Pas sherrit per token i ve flaken fqinjit

Fut në kurth bashkëfshatarin pas grindjes për tokën e më pas i vë flakën. Ngjarja e pa zakontë ka ndodhur në fshatin Dardhë të Librazhdit. Jashar Hoxha 55 vjeç me banim në këtë fshat i ka hedhur benzinë e më pas i ka vënë flakën bashkëfshatarit Servet Poçi 30 vjeç pasi e kishte mbajtur për darkë. Skena makabre ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së kaluar. Mes dy bashkëfshatarëve ka pasur grindje të vazhdueshme për një rrip tokë dhe viktima ka shkuar të sqarohet tek banesa e 55 vjeçarit. Por ky ka inskenuar një kurth ogurzi duke e mbajtur për darkë e fill pas saj i ka hedhur benzinë e i ka vënë flakën.
Ndërsa largohej nga banesa i tmerruar 30 vjeçari ka dhënë alarmin për ndihmë. Fillimisht ai është dërguar në spitalin e Librazhdit por duke parë gjendjen e rëndë shëndetësore është dërguar për në spitalin ushtarak në Tiranë. Sipas mjekëve gjendja e tij paraqitet mjaft e rënduar.
Policia e Librazhdit ka arrestuar Jashar Hoxhën ndaj të cilit është ngritur akuza e vrasjes me anë të djegies me zjarr.