E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas shtetit, KLSH nis kontrollet te biznesi

Prej kohësh ka nisur një debat mes grupeve të interesit që përfaqësojnë biznesin dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit. Bëhet fjalë për monitorimin e punës që kryen Drejtoria e Tatimeve në kontrollet që ushtron ndaj biznesit. KLSH ka konstatuar shkelje nga tatimet për vlerësimin që u bën bilanceve të biznesit, duke sugjeruar rishikim të tatimit dhe ndëshkimin me gjobë. Për këtë shkak, Bashkimi i Dhomave të Tregtisë e këshillon KLSH-në të mos ndërhyjë në punët e biznesit, pasi këtë funksion e luan organi tatimor.

Sipas të dhënave nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë, janë mbajtur 105 procesverbale të cilat kanë çuar në penalizimin e padrejtë të biznesit, për detyrime gjatë viteve 2005, 2006, 2007 dhe 2008. Vetëm për një rast të vërtetuar nga biznesi, KLSH ka kërkuar pas 24 ditësh me vonesë rivlerësimin e bilancit për një shoqëri private. Në një rast që i referohet muajit maj, biznesit i është kërkuar nga KLSH pagimi i taksave me vlerë rreth 16 milionë lekë, pasi nuk ka paguar si duhet detyrimet, në një kohë që vlerësimi tatimor e kundërshton një fakt të tillë. Pikërisht për këtë arsye reagon biznesi, pasi e shikon rolin e KLSH-së të padrejtë. Nga ana e saj, KLSH shpreh se ligji ia lejon të kontrollojë edhe bizneset, të cilat kanë pasur ndikim në funksionin e institucioneve shtetërore.

Por Bashkimi i Dhomave të Tregtisë jep një tjetër argument. Sipas pikës 1 të nenit 14 të ligjit Nr.9920, datë 19.05.2008, "Për procedurat tatimore në RSH", Administrata Tatimore është autoriteti i vetëm tatimor në Republikën e Shqipërisë, çka do të thotë që asnjë punonjës i KLSH-së apo Auditit nuk ka të drejtë të komunikojë apo verifikojë dokumentacionin dhe mjediset e tatimpaguesve (biznesit). Një tjetër nen i ligjit thotë se dokumentacioni dhe informacioni i tatimpaguesve është konfidencial. "Penalizimi i biznesit nga ana e KLSH-së, aq më tepër në kohë krize, po i shkakton kosto të panevojshme biznesit, ndërkohë që këto detyrime janë paguar", shprehet me shqetësim Bashkimi i Dhomave të Tregtisë. Ato kërkojnë nga Tatimet dhe Doganat që të reagojnë drejt në mbrojtje të kompetencave të tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›