E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Dy projekte nga 1 miliard euro për dy qyteza turistike në Kavajë

Kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm në mbledhjen e Bordit të Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim, ku u miratua ndjekja e procedurave për realizimin e dy projekteve turistike në Kavajë, më konkretisht në Gosë dhe në Synej.

Projekti i parë parashikon ngritjen në një sipërfaqe prej 650 hektarë të një qyteze me qëllime multifunksionale dhe projekti i dytë propozon ndërtimin e një porti jahtesh dhe krahas tij, të një qyteze turistike në këtë zonë, me një sipërfaqe prej 160 hektarë. Në përfundim të tyre, këto projekte shkojnë deri në 1 miliardë euro investim secili dhe do të zbatohen, projekti i parë nga konsorciumi britanik Development shpk. dhe i dyti nga konsorciumi zviceran Finsec ltd., thuhet në njoftimin e qeverisë.

Berisha tha se duhen respektuar standardet në ndërtimin dhe duhet ruajtur e zhvilluar mjedisi në zonat turistike.  Ne kemi rreth 90 përqind të bregut të pazhvilluar. Kjo do të thotë se nuk duhet të jemi asnjëherë lakmitarë për shfrytëzim intensiv. Ne duhet tu mbetemi standardeve më të mira të shfrytëzimit, të ruajtjes së mjedisit, të hapësirave dhe të lartësive të ndërtimeve, – u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›