E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i BB, PS kundërshton Berishën

 

Nënsekretari për Programin sqaron pikat e raportit

TIRANË- Partia Socialiste ka vendosur që t’i japë përgjigje qëndrimeve të shpeshta të kryeministrit Sali Berisha, lidhur me raportin e fundit të Bankës Botërore “Të bësh biznes 2009”. Nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqja, theksoi se klima e biznesit nuk është përmirësuar, për sa kohë raportet e fundit konfirmojnë se niveli i zbatimit të ligjeve dhe rendi publik janë dukshëm nën nivelin e vendeve me të ardhura të ulëta. “Raporti “Të bësh biznes 2009” i kujton qartë edhe Kryeministrit tonë të paditur se për të kuptuar klimën për zhvillimin e biznesit dhe për të përcaktuar politikat e nevojshme për përmirësimin e saj, ai duhet të lexojë studime të tjera të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe jo vetëm kopertinën tyre. Të dhënat e publikuara nga anketimi i bizneseve, tregojnë që problemi kryesor i pjesës më të madhe të bizneseve në Shqipëri nuk është numri i ditëve për t’u regjistruar, por garancia për të funksionuar në një treg me rregulla dhe konkurrencë të ndershme. Dhe nuk mund të flasësh për konkurrencë të ndershme, aty ku shifrat e fundit të raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar konfirmojnë, pa asnjë mëdyshje, se korrupsioni është tashmë njolla më e zezë e kësaj qeverisjeje që e ka përkeqësuar treguesin e korrupsionit tri herë krahasuar me vendet e pranuara së fundmi në Bashkimin Europian, duke konfirmuar dështimin e plotë të qeverisjes dhe të Kryeministrit i cili, luftën për të reformuar dhe modernizuar shtetin e ka lidhur fort vetëm në numrin e tij të telefonit”,- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›