Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në përurimin e rrugës së re hyrëse Qafa e Kasharit-Rinas, që lidh autostradën Tiranë-Durrës me aeroportin "Nënë Tereza". Rruga e re, një
Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në përurimin e rrugës së re hyrëse Qafa e Kasharit-Rinas, që lidh autostradën Tiranë-Durrës me aeroportin "Nënë Tereza". Rruga e re, një nga investimet e rëndësishme koncesionare me vlerë 6.366 milion euro, me gjatësi 6.5 kilometra, gjerësi 7.5 metra, shkurton ndjeshëm distancën, me rreth 8 kilometra dhe lehtëson lëvizjen në drejtim të aeroportit "Nënë Tereza". Shpronësimet janë mbuluar nga fonde të qeverisë me vlerë rreth 1.5 milion euro. Pjesë e këtij investimi janë edhe mbikalimi në autostradën Tiranë-Durrës, një urë mbi linjën hekurudhore Tiranë-Durrës, si dhe një urë e re mbi lumin Tirana.
Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm edhe Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Lulzim Basha dhe përfaqësues të Tirana Airport Partners.
Kryeministri përgëzoi përfaqësuesit e Tirana Airport Partners për përkushtimin, eficencën dhe kompletimin e kësaj vepre të rëndësishme për vendin. "Sot inagurojmë rrugën dhe në pak ditë aeroportin, vepra këto të një rëndësie të madhe infrastrukture për vendin. Rruga që inagurojmë sot është e shkurtër, por e një rëndësie cilësore të veçantë, sepse së bashku me aeroportin i jep dinjitet më të madh dhe paraqitje më të mirë vendit për të gjithë ata që vizitojnë Shqipërinë. Rruga shkurton distancën duke kursyer kohë, si gjëja më të çmuar", u shpreh Kryeministri.
Duke përgëzuar kompaninë e ndërtimit të kësaj rruge për punën e bërë, Kryeministri shprehu kënaqësinë që aeroporti dhe rruga ndërtohen nga dy kompani shqiptare, të cilat kanë treguar aftësi, teknicitetet dhe kanë përmbushur detyrimet kontraktuale me kompaninë e huaj që menaxhon aeroportin, duke e ndërtuar rrugën në një kohë më të shkurtër se parashikimi. "Rruga dhe aeroporti, - theksoi Kryeministri, - janë shembull i shkëlqyer i partneritetit publik privat. Ato dëshmojnë se realisht në këtë partneritet qëndron edhe leva e Arkimedit për ekonominë shqiptare dhe për zhvillimin e vendit".
Duke falënderuar të gjithë ata që financuan këto projekte, Kryeministri siguroi investitorët se Shqipëria është e vendosur të nxisë çdo ditë e më shumë partneritetin publik privat, si një ndër mekanizmat kryesor të ndërtimit të veprave të rëndësishme dhe shpejtimit të zhvillimit të vendit.