O Edvin, nuk u kuptua, po Planin Urbanistik kur do ta dorëzosh?!

Edvin Rama, doli dje para gazetarëve në monologun e radhës, d. m. th.:, lexoi atë që kishte të shkruar në letër dhe si gjithmonë, i kompleksuar nga frika e pyetjeve të gazetarëve, bëri ngërdheshjen e radhës dhe iku.
Iku, pasi foli shumë dhe s’tha asgjë.
S’tha asgjë për akuzat e disa orëve më parë që Kryeministri ripërsëriti për mbajtjen peng të Planit Urbanistik dhe pasja frikë e Kryebashkiakut Edvin Rama, për dorëzimin e këtij plani
“Tirana është modeli më i shëmtuar, jo vetëm që nuk legalizohen shtesat e pallateve, por sot nuk dorëzohet Plani Urbanistik i kryeqytetit i financuar tërësisht nga Banka Botërore. Pse nuk dorëzohet plani? Nuk dorëzohet plani se llokmat e tij duhet të gopësiten dhe të ndahen në klane qartësisht të lidhura kokë e këmbë me kryetarin e bashkisë...”.
Kjo ishte një pjesë e akuzës që Kryeministri i Shqipërisë artikuloi në adresë të Kryebashkiakut të Tiranës.
Pas kësaj Edvin Rama, me urgjencë lajmëroi mediat nën pretekstin se do i jepte “përgjigje” akuzave të Sali Berishës.
Por e dini ç’ndodhi?
Kryebashkiaku i Tiranës doli para gazetarëve, jo për t’ju “përgjigjur” akuzave të Kryeministrit për pengmarrjen e Planit Urbanistik, por për t’ju dhënë atyre “sihariqin” se, “për akuzat dhe shpifjet sotme e të nesërme ndaj Bashkisë së Tiranës e meje personalisht, Sali Berisha do ta marrë përgjigjen jo nga unë, po nga qytetarët e qytetaret e Tiranës e të të gjithë Shqipërisë, në 28 qershor kur Shqipëria do të mbyllë kontratën me të e me Partinë Demokratike dhe do të lidhë një kontratë të re për një rrugë të re, me koalicionin e bashkimit të ri për ndryshim”.
Kaq ishte “përgjigja” e Edvin Ramës për Sali Berishën.
Pas kësaj “përgjigje”, e tipit “sa për të larë gojën”, ndërsa është e kuptueshme se Edvin Rama, nuk ka realisht çfarë justifikimi të japë për mosdorëzimin e Planit Urbanistik të Tiranës, dorëzimi i tij i mundshëm ka një perspektivë edhe më të errët e të paqartë.
Ndërsa ai dje, ndonëse doli nga foltorja e Bashkisë së Tiranës, nuk linte dyshimi se fliste si Kryetari i Partisë Socialiste, “premtoi” se “përgjigjen” për Kryeministrin do e japin qytetarët anë e kënd vendit në 28 qershor, sërish la pa sqaruar në se në 28 qershor 2009, ai do e dorëzojë Planin Urbanistik, sigurisht po fitoi?
Po mirë, po nuk fitoi, sikurse janë edhe gjasat, çdo të bëjë Edvin Rama me Planin Urbanistik?
Mos ndoshta do të presë 28 qershorin e vitit 2013..., 2017..., 2021..., etj., etj., jo për ta dorëzuar Planin Urbanistik, por për ti lënë kohë vetes në kushtet e mospasjes së argumenteve për (mos)justifikimin e mosdorëzimit të këtij Plani Urbanistik.