Kurti: Serbia nuk ka ndryshuar, pse të bisedohet?

Ashtu si gjithsecili ka shtëpinë e vet, shteti është shtëpia e kombit, dhe për të nuk duhet të negociojmë me fqinjët tanë. Për të vendosur mbi rregullimin e brendshëm, fqinjin eventualisht mund ta konsultojmë, por vendimet duhet t’i marrim vetë, ka thënë kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti në tribunën e sotme të organizuar në Vushtrri.
Duke komentuar bisedimet që po zhvillohen në Bruksel, Kurti ka thënë se po bëhen pazare të rrezikshme edhe për brezat e ardhshëm. “Këta qeveritarë, përveç se nuk po e bashkojnë veriun e vendit, po ua vështirësojnë edhe gjeneratave të ardhshme ta bëjnë një gjë të tillë përmes asociacionit të komunave serbe, përkatësisht autonomisë që po e përgatisin për veriun”. Kurti pastaj ka përsëritur pesë kushtet e VV-së për bisedime me Serbinë, duke theksuar në fund se pa plotësimin e këtyre kushteve nuk mund të thuhet se Serbia ka ndryshuar.
Kreu i qendrës së VV-së në Vushtrri, Xhemajl Pllana, është shprehur se shpallja e Republikës së Kosovës nuk solli atë për çka u luftua. “Ne bashkërisht ia falëm të gjitha Republikës së Kosovës për dy arsye madhore dhe jetike, që janë: ta heqim qafe dhe të çlirohemi njëherë e përgjithmonë nga okupatori ynë shekullor, dhe, që ta ndërtojmë dhe ta zhvillojmë shtetin dhe institucionet tona duke i vënë në shërbim të qytetarëve tanë!”./Indeksonline/