërmarrja e aktiviteteve të përbashkëta, hartimi i strategjive dhe politikave për rritjen e frymës së bashkëpunimit mes të rinjve shqiptarë, si dhe angazhimin për të ruajtur unitetin kombëtar, historinë, traditën dhe gjuhën tonë të përbashkët, gjuhën shqipe.

Në takimin me të rinjtë, Spahiu ka deklaruar se duhet të unifikohet sistemi arsimor. Motoja jonë kryesore duhet të jetë një komb, një legjislacion, tha Spahiu.

Nënkryetari i KLD është akuzuar se po përdor postin e tij në funksion të veprimtarisë për Aleancën Kuq e Zi. Ai së bashku me presidentin Topi u akuzuan nga kryeministri Sali Berisha si njerëz pa identitet e pa Zot. Berisha aludoi se ata janë pas kundërshtimeve për ligjin e regjistrimit të popullsisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›