Pas gjuetarëve, edhe peshkatarët me konkurrim
Ministria e Mjedisit ka paraqitur në Kuvend, draftin që përcakton ankandin publik për të fituar licencën e peshkimit
Ashtu si gjuetarët, edhe peshkatarët, për të ushtruar aktivitetin e tyre duhet t’i nënshtrohen procedurave të konkurrimit për të fituar licencën. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave brenda një muaji ka paraqitur një draft të dytë, kësaj radhe jo për gjahtarët e shpendëve dhe kafshëve të egra, por për peshkatarët profesionistë dhe ata sportivë. Në kuadër të reformës rregullatore për lehtësimin e procedurave të licencimit të subjekteve të interesuara në fushën e peshkimit dhe të akuakulturës, me synim krijimin e kushteve të barabarta për të konkurruar për ushtrimin e këtyre veprimtarive, Ministria e Mjedisit propozon një sërë amendamentesh për ligjin “Për Peshkimin dhe akuakulturën. Një ndër synimet kryesore të këtyre ndryshimeve, është dhe përcaktimi i rregullave të tjera për mënyrën e licencimit të individëve të ndryshëm si peshkatarë. Në këtë mënyrë, për kategorinë e ujërave të brendshme, laguna, liqene dhe lumenj e drejta e peshkimit do të fitohet nëpërmjet procedurave të konkurrimit publik. Megjithatë, drafti i paraqitur nuk sqaron se cilat do të jenë procedurat dhe kërkesat që duhet të realizojë një subjekt i interesuar gjatë këtij konkurrimi, ndërkohë që numrin maksimal të licencave që do të lëshohen do ta përcaktojë vetë Ministri. Nga ana tjetër, me anë të këtij drafti liberalizohet peshkimi për ata që nuk e ushtrojnë këtë aktivitet për përfitime por për qejf, ose siç cilësohet në këtë projektligj, për sport. Të gjithë individët që tashmë do të ushtrojnë aktivitetin e peshkimit për sport, nuk do të jenë të detyruar më që të licencohen nga shoqatat e peshkimit. Gjithashtu, një tjetër risi e këtij projektligji është edhe përcaktimi që bënë për t’u pajisur me leje dhe autorizim për të gjithë ata persona që do të duan të fusin organizma ujorë të gjalla dhe vezë, larva ose rasate në ujërat e Republikës së Shqipërisë. Projekti i paraqitur parashikon dhe një sërë masash për ata individë që kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë e akuakulturës tokësore dhe ujore. Kështu, për herë të parë bëhet heqja e licencës për akuakulturën dhe duke përcaktuar tashmë procedurën e konkurrimit publik, si mundësia e vetme për të lidhur kontratën për shfrytëzimin e veprimtarisë së akuakulturës.