E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers: Nuk do lejojmë kurrë të preket pavarësia e gjyqësorit

Nga Bledar Lumani

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Withers, tha në një takim të organizuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me drejtues të gjykatave se pavarësia e gjyqësorit është jetike për demokracinë në Shqipëri.

“Një shkencëtar i lashtë grek ka thënë, po perifrazoj, “Nëse më jepni një copë të palëvizshme toke, ku të qëndroj, mund të lëviz tërë botën.” Dhe pikërisht këtë mendoj për rolin e gjyqësorit dhe gjyqtarëve në një demokraci. Pika e qëndrueshme e tokës, mbi të cilën qëndroni, është ligji, mishëruar te Kushtetuta dhe pjesët e tjera të legjislacionit. Me dijet, ekspertizën, dhe integritetin që sillni me vete, jeni në gjendje të siguroni rritjen, qëndrueshmërinë dhe ngjitjen e vazhduar të demokracisë shqiptare.

Janë pak gjëra, në fakt, sipas mendimit tim personal, nuk ka asgjë më të rëndësishme për një shoqëri të lirë dhe demokratike sesa një sistem i drejtë dhe i ndershëm i drejtësisë. Dhe ky nuk është thjesht një mendim personal imi, por politikë e qeverisë sime dhe besim i popullit tim”, - tha Withers.

“Të gjithë më keni dëgjuar të them në shumë raste, në shumë vende, që nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa roli që luan gjyqësori në një demokraci. Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa besnikëria ndaj parimeve të Kushtetutës. Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa ndarja e pushteteve midis dhe ndërmjet degëve të ndryshme të qeverisjes. Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa pavarësia e gjyqësorit.

Më lejoni të jem i qartë mbi ç’mendoj unë se nënkupton pavarësia e gjyqësorit. Është pavarësia për të vendosur duke u bazuar vetëm mbi ligjin dhe faktet, të lirë nga presione politike dhe personale. Shqipëria duhet t’i përkushtohet mbrojtjes së pavarësisë së gjyqësorit për të siguruar përparimin e saj demokratik. Çfarëdo kanosje ndaj kësaj pavarësie është një hap i qartë prapa”, - shtoi Withers.

Ambasadori amerikan tha se qeveria e tij mbështet shumë pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe deklaroi se SHBA është aty për të ndihmuar me çdo mënyrë ruajtjen e pavarësisë.

Withers foli gjithashtu për nevojën e ruajtjes së sistemit gjyqësor nga të korruptuarit.

“KLD ka një përgjegjësi të madhe për të emëruar gjyqtarët në mënyrë të drejtë dhe të ndershme dhe së bashku me vetë gjyqtarët të sigurohet që sistemi gjyqësor do mbahet i pastër prej gjyqtarëve të pandershëm, të korruptuar apo joetikë.

Gjyqtarët që janë këtu sot, ju në këtë sallë, ndoshta keni përgjegjësinë më të madhe nga të gjithë. Shqiptarët e çdo fshati, qyteze a qyteti mbështeten te të gjithë juve që të jepni drejtësi dhe të mbroni të drejtat e qytetarëve për të trajtuar një bujk të varfër njësoj si një pronar të pasur tokash, për të pasur kurajën për t’u ngritur përpara presionit, jo vetëm nga ata me pushtet politik, por ndoshta edhe nga ata që janë pranë jush personalisht.

Trajtimi i njëjtë i të gjithëve është pikërisht esenca e demokracisë dhe gjykatat tuaja të drejtësisë janë terreni i provës për gjendjen e demokracisë shqiptare”, - tha Withers.

Ambasadori amerikan kërkoi nga gjyqtarët që të jenë ata që të çrrënjosin me kurajë korrupsionin në radhët e tyre.

“Por, përveç të gjitha këtyre, ju duhet të keni edhe aftësinë për të punuar, për të funksionuar, për t’i bërë këto korrigjime brenda radhëve tuaja pa lënë që ato të shndërrohen në garën midis politikanëve dhe forcave politike. Është me rëndësi të jashtëzakonshme që të mos shihet si i korruptuar sistemi i gjykatave, por vetëm ata individë, vetëm ata pak individë në sistemin e gjykatave, dhe varet nga ju që ta ruani këtë dallim me anë të autoritetit që keni.

E di që është jashtëzakonisht e vështirë që njerëzit të marrin qëndrime me kurajë në një mjedis politik që iu bën presion. E di që është jashtëzakonisht e vështirë, kur bëhen deklarata në gazeta e televizione që ju vendosin ju në shënjestër të kritikave. Por unë i admiroj shembujt e shumtë që kam parë të gjyqtarëve që ngrihen, që i janë besnikë vetëm ligjit dhe që, në fund, e kanë respektin për ligjin më të madh sesa frikën nga manovrat politike.

Dhe, për rrjedhojë, mesazhi im për ju sot është shumë i thjeshtë. Nuk jeni vetëm në respektimin e ligjit, nuk jeni vetëm në marrjen e qëndrimeve me kurajë. Qeveria ime, popujt e demokracive kudo do t’ju mbështesin; do të qëndrojmë me ju, ndërkohë që i merrni këto vendime të guximshme”, - tha Withers.

Deklarata e ambasadorit amerikan vjen në një moment, kur gjyqësori është vënë nën goditjen e ekzekutivit, për shkak se disa zyrtarë të lartë të mazhorancës po hetohen për raste korruptive.

Withers: Raporti i DASH, i peshuar mirë dhe me mesazhe shumë të qarta

Deklaratave të mazhorancës, se raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut është kopjuar nga raporti i Këshillit të Evropës dhe se ai nuk përmban të dhëna aktuale dhe të freskëta, iu është përgjigjur në mënyrë indirekte ambasadori amerikan në vendin tonë, John Withers.

Duke folur në takimin e KLD me drejtuesit e gjykatave, Withers tha se raporti është i peshuar mirë dhe ka mesazhe shumë të qarta.

“Një prej dokumenteve më të rëndësishme që ne, qeveria e ShBA., nxjerrim çdo vit është Raporti për Të Drejtat e Njeriut i Departamentit të Shtetit. Është një dokument i peshuar mirë, i shqyrtuar, rishikuar dhe modifikuar me kujdes, në mënyrë që të jetë një reflektim sa më i saktë që mund ta bëjmë i situatës së të drejtave të njeriut për secilin vend të botës.

Nëse e lexoni atë dokument, i cili përmban raporte mbi situatën e të drejtave të njeriut të praktikisht çdo vendi, mendoj do të shihni një gjë që bie në sy më shumë sesa çdo gjë tjetër. Është bindja e palëkundur amerikane që shoqëria duhet të bazohet mbi sundimin e ligjit. Mund të shihni që ajo temë ishte kyçe në vlerësimin për të drejtat e njeriut që bëri Departamenti i Shtetit për Shqipërinë gjatë vitit të shkuar”, - tha Withers.

“Pikëpamja e Departamentit të Shtetit është që aty duhet vënë theksi në Shqipëri, në mënyrë që demokracia të japë plotësisht frytet. Është një deklaratë shumë e qartë, është një deklaratë shumë e fortë, dhe ju nxis të gjithëve që nuk keni pasur mundësinë që ta lexoni me kujdes. Mendoj të gjithë do të shihni që epiqendra e atij raporti është theksi mbi sundimin e ligjit në Shqipëri”, - vijoi më tej ambasadori amerikan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›