“Makinat e ushtrisë dhe ushtarët punuan në ndërtimin e spitalit privat”
Letër e një grupi mjekësh nga Spitali Ushtarak
E nderuara redaksi e gazetës “TemA”,
Jemi një grup mjekësh të Spitalit Ushtarak në Tiranë, që kemi më shumë se tri vjet që ndeshemi me abuzimin e pushtetit për interesa private. I ashtuquajturi Spitali Ushtarak Turk, që tani i thonë spitali amerikan, ishte kryekëput një biznes i nisur nga Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ne kemi protestuar që atëherë ndaj shkatërrimit të sipërfaqeve tona të punës, shkatërrimit të shërbimit të traumatologjisë dhe vënien në dispozicion të spitalit të privatëve të panjohur. Por, sa herë ne ngrinim zërin, na kërcënonin për heqje nga puna. Herë thoshin që pas spitalit fshihet zëvendësministrja e Jashtme, herë ministri i Mbrojtjes e herë kryeministri.
Megjithatë, vitin e kaluar ne ju drejtuam me një letër Task Forcës së Kryeministrisë, ku ngrinim tri probleme kryesore, së pari dhunimin e sipërfaqeve, së dyti, përvetësimin e pasurisë publike për interesa të privatit dhe problemet e përdorimit të lëndës së parë të spitalit tonë për spitalin privat. Ne denoncuam mënyrën abuzive të shtesave të njëpasnjëshme të kontratave dhe vënien në dispozicion të truallit për ndërtimin e spitalit të tyre. Por as task forca e kryeministrit nuk na ktheu përgjigje. Pas kësaj, shumë mjekë filluan të mbyllin gojën, madje dhe disa që firmosën, filluan të ndjejnë privilegjet dhe pagat e ofruara nga spitali privat.
Ne nuk jemi kundër spitaleve private. Ata mund ta zhvillojnë mjekësinë tonë dhe mund të ngrenë standarde, por ky spital, që mbiu në oborrin tonë, s’ka të bëjë me biznesin privat, por me korrupsionin shtetëror që kthehet në biznes privat.
Ishte e turpshme se si përdoreshin ushtarët dhe makinat e ushtrisë për transportin e mjeteve që ndërtuan spitalin. Në shërbim të biznesit privat të këtij spitali u vu gjithë ushtria. Njësoj së në Gërdec, aty vinin makina të ushtrisë, shkarkonin tulla, llaç, çimento dhe aparaturat e spitalit. Kjo ishte shumë e turpshme dhe dukej hapur që ishte pas saj ministri Mediu. Çdo gjë u duk dhe më qartë, kur menjëherë pas Gërdecit aksionerët shitën aksionet dhe ato i bleu një kompani e regjistruar në Holandë, për të cilën tani thonë që është amerikane.
Nuk e kuptojmë, pse amerikanët nuk vijnë drejt e në Shqipëri, por i bien nga Holanda, por kjo s’ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që ky biznes nisi nga njerëz të pushtetit për interesa të tyre dhe u shit prej tyre, kur ata u rrezikuan politikisht. Ju kujtojmë se administratori i këtij spitali iku në Turqi nga frika një muaj pas shpërthimit të Gërdecit se mos e arrestonin dhe këtë, ngaqë rrinte gjithë ditën me Fatmir Mediun.
Edhe tani ky administratori i ka punët mirë me pushtetin, pasi sot ka ikur për shembull me ministren Godo në Turqi. Nuk e kuptojmë ç’do një drejtor spitali privat me ministrin e Shëndetësisë.
Duket qartë që pas spitalit fshihen interesa shtetërore, por në krye të listës së këtij abuzimi është ai që ju keni shkruar, Fatmir Mediu.
Motra e Nick Nazar Mehmetit në Ministri të Mbrojtjes
Motra e Nazar Mehmetit, aksionerit formal të spitalit privat brenda Spitalit Ushtarak, ndërtuar nga Fatmir Mediu, punon në Ministri të Mbrojtjes. Edhe pse amerikane dhe me një shqipe të keqe, ajo ka filluar punë si drejtoreshë e botimeve ushtarake në ministri. Lajmin e konfirmojnë burime nga Ministria e Mbrojtjes. Ato thonë se Teuta, motra e Nick-ut, është punësuar nga Mediu si drejtoreshë e botimeve në Ministri të Mbrojtjes. Ministria e Mbrojtjes nuk pranon ta konfirmojë lajmin zyrtarisht. Ky është thjesht një tregues i lidhjes së fortë të Mediut me atë që e ka emëruar “aksioner” në spitalin privat brenda Spitalit Ushtarak