Durrës, përgjimet për vrasjen e Arjan Saliut, zbuluan trafikun
TIRANE – Hetimi i dosjes penale me shtatë persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge ka filluar menjëherë pas vrasjes së shtetasit Arjan Saliu në Durrës, më 1 shtator 2008. Viktima ishte vëllai i Klodian Saliut, person i vrarë në vitin 2005, ndërsa ishte akuzuar si anëtar i një prej dy klaneve të bandës së Durrësit. Menjëherë pas vrasjes së vëllait të Klodianit, Arjan Saliu, Policia dhe Prokuroria e Durrësit në kuadër të hetimeve për këtë ngjarje, vendosën në përgjim një rreth personash të dyshuar. Mes këtyre personave të dyshuar kanë qenë edhe disa nga të arrestuarit e djeshëm gjatë operacionit “Ura”. Ndërkohë njëri prej këtyre të arrestuarve, pikërisht shtetasi Edmond Taulla ishte arrestuar në dhjetor 2008, për akuzën e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë, vepër penale për të cilën u lirua më pas. Megjithatë, pas fillimit të përgjimeve për zbardhjen e vrasjes së Arjan Saliut, në këto biseda hetuesit kanë mësuar se personat që po përgjoheshin kryenin trafik heroine, nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Bisedat janë dokumentuar dhe pasi personat e përgjuar kanë dalë të pa implikuar në vrasjen e Arjan Saliut, dosja është ndarë më vetë për akuzën e trafikut të drogës dhe është përcjellë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Kjo e fundit ka vazhduar hetimet 2-vjeçare ndaj personave të implikuar, duke i hetuar ata për kryerjen e veprës penale trafik heroine nga Shqipëria në Itali. Gjatë hetimit mësohet se është dokumentuar nisja e dy ngarkesave me heroinë nga Shqipëria dhe trafikimi i tyre në rrugë tokësore në drejtim të Italisë. Pas mbledhjes së provave të nevojshme, javën e kaluar Prokuroria ka kërkuar në gjykatë autorizimin për arrestimin e gjashtë personave, ndërsa ka ngritur akuzën e re për trafik droge ndaj shtetasit Endrit Dokle. Të arrestuarit e djeshëm mësohet se kanë lidhje me anëtarët e “Bandës së Durrësit”. I arrestuari Edmond Taulla, sipas prokurorisë, është i afërm i shtetasit Indrit Taullai, i cili është arrestuar tri vjet më parë me akuzën e pjesëmarrjes në krimet e “Bandës së Durrësit”, i pandehur tashmë si anëtar i këtij grupi kriminal.