Pas shkarkimit të Ylli Pangos, sjellja e politikës dhe e medias është e gabuar
Raste si ky i Pangos në botë kanë ndodhur shumë. Të përafërta, të njëjta apo të tërthorta, formula e tyre i ka mbushur librat e politikës, artit e kinematografisë. Por sigurisht, në një shoqëri si kjo e jona dhe duke qenë premierë në vendin tonë, shkakton një tollovi tek të gjithë, duke përfshirë edhe vetë protagonistin.
Por nëse, në këtë histori, reagimi moral i qeverisë ishte i shpejtë, i saktë dhe në përputhje me mendimin më të kultivuar, goditja pas këtij momenti dhe instrumentalizimi i kësaj ndodhie ka qenë i gabuar dhe vë në pikëpyetje - gjatë acarimit - historinë, që nga fillimi. Pra, nëse kemi një pranim të fajit dhe një ndjesë publike nga protagonisti, duhet që edhe pala tjetër, të reagojë në përputhje me standardin e shoqërive të lira e të hapura, në përputhje me parimet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Edhe vrasësit serialë kanë të drejtën e mbrojtjes, ligji dhe shoqëria u krijon atyre mundësinë e shprehjes, të mbrojtjes dhe të pohimit sipas mendimit të tyre. Jo më një rast i tillë, ku për hir të së vërtetës, episodi ndahet në dy pjesë, në shtëpi dhe në zyrë, e që ka më shumë nevojë për qetësi e gjakftohtësi në analizë e në gjykim. Sepse, nuk është e njëjta gjë dhe nuk mund të shërbejë e njëjta analizë, si për rastin kur vajza vjen në shtëpi në orët e natës, në katin e katërt, ashtu edhe kur vjen në zyrë. Në shtëpi, për të gjitha ngjarjet e episodet, deri edhe tek vrasjet, edhe në Kodin Penal ka cilësime të posaçme ligjore, dhe të tjera cilësime ligjore ekzistojnë për zyrat dhe abuzimin brenda tyre. Në mosha të tilla, vajtja në shtëpi konsiderohet si një akt i vullnetshëm dhe stimulant për rrethanat si këto që kanë ndodhur. Kurse në zyrë, është një gjë krejt tjetër. Përgjegjësia kalon nga zyrtari protagonist i kësaj çështjeje.
Gjithsesi, shoqëria me emancipimin e saj nuk duhet të sillet në mënyrë talebanike dhe të të kujtojë primitivizmin e ndëshkimit e të dhunës mediatike që shfaqin regjimet fondamentaliste. Por media këtu tek ne, në një pjesë të saj, ka mendësi të mirëfillta komuniste, se komunizmi në këtë fushë si mbjellës i prostitucionit themelor të njeriut, fshihet pas luftës për mbrojtjen e virgjërisë. Përpos që në rastin konkret, opozita përpiqet “që të nxjerrë ndonjë lek” me një kryetar që këto episodet e Pangos i ka të përnatshme dhe me një biografi të mirëfilltë të një prostituimi maniak. Kujton i ziu se një rast si ky në fjalë, do t’i japë të ardhura elektorale.
Zoti Rama, ky banor i Pezës, nuk do mund të marrë kurrë nga rasti Pango të ardhura elektorale, se do të jetë e furishme përgjigja, për vetë jetën dhe konceptet e tij në fushën e moralit, sjelljes qytetare, respektit për publikun dhe për normat e shoqërisë. Në qoftë se ka ndonjë shkelës të vërtetë të normës morale, njerëzore, shoqërore e ligjore në këtë fushë, ky është Edi Rama.
Kuptohet që pas një rasti të tillë si ky i Pangos, shkarkimi nuk është fshirje nga defteri i njeriut, është mundësia, qetësia, për të mbledhur e analizuar, si dhe krijimi i një konteksti sa më sqarues e plotësues, por një shoqëri të mençur dhe një media të matur e të emancipuar, që nuk e shndërron veten në skuadër pushkatimi. Janë vetëm vendimet gjyqësore në shoqëritë e lira ato që kanë prerjen e fundme të sjelljes së shoqërisë dhe të vetë shtetit. Abuzimi me gabimin në këtë rast rrezikon të çojë në një degradim të vetë vlerave të opinionit shoqëror dhe atij mediatik.