Pas përfundimit të samitit të NATO-s në Stamboll, Presidenti Alfred Moisiu dhe Kryeministri Fatos Nano i janë përgjigjur interesimit të medias së pranishme. Në deklaratën për shtyp Pres

Pas përfundimit të samitit të NATO-s në Stamboll, Presidenti Alfred Moisiu dhe Kryeministri Fatos Nano i janë përgjigjur interesimit të medias së pranishme.
Në deklaratën për shtyp Presidenti Moisiu u shpreh se pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë Samit të NATO-s ishte e një rëndësie të veçantë pasi ajo vjen pas zgjerimit të NATO-s në Samitin e Pragës mbajtur më 2002, pra shënon një stad të ri për vetë Aleancën Veriatlantike dhe angazhimin e saj ndërkombëtar në mbrojtje të paqes dhe sigurisë.
Presidenti i Republikës vlerësoi momentin e zhvillimit të këtij Samiti, kur vendi ynë, së bashku me Kroacinë e Maqedoninë, tre vende të Kartës Adriatik 3, kanë bërë hapa individuale dhe kolektive drejt përmbushjes së standarteve për anëtarësim në NATO. Kjo gjë u theksua edhe në deklaratën finale të Samitit, ku bëhej një vlerësim i përpjekjeve të vendeve tona dhe inkurajoheshin ato për t'i thelluar reformat për integrim në Aleancë, e cila rikonfirmoi politikën e Dyerve të Hapura, u shpreh Z.Moisiu.
Ne deklaratën e tij për shtyp, Kryeministri Nano u shpreh:
Duke falenderuar median për interesin dhe ndjekjen shumë nga afër të punimeve të këtij samiti, më lejoni të konfirmoj përfundimin me sukses të misionit të delegacionit të Republikës së Shqipërisë në Samitin e Stambollit, të mbështes ato çka tha Presidenti i Republikës për suksesin e përfaqësimit dhe të objektivave që i kishim vënë vetes në pjesëmarrjen e Shqipërisë në të gjitha programet e partneritetit me NATO-n dhe të kontributeve në koalicionet dhe inisiativat euroatlantike për sigurinë globale dhe konsolidimin e institucioneve demokratike e të hapësirave të lirisë në 46 vendet, që tashmë janë pjestarë të Aleancës Euroatlantike, të partneritetit me të gjithashtu.
Gjithashtu theksoj se samiti ishte krejtësisht i suksesshëm në të gjitha temat kryesore të rendit të ditës, veçanërisht në vlerësimin e progresit dhe të angazhimeve të qeverisë dhe institucioneve përfaqësuese të Republikës së Shqipërisë në plotësimin e detyrave të Planit të Veprimeve për Anëtarësim, në rolin dhe kontributet për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, në konsolidimin e pjesëmarrjes dhe të kontributeve tona në koalicionin global të luftës kundër terrorizmit dhe në stabilizimin e demokracive të reja pas konflikteve të njohura në Bosnje-Hercegovinë, në Afganistan dhe tashmë në Irak.
Besoj se duhet të jemi të gjithë krenarë dhe të kënaqur që në komunikatën përfundimtare të Samitit u vlerësua progresi i vendeve të bashkëpunimit të Adriatikut, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë, u vlerësua ecuria e tyre shumë pozitive në plotësimin e Planit Kombëtar të Veprimeve për Anëtarësim dhe u ngarkuan struktura të posaçme të Këshillit të Atlantikut Verior, Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare për ta ndjekur këtë ecuri, për të nxitur më tej progresin në fushat sensitive të reformave demokratike dhe të konsolidimit të kontributeve dhe të institucioneve të sigurisë që në Samitin e ardhshëm të bëhet vlerësimi i plotë dhe optimist për gadishmërinë e Shqipërisë dhe të vendeve të Adriatikut për anëtarësim të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Besoj se, është e kuptueshme për shkak të kontributeve, të progresit dhe angazhimeve, jemi në radhën e parë të vendeve që do të gëzojnë vlerësimin e vazhduar pozitiv të Këshillit të Aleancës së Atlantikut të Veriut për valën e re të zgjerimit në të ardhmen afatmesme.
Kryeministri Fatos Nano i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve gjatë konferencës për shtyp pas samitit të Stambollit
Pyetje: Në takimit që patët me Presidentit Xhorxh Bush çfarë u diskutua?
Kryeministri Nano: Më lejoni të theksoj se takimet tona me përfaqësuesit më të lartë të administratës amerikane shoqërojnë bashkëpunimin e gjithanshëm dhe shumë efikas që ne kemi në të gjitha nivelet me administratën e Presidentit Bush. Edhe këtu në samitin e Stambollit e bëri të qartë që është shumë i informuar për efikasitetin e këtij bashkëpunimi, progresin e Shqipërisë në programet e veprimit për anëtarësim në NATO dhe në të gjitha programet e tjera të konsolidimit të reformave dhe të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve në përputhje të standarteve të botës euroatlantike. Edhe në bashkëbisedimin me mua, Presidenti Bush theksoi vlerësimin pa rezerva të të gjitha angazhimeve, veçanërisht dhe në mënyrë të përsëritur mirënjohjen dhe falenderimin për kontributet e Shqipërisë për sigurinë globale në Bosnje, Afganistan dhe Irak dha porosi të drejtpërdrejta për stafin e tij më të ngushtë që ky vlerësim dhe angazhim i Qeverisë së Shqipërisë të përdoren menjëherë për të vlerësuar gadishmërinë e saj për t'u kualifikuar si vend që do të përfitojë gjithashtu veç programeve të tjera të financimit nga SHBA edhe nga programi amerikan i "Sfidave të Mijëvjeçarit" dhe si vend me të drejta të plota në programin e vitit financiar të këtij programi për vitet 2004-2005, i cili do të fillojë në muajin tetor. Morëm sigurinë se bashkëpunimi i mëtejshëm do të vazhdojë, duke nxitur karakterin shumëdimensional të kontributeve dhe partneritetin që Republika e Shqipërisë ka me Shtetet e Bashkuara, me vendet e tjera të aleancës, me vendet e anëtarësuara në patneritetin euroatlantik në rajon, veçanërisht në operacionet e sigurisë globale dhe luftës kundër terrorizmit për zgjerimit të hapësirave të lirisë dhe demokracisë.
Pyetje: Keni patur dhe një sërë takimesh me homologë tuaj, duke nisur nga Kryeministri Toni Bler, kancelari Shrëder etj.Çfarë është arritur në këto takime dhe ç'mendoni për reformën zgjedhore në Shqipëri?
Kryeministri Nano: Është e qartë se gjendja dhe progresi i reformave demokratike në Shqipëri krahas transformimit të madh që ka ndohur në rajonin e Europës juglindore, angazhimet gjithnjë e më të spikatura dhe në zhvillim të Shqipërisë dhe të vendeve të Kartës së Adriatikut për stabilitet rajonal dhe për blllokimin e trafiqeve dhe të veprimtarive të krimit të organizuar në rajon, të cilat i bëjnë akoma më të mrehta detyrat tona pë forcimin e menaxhimit të kufijve dhe shtimin e garancive të lëvizjeve të lira në rajonin tonë jo vetëm të shtetasve por edhe të sipërmarrësve dhe përfaqësuesve të këtij realiteti europian dhe euroatlantik që po ndërtohet në Europën Juglindore, janë fakte të njohura dhe të vlerësuara në shumicën e vendeve të Alenacës së Atlantikut të Veriut, të BE-së, të partneritetit euroatlantik për paqe, për tërësinë e vendeve që merrnin pjesdë në samitin e Stambollit. Edhe nga shkëmbimi i informacionit dhe i mendimeve me një numër kryeministrash të vendeve kryesore që nga Toni Bler, kancelari Shrëder, kancelari Shusel dhe një numri kryeministrash të vendeve të reja anëtarë të NATO-s dhe BE-së, siç është kryeministri i Hungarisë apo i të gjithë kryemistrave të vendeve të Europës Juglindore pëfshirë edhe dy vendet e reja që u anëtarësuan në Aleancën e Atlantikut të Veriut para tre muash, Bullgaria dhe Rumania, shprehën mirënjohje të thellë, mbështetje të qartë dhe nxitje për bashkëveprim të mëtejshëm të vendeve të rajonit, me vendet kryesore të Aleancës dhe të BE-së, të pranishme në rajonin tonë, në mënyrë që procesi i zhvillimit të vendeve të Europës Juglindiore drejt anëtarësimit në NATO dhe BE të ketë vazhdimësi, të ketë progres të vazhdueshëm. I tillë ishte dhe theksi i dhënë nga kryeministri Bler dhe kancelari Shrëder, që në takimet e ardhshme të Këshillit të Ministrave të BE të jetë i qartë mesazhi se vendet e procesit të Stabilizim Asociimit do të trajtohen pas zgjerimit të fundit të BE me instrumentet, programet dhe klauzolat e vendeve të gatëshme për valën e ardhshme të zgjerimit dhe të anëtarësimit në BE. Pra, me programet dhe instrumentat e parahyrjes që u përdorën dhe për vendet e Europës Qendore, vala më e fundit e anëtarësimit që është në proces, Rumaninë, Bullgarinë, Kroacinë etj. Natyrshëm ky bashkëpunim ka dhe interesa ekonomike. Me të gjithë kryeministrat konstatuam me kënaqësi rritjen e prezencës së operatorëve të rëndësishëm ekonomikë, financiarë dhe bankarë të rëndësishëm të vendeve të Europës Perëndimore, si dhe atyre të SHBA në Shqipëri dhe në atë që po kristalizohet si hapësirë e një tregu unik midis vendeve të Europës Juglindiore, si dhe kulmet e këtij progresi siç janë mbërritja e Reiffeisen në sistemin bankar shqiptar apo përfundimi me sukses i negociatave për koncesionin e aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza" në dobi të konsorciumit të udhëhequr nga firma e njohur gjermane Hochtief.
Pra, do të vazhdojë i gjithë ky bashkëpunim në funksion të vlerësimit të progresit, të më shumë rezultateve në bashkëveprimin për integrim dhe natyrshëm përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme do të vihen në të njëjtin funksion. Më lejoni të përfundoj duke theksuar se nuk më rezultion në politikën shqiptare apo në spektrin parlamentar shqiptar që objektivat e integrimit në NATO dhe BE të jenë kthyer në polemika elektorale. Nuk me rezulton që ndonjë nga forcat politike nuk ka angazhimin programor apo praktik insitucional për të punuar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të standarteve normale dhe t'i shërbejnë dinamizimit të procesit të integrimti dhe jo bllokimit të tij.