E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bare: PS e pranishme në konstituimin e Bashës

TIRANË Lulëzim Basha do të konstituohet të hënën si kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës në prani të gjithë këshilltarëve, demokratë e socialistë. Kryetari i PS-së së Tiranës, Besnik Bare, ka konformuar dje praninë e këshilltarëve socialistë në mbledhjen e parë të së hënës. “Nëpërmjet manipulimit të institucioneve të pavarura vjen dhe ulet në këtë karrige Lulzim Basha. Kemi të bëjmë me një mosbesim të jashtëzakonshëm të krijuar në raport me opozitën sot, PS. Kur vjen me vota të vjedhura, së pari ka një impakt të jashtëzakonshëm në të gjithë klimën që do të krijohet në raportet pozitë-opozitë në bashki. Megjithatë, opozita do të marrë pjesë ditën e hënë në mbledhjen e këshillit bashkiak, për të luajtur rolin e vet, të një opozite shumë të fortë, konstruktive e cila do të denoncojë gjithçka që bëhet dhe është bërë në dëm të qytetarit të Tiranës", - tha Bare. Në një intervistë televizive, Bare kujton se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes përfaqësuesve të tyre bllokuan vendimmarrjen në këshillin bashkiak për më shumë se dy vite. Por i pyetur se cili do të jetë qëndrimi që do të mbajë PS-ja në këshillin bashkiak, Bare u përgjigj se kjo do të varet nga klima, që do të krijojë vetë mazhoranca në bashki në raport me opozitën. Të djathtët, bashkë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, kanë sëbashku 28 këshilltarë, ndërsa opozita 27.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›