E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas protestës, minatorët nisën grevën e urisë

Tiranë- Pas paralajmërimit të një dite më parë, sot 15 minatorë nisën grevën e urisë. Minatorët u ngujuan në zyrat e sindikatës së tyre dhe kanë deklaruar se do të qëndrojnë aty deri në plotësimin e kërkesave.

Greva e urisë, nisi pak kohë pasi dhjetëra minatorë të mbledhur bashkë, protestuan para kryeministrisë. Ata me parrulla në duar iu drejtuan edhe një herë kreut të qeverisë të kthejë sytë nga kjo kategori punonjësish, që punojnë në kushte mizerabël dhe paguhen shumë keq.

Në emër të tyre ka folur për mediat, sekretari i përgjithshëm i sindikatës së minierave, Fiqiri Xibra. Sipas tij, kërkesat e minatorëve kanë të bëjnë me statusin e minatorit si dhe me nismën e ndërmarrë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore në lidhje me verifikimin e pensioneve të minatorëve.

“Në grevë urie do të hyjnë vetëm disa prej minatorëve, por bashkë me ta janë të gjithë të tjerët, që do t’i mbështesin jashtë grevës”- ka thënë ai, duke shtuar se shumë shpejt greva do të përshkallëzohet. Në mbështetje të saj do të jenë shumë shpejt edhe minatorë nga rrethet e tjera, nga Pogradeci dhe Kukësi, të cilët gjithashtu do të ngujohen në grevë urie.

Po dje, në ditën që minatorët paralajmëruar nisjen e grevës, ministri Energjitikës, Ruli dha alarmin për gjendjen e mjeruar të minierave. Ai deklaroi se do të hiqen licencat për të gjitha ato firma që nuk plotësojnë kushtet e sigurisë dhe që punësojnë fëmijë. Protestës së minatorëve në Tiranë i janë bashkuar minatorët në Korçë. Në orët e paradites, para bashkisë një grup minatorësh, të Sindikatës së Pavarur të minatorëve të Korçës kanë zhvilluar një tubim paqësor, ku kanë kërkuar përmirësimin e pagesës për minatorët aktualë, përmirësim të pensioneve të atyre që kanë dalë në pension si dhe ulje të moshës për këtë profesion.

Sipas kryetarit të sindikatës, Pëllumb Muslli për 15 vjet kjo kategori e shoqërisë është lënë në harresë. “Ne, në rast se nuk zgjidhen kërkesat do të hyjmë në grevë urie”- thanë ata. Në rajonin e Korçës aderojnë në këtë sindikatë 2 mijë minatorë. Mirditë, ish-minatorët në grevë për statusin e tyre  RRËSHEN. Në përkrahje të grevës së minatorëve të Tiranës, janë tubuar sot në Rrëshen dhjetëra ish-minatorë, të cilët kanë patur në thelb të protestës së tyre, kërkesën për statusin e minatorit. Me parullat e tyre “Mosha mesatare e minatorit 45 vjeç”, “miniera na mori jetën”, “duam statusin e minatorit” e të tjerë ata kanë kërkuar të vlerësohen me statusin e vërtetë të  minatorit.

Kryetari i sindikatës së minatorëve të Mirditës Tonin Legisi tha se ne kërkojmë të miratohet statusi i minatorit, e që në bazë të daljes në pension të llogaritet 10 vite punë nëntokë për 50 vite moshë, një ligj që ka ekzistuar deri në vitin 1993, por që u fshi pas një viti. Sot dalja në pension e një punonjësi të nëntokës është 60 vjeç, kur në fakt thuajse askush nga minatori i nëntokës nuk e kap më këtë moshë, pasi mosha mesatare e minatorëve të Mirditës, nuk i kalon të 45 vitet për shkak të sëmundjes së rëndë të silikozës që po u gërryen jetët e tyre çdo ditë që kalon.

Legisi thotë se i kemi shtruar kërkesat tona nëpër të gjitha qeveritë që kanë kaluar por asnjëra nuk na është përgjigjur. Janë mbi 400 minatorë nga minierat e Mirditës që kanë vdekur nga sëmundja e silikozës pa i kaluar të 60 vitet jetë. Janë 67 të aksidentuar nga puna në minierë dhe sot janë dhe 600 ish minatorë të tjerë që vazhdojnë ta vuajnë sëmundjen e mallkuare të silikozës.  300 minatorëve të bllokuar pensioni Sipas Legisit janë 300 ish-minatorë që u është bllokuar trajtimi i veçantë prej vetëm 5,8 mijë lekë të reja akorduar. Bëhet fjalë për rreth 300 minatorë që përfitonin këtë pension të pjesshëm, por që ua ka ndërprerë auditi i brendshëm i Institutit të Sigurimeve. Ndaj dhe minatorët kanë zgjedhur vendin përballë degës së sigurimeve për të protestuar sot për këtë akt të paprecedent ku për shkak të disa abuzimeve nga zyrtarë të këtyre degëve nëpër rrethe të ndryshme, po “përndiqen” të tjerë të pafajshëm.  Është një bllokim i sjellë prej një viti dhe qindra minatorë kanë shkuar dyerve të gjykatave, nëpër sekserë e avokatë për të provuar punën në miniera.  Në fakt shumica e gjyqeve që janë zhvilluar, sipas Legisit, u ka dhënë të drejtën minatorëve të penalizuar, por që deri për të nxjerrë të drejtën, u është dashur të harxhojnë miliona lekë nëpër shkallët e gjyqësorit.

Madje edhe kur minatorët e fitojnë gjyqin, sërish ua apelojnë vendimet për sorollatjet e rradhës. E gjithë kjo anomali që po i sorollat qindra minatorë nëpër dyert e  gjykatave, ka ardhur për shkak të abuzimeve që u bënë që nga viti 2000 e në vazhdim kur afro 500 minatorë përfituan trajtesën e veçantë.

Por pas 7 vitesh kontroll nga auditi i brendshëm i Institutit të Sigurimeve rezutloi se ishte bërë masakër mbi dosjet e përgatitura për këtë shtresë ku janë futur dhjetëra dosje fallco kundrejt shpërblimeve nën dorë të zyrtarëve të sigurimeve shoqërore që nga rrethet e deri në qendër.

Nga ana tjetër, minatori Nikollë Gjikola shprehet se pasdrejtësi ka dhe për pagesat e minatirëve invalidë, madje pjesa më e madhe e tyre deklarohen si invalidë pasi dalin në pension kur dhe sëmundja profesionale ka marrë zhvillim të vrullshëm, pasi këto sëmundje që janë të fshehta të tipit “ekshell”, kur dalin zhvillohen shumë shpejt duke i gjunjëzuar bartësit e tyre, në këtë rast minatorët. Unë marr një pension qesharak prej 13 mijë lekësh si invalid i grupit të dytë dhe kur vetëm ilaçe aspirimi e të tjera më duhen 5 mijë lekë të reja çdo muaj.

Duke përfaqësuar dhe shtresën e invalidëve nga kjo punë, ai thotë se nga 4000 punëtorë e minatorë që kishte industria nxjerrëse e përpunuese e bakrit, 600 prej tyre kanë përfunduar në invalidë dhe trajtohen me pensione qesharake, ndaj është i nevojshëm sa më parë statusi i minatorit për t’u dhënë një herë e mirë fund andrallave që po përjetojnë tash dy dekada demokraci.Nëse nuk do të zgjidhen kësaj radhe kërkesat e tyre, edhe ish minatorët e Mirditës do t’i bashkëngjiten konvejerit të grevave të urisë në të gjithë vendin ku ka patur miniera. Gjergj Marku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›