Pas ceremonisë së përurimit të rrugës Qafa e Kasharit-Rinas, Kryeministri Berisha, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për çështjet më të fundit politike, bëri këto komente:
Pas ceremonisë së përurimit të rrugës Qafa e Kasharit-Rinas, Kryeministri Berisha, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për çështjet më të fundit politike, bëri këto komente:
Pyetja: Zoti Kryeministër, ju dje folët për kandidaturë konsensuale, kishit parasysh kandidaturën e zotit Bamir Topi?
Kryeministri: Unë personalisht nuk njoh një politikan që mund të ketë konsensus më të gjerë se zoti Bamir Topi. Unë jam shumë i vetëdijshëm për këtë, në qoftë se bëhet fjalë për konsensus. Nëse bëhet fjalë për pseudo konsensus, pastaj formulat mund të jetë të ndryshme.
Pyetje: Pseudo konsensusi është edhe zoti Nano?
Kryeministri: Pseudo konsensusi është ai që shpallet konsensus dhe nuk qëndron. Mendoj se duhet respektuar konsensusi. Në rast se flasim për konsensus duhet të mbështesim atë që realizon konsensus më të gjerë. Unë nuk di njeri tjetër në politikë që mund të realizojë konsensus më të gjerë për postin e presidentit sesa zoti Topi. Opozita ka variantet e veta, çka i konsideroj normale, sepse çdo forcë politike ka të drejtën e paraqitjes së kandidaturave. Këto janë procese shqyrtimi. Ne kemi paraqitur kandidaturën tonë, zotin Bamir Topi. Mendoj se paragjykimi i personaliteteve dhe jo vlerësimi i veprimtarisë së tyre, i integritetit dhe profilit të tyre, nuk shërben në asnjë rast. Është pozitiv fakti se ka nisur haptazi në media debati për një proces shumë të rëndësishëm. Ky është një akt i përgjegjshëm dhe qytetar.
Pyetje: Por kur flisni për imponim për votat çfarë keni parasysh?
Kryeministri: Në qoftë se mendohet se për shkak të mungesës së dy votave do të imponojnë kandidaturën do të zhgënjehen. Absolutisht zhgënjimi dhe vetëm zhgënjimi do të jetë çmimi i këtij qëndrimi.
Pyetje: Do të mundet zoti Topi t'i shmangë zgjedhjet e parakohshme?
Kryeministri: Do të ishte shumë e gabuar të konceptohej se zoti Topi, me pranimin e kandidimit në postin më të lartë të shtetit, po kërcënon vendin me zgjedhje të parakohshme. Kjo është shumë e padrejtë. Zoti Topi është personaliteti me konsensusin më të gjerë. Natyrisht në qoftë se inati, fanatizmi, bojkoti do të jetë praktika, për të cilat mbeten të përkushtuar opozita, nuk ka dyshim se zgjedhjet dhe vetëm zgjedhjet do të jenë zgjidhja e problemit.
Pyetje: Me këtë reformë zgjedhore që kemi aktualisht mund të shkohet në zgjedhje?
Kryeministri: Dua të theksoj dy gjëra. Së pari, këto zgjedhje janë të parat në historinë e një vendi ku asnjë vëzhgues kombëtar dhe ndërkombëtar, asnjë media e kontrolluar apo e pakontrolluar nga mafia, asnjë qytetar nuk ka bërë akuzën më minimale, qoftë edhe më të vogël, për implikim të segmenteve qeveritare në ndryshimin e rezultateve para, ditën e zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve. Kjo fakton se këto ishin të parat zgjedhje ku qytetarët votuan si qytetarë të lirë të një vendi të lirë. Së dyti, këto janë zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi, ku të gjitha forcat politike pa përjashtim kanë pranuar rezultatin dhe nga një prej eksponentëve kryesorë të opozitës janë vlerësuar të lira. Natyrisht duke bërë këtë deklaratë nuk injoroj aspak mangësitë, të cilat erdhën nga një pamflet i turpshëm siç ishte marrëveshja e 13 janarit, një pamflet produkt i një mendjeje të sëmurë, të cilën nuk ka qytetar të një vendi të lirë që merr përsipër ta aplikojë, i cili, ju siguroj, nuk ka ekzistuar as në rregulloret ushtarake të pikave të kalimit kufitar në kohën e diktaturave dhe vendeve të tjera. Natyrisht ky pamflet, po ta lexoni me vërejtje raportin, 4 nga 6 vërejtjet kryesore janë të lidhura me Tiranën dhe traktin që Edi Rama imponoi për të marrë pjesë në zgjedhje. Tani pamfletit i ka ikur koha, kështu që zgjedhjet do të zhvillohen dhe në rast se do të bëhen do të ketë sërish zgjedhje të lira dhe ne do t'i respektojmë ato. Një gjë kemi faktuar si qeveri se jemi të përkushtuar për të respektuar qytetarët shqiptarë në shprehjen e vullnetit të tyre.
Pyetje; A jeni gati të jepni konsensus për një tjetër kandidaturë, nëse nuk pranohet ajo e zotit Topi?
Kryeministri: Ne jemi të përgatitur për kandidaturë konsensuale, por në mënyrë absolute jo për kandidaturë të imponuar. Ata, të cilët mendojnë se mund të imponojnë trakte ushtarake si ai i 13 janarit, ata do të kenë zhgënjimin dhe vetëm zhgënjimin. Ata që konceptojnë reformën zgjedhore si prodhim traktesh të tilla të turpshme, ata predikojnë antireformën, të cilën nuk do ta kenë më ndonjëherë.