Së shpejti Ban Ki Mun do të qartësojë rolin e UNMIK-ut në Kosovë
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, është në fazën e fundit të përgatitjes së propozimit të tij për rikonfigurimin e UNMIK-ut në Kosovë, pas 15 qershorit, kur do të hyjë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Lajmi u bë publik gjatë ditës së djeshme në gazetën kosovare “Zëri”. Sipas kësaj gazete, Ban Ki Mun do të verë në dijeni Presidentin kosovar Fatmir Sejdiu, dhe presidentin Serb Boris Tadiç përpara se dokumenti të paraqitet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në këtë dokument do të paraqitet prania ndërkombëtare në Kosovë pas 15 qershorit, e cila pritet të njohë tre faktorë kryesorë: UNMIK-un, misionin e EULEX-it (të forcimit të rendit dhe ligjit), dhe misionin e OSBE-së (Shtyllën e tretë të deritashme të UNMIK-ut). Sipas “Zërit” dokumenti pritet ti dorëzohet këto ditë presidentit Sejdiu dhe Tadiçit.
Kosovë, qeveria miraton projektligjin për zgjedhjet
Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për zgjedhjet dhe ia kaloi atë për debat parlamentit të Kosovës. Në këtë projektligj Kosova mbetet me një zonë të vetme zgjedhore. Sistemi zgjedhor mbetet proporcional me lista të hapura, ndërsa zgjedhësit do të votojnë për partinë politike dhe pesë kandidatë të atij subjekti.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Ramë Manaj u shpreh se projektligji mbeshtet edhe parimet e Kushtetutës së Kosovës. “Projektligji përmban 20 kapituj, 129 nene dhe plotëson të gjitha standardet për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike në bazë të votës së lirë, të përgjithshme, të barabartë, të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë”,- Manaj. Megjithatë agjencitë e lajmeve kanë bërë të ditur se projektligji për zgjedhjet, i cili u përket projektligjeve që dalin nga propozimi gjithëpërfshirës i presidentit Marti Ahtisari, kundërshtohet nga partitë opozitare pasi sipas tyre procesi i hartimit të tij përveç subjekteve politike të përfaqësuara në Parlament do të duhej të përfshiheshin edhe partitë e vogla madje edhe shoqëria civile.
5 Qershor 2008