E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë degradon procesin ndaj Ilir Metës

Gjykata vendosi te ndryshoje radhën e hetimit gjyqësor në kundërshtim me ligjin, duke shmangur pyetjen e Dritan Priftit dhe duke kërkuar fillimisht hetimin e kasetës.

Tema

Gjykata e Lartë po degradon procesin gjyqësor në ngarkim të ish zëvendëskryeministrit Ilir Meta, duke ndryshuar radhën e hetimit gjyqësor në kundërshtim me ligjin dhe duke injoruar dëshmitarin kryesor të akuzës, Dritan Prifti, i cili edhe pse u thirr sot në sallën e gjyqit, nuk e lejua të dëshmojë. Avokatët mbrojtës të Ilir Metës në akordancë të plotë me trupin gjykues, kërkuan fillimin e hetimit gjyqësor nga akt ekspertimi i kasetës, ndërkohë që sipas Kodit të Procedurës Penale, hetimi gjyqësor ndjek radhën që përcakton organi i akuzës. Më konkretisht, në nenin 359 të Kodit të Procedurës Penale hetimi gjyqësor fillon sipas radhës me hetimin e provave të kërkuara nga prokuroria. Prokuroria ka kërkuar të fillohet me dëshminë e ish-ministrit Dritan Prifti, dëshmitari kyç i akuzës dhe më pas me provat mbështetëse të tij, që janë videoja e famshme  dhe disa video të tjera të regjistruara prej tij.

Dritan Prifti ka qëndruar për rreth tri orë në mjediset e Gjykatës së Lartë dhe nuk ka arritur të dëshmojë, ndërkohë që trupi gjykues u vu në lëvizje nga avokati i Ilir Metës të kërkojë ndryshimin e radhës së hetimit gjyqësor, duke nisur me ekspertimin e  kasetës, e cila është rikthyer për ekspertizë.

Duket qartazi se synimi kryesor duket të jetë lodhja e dëshmitarit kryesor dhe shtyrja në pafundësi e procesit, me qëllim zhdukjen e efektit politik mbi personazhin kryesor të procesit. Ndryshimi i radhës së hetimit gjyqësor mund të bëhet vetëm nëse atë e kërkon organi i akuzës, pra ai që ka hapur procesin penal, dhe jo avokati i të akuzuarit, i cili në këtë rast thjesht duhet të mbrojë klientin nga faktet që dalin gjatë hetimit dhe jo të diktojë hetimin. Siç dihet, në këtë proces prova kryesore është ish-ministri Dritan Prifti, me dëshminë e tij dhe videoja e rregjistruar është fuqizim i provës, por jo provë në vetvete. Përpjekja për ta fokusuar çështjen tek vlerësimi si provë i kasetës, ekspertimi pa fund i saj dhe shtyrja në pafundësi e procesit, tregon qartë tendencën denigruese që ka ndaj procesit vet Gjykata e Lartë, duke shpalosur para kohe skenarin e shpëtimit të Ilir Metës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›