Pas Twitter dhe Facebook, Rama hap dhe blog personal

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama duket se e sheh ‘aleat’ shumë të fortë teknologjinë. Sot pasdite ai njoftoi edhe krijimin e blogut të tij (edirama.al).
“Mbetën 100 ditë nga ora e vendimit të popullit sovran për katër vitet e ardhshme. Si një rastësi domethënëse numërimi i këtyre 100 ditëve të fundit të pushtetit të zvjerdhur të PD, bie mu në përvjetorin e tragjedisë së Gërdecit”, shkruan Rama.
Më tej ai vijon, “mandati i vjedhur i 2009 u përdor nga Saliu për të shkatërruar procesin gjyqësor dhe varrosur çdo shpresë të familjeve të viktimave për drejtësi. Rilindja që duam do të vijë edhe si rilindje e shpresës tek drejtësia”.
“Sot nuk ke ç’kërkon në dyert e prokurorisë e të gjykatave përderisa nga dera e qeverisë nuk merr asgjë sipas nevojës po gjithçka sipas xhepit. Sot çdo gjë që shteti ka detyrë të ofrojë është vetëm një mall që blihet. Drejtësia është mall. Kujdesi shëndetësor është mall. Arsimi është mall. Madje edhe vetë komunikimi me zyrtarët e shtetit është mall. Pa lekë asgjë nuk merr nga ato që të takojnë me Kushtetutë, ligj e zakon. E në fakt zgjedhja e 23 qershorit është një zgjedhje mes të drejtave e të mirave publike si vlera të garantuara të shoqërisë që duam, apo si mallra që blihen në pazarin e pushtetit të korruptuar që kemi”, përfundon shkrimin e tij, Rama në blogun personal të bërë publik sot pasdite./Indeksonline/