E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qarkorja, infermierët "zbardhin" detyrimet dhe të drejtat e tyre

Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë ka nxjerrë një qarkore të posaçme, në të cilën saktëson detyrat, përgjegjësitë, por edhe të drejtat e kësaj kategorie të bluzave të bardha, në mënyrë që ata të mos viktimizohen apo të penalizohen pa të drejtë.

Kjo qarkore, sipas përfaqësuesve të Urdhrit të Infermierëve, përmban edhe shpjegime të sakta mbi marrëdhëniet korrekte që duhet të krijojnë infermierët me kolegët e tyre mjekë. Por këtu nuk lihen pa përmendur edhe marrëdhëniet me drejtuesit e institucioneve. Kjo lidhur me detyrimin për dokumentimin korrekt në bazë të rregullave institucionale të të gjitha veprimeve dhe mosveprimeve të tyre.

Urdhri i Infermierëve pohon gjithashtu se këtë qarkore e ka shpërndarë për të gjitha degët dhe ky dokument u drejtohet të gjithë urdhrave rajonalë, për të gjithë anëtarësinë e infermierëve në Shqipëri. Kjo me pretendimin "për t‘i bërë me dije të gjithë infermierët e Shqipërisë mbi kujdesin korrekt që duhet të tregojnë gjatë punës së tyre të përditshme, e cila duhet të jetë e shoqëruar me një nivel të lartë profesional në të gjitha rastet ndaj pacientëve", thuhet në qëndrimin zyrtar të këtij organizmi.

Një dokument i tillë u detyrua të hartohej pas ngjarjes tragjike në spitalin e Korçës, ku një fëmijë u nda nga jeta pas pickimit nga gjarpri dhe për pasojë u shoqëruan nga policia një mjek dhe tre infermierë lidhur me këtë çështje.

"Urdhri i Infermierit bën me dije se po analizon me vëmendje të veçantë zbatimin me korrektësi të standardit të kujdesjeve nga infermierët, të cilët janë anëtarë të institucionit të tij", theksojnë në qëndrimin e tyre drejtuesit e këtij organizimi. Sipas tyre, UISH është duke analizuar mënyrën e zbatimit dhe të pritjes, të kujdesit dhe të trajtimit të të sëmurit, në përputhje me kërkesat profesionale dhe rregullat institucionale. Por edhe zbatimin me korrektësi të kodit etik-deontologjik të infermierëve dhe meqenëse problemi në fjalë tashmë ka kaluar në organet e drejtësisë, do të presë mbylljen e hetimeve nga organet kompetente të drejtësisë dhe marrjen prej tyre të vendimeve përkatëse.

Ata shprehen më tej se Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka në misionin e tij mbrojtjen e pacientit nga kequshtrimi i profesionit të infermierëve. "Duke i qëndruar besnik këtij misioni, UISH siguron se do të mbajë një qëndrim korrekt në përputhje me ligjin, statutin dhe kodin etik-deontologjik. Për çdo pakujdesi dhe moszbatim të kompetencave, do të mbahet qëndrimi përkatës", theksohet në këtë deklaratë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›