E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse ka frikë Edi Rama nga debati

Petrit Vasili 

Edhe qytetari më indiferent ndaj politikës në Shqipëri një gjë e ka shumë të qartë, që Edi Rama ka frikë nga debati. Dhe kjo nuk do as mend dhe as kalem për ta kuptuar, sepse duke i ikur e iu shmangur të gjithë llojeve dhe formave të debatit sot, Rama është njeriu më i izoluar i politikës në Shqipëri dhe debati është sfida tërësisht e humbur dhe e dështuar e tij.
I ndërtuar në serën e montazhit televiziv, Rama e ka kuptuar se përballja direkte, e panegociuar dhe trukuar më parë është fatalisht e pamundur për të. Siguritë e pafund protektive që ai i ka krijuar vetes ndër vite dhe me shpenzime të mëdha e kanë shndërruar atë në një qenie politike pa imunitet, pra pa mbrojtje dhe si të tillë që sëmuret lehtë, keqas dhe rëndë nga debati.
Për të komunikimi i drejtpërdrejtë është një rrezik i jashtëzakonshëm, një tmerr pa fund dhe si të tillë ai e ka eliminuar plotësisht atë nga komunikimi i tij politik, duke u transformuar në një cung politik, sepse gjymtyrët e komunikimit të tij ai i ka vetëprerë nga frika e jashtëzakonshme e përballjes së vërtetë me të vërtetat e mëdha.
Duke u ngalasur nëpër Shqipëri me politikën e re, gjithmonë përtej të majtës dhe të djathtës, Rama ka kuptuar prej kohësh që debati është e kundërta e politikës së tij re, sepse debati ka një defekt shumë të madh, se nxjerr të vërtetat në shesh dhe këto të vërteta i dhembin shumë atij.
Ky ikanak tipik i sojit më të dobët të ikanakëve, ka iluzionin se studiot e montazhit televiziv dhe gjellët e pështira të gatuara në to janë ajo më e mira gjë me të cilën ai kërkon të gënjejë e ushqejë shqiptarët. Ai kërkon t’u imponojë nëpërmjet montazheve televizive qytetarëve, salla ku nuk kanë qenë, t’i rrethojë nga pjesëmarrës që nuk i kanë parë kurrë, nga euforira të rreme në vend të heshtjeve mortore, pra të shesë atë që nuk ekziston në një Shqipëri tepër të vëmendshme dhe që me sy hapur shikon gjithçka. Kjo politika e ikanakut të madh është e re nga tek xhufkat ylberike dhe deri tek montazhet televizive, por është më e vjetër dhe më bolshevike se ajo e pas revolucionit të tetorit të 1917, sepse deri përpara tij edhe mes bolshevikëve ekzistonte debati.
Politika e re, ajo amerikane p.sh., meqë ikanaku e ka për adet që ta zërë në gojë në çdo vend Obamën, na tregoi se edhe brenda partisë së vetë Obamës debatojnë publikisht dhe fort dhjetëra kandidatë dhjetëra herë dhe besoj se ikanaku nuk është kaq i konfuzuar sa të harrojë debatet e nxehta të Hillary Clinton me Obamën dhe të këtij të fundit me McCain.
Çdo amerikan e di fort mirë se çdo kandidat për të shkuar edhe në këshillin e bashkisë së qytetit dhe jo më për të drejtuar Amerikën, nuk mund të imagjinojë se mund ta arrijë kurrë këtë pa u përballur publikisht me kundërshtarët, për të treguar se ç’mendon, ç’vizion ka dhe ç’moral ka vënë në qendër të sfidës së tij.
Por ikanaku ynë që po virtualisht drejton edhe Bashkinë e Tiranës, ka shumë të drejtë që i ikën debatit, sepse në fakt nuk ka ç’thotë.
Të gjithë pyesin logjikisht a do të ketë një debat të hapur Meta-Berisha-Rama.
Pak javë përpara zgjedhjeve që na presin dhe janë ndoshta më të rëndësishmet për një Shqipëri që mëton gjithnjë e më shumë që të jetë europiane, një debat i tillë është i pashmangshëm.
Është i pashmangshëm një debat i tillë, sepse shqiptarët do të duhet të lidhin një kontratë të re politike me liderë për të cilët duhet të jenë shumë të qartë se ç’përfaqësojnë dhe sa të vlerësueshëm janë ata për t’u besuar, se ç’kanë bërë ata në jetë dhe politikë, ç’moral kanë dhe sa të ndershëm janë në detyrimet dhe marrëveshjet politike që lidhin.
Askush nuk ka iluzionin më të vogël se duke parë se si i ikën debatit, shqiptarët qartë dhe prerë nuk do të votojnë asnjë herë bedelizmin politik të frikësuar të Ramës, pra nuk do të votojnë tellallët, montazhet televizive dhe bedelët me çmim të lirë, që shëtisin sa nga tarracat e Bashkisë së Tiranës, aq edhe në podiumin e një PS-je që nuk ekziston më dhe që në vend të flamurit të saj ka sot xhufkat ylberike të imponuara nga ikanaku.
Debati është i paevitueshëm.
E di mirë dhe për këtë nuk më duhet konfidencialiteti për ta konfirmuar që Ilir Meta do të jetë atje në atë debat, se ashtu siç është në të gjithë konceptimin e tij të drejtpërdrejtë dhe të hapur të politikës, ai e ka bërë publike pa asnjë ekuivok këtë dhe do të marrë pjesë pa asnjë diskutim.
Nuk e di çdo të bëjë Berisha, megjithatë një mendje më thotë që duke qenë një politikan i vjetër, që e di mirë dhe e ka provuar në lëkurën e tij çdo të thotë të ikësh, pra të mungosh, them se edhe Berisha do të jetë në debat.
Por a do të jetë Rama në këtë debat?
Për çka bërë në politikë Rama, se si ka denatyruar PS-në dhe shërbimin e vyer të saj ndaj kombit, duke e hedhur poshtë e nëpërkëmbur atë, se si ka shkelur Kushtetutën, vepër madhore e socialistëve të ndershëm, se si ka shkelur me këmbë çdo marrëveshje mes të majtëve, se si e ka betonizuar Tiranën dhe se si i ka dhënë gjithçka që donte Berishës, për të gjithë këto arsye e qindra të tjera them se Rama nuk do të ketë kurajo të shkelë në një debat të tillë.
Por të gjithë e dimë se asnjë fitore nuk arrihet nga larg dhe me montazhe televizive për luftëra dhe fitore imagjinare, por në fushë të betejës dhe kush mungon është i humburi i sigurt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›