Genc Tukiçi - Historitë e divorcit, tre gra
Sonila Merolli
“Një grua është si një lule; duhet çdo ditë me ja ba hyzmetin, përndryshe lulja ose vyshket, ose kërkon ujë diku tjetër; kollaj me e pas, vështirë me e majt”. Ndonëse kanë kaluar shumë vite qysh atëherë, Genc Tukiçi, mban ‘vëth në vesh’ shprehjen që i pat mësuar i ati, këngëtari i madh Ibrahim Tukiçi. Në fakt, jo rrallë e sheh jetën e tij të zbërthyer në leksionin e mësipërm. Sa i takon ‘hyzmetit’ karshi femrave, pianisti pohon se nuk është kursyer kurrë, ama për të ndenjur gjatë me to, e ka të vështirë. Andaj në jetën e tij të deritanishme numëron dy divorce, fillimisht me një shqiptare, më pas ‘ra në grackën’ sharmante të francezes, ndërsa po teston bashkëjetesën me një muzikante japoneze...
Po të kishte qenë në dorë të tij do kishte zgjedhur të martohej vetëm njëherë. Më shumë se çdo gjë, ai ka dashur të përjetojë për së gjalli shprehjen “U plakshim bashkë!”. Por ja që jeta i erdhi ndryshe. Ndoshta ngase ashtu ishte shkruar, ndoshta nga mungesa e kompromiseve me pasionin kur ai shuhej, por nuk mohon edhe gabimet e një të riu të papjekur. Artisti tregon për jetën në Paris, për raportet e tij me femrat, si dhe kontradiktat që kanë lindur, duke dashur të mbetet, ai joshësi i përjetshëm....
çfarë duhet të ketë një grua që të tërheqë vëmendjen tuaj?
Mund ta përshkruaj gjatë me fjalë, por do të dukesha përsëritës. Ajo çka më tërheq është një bukuri misterioze dhe e natyrshme.
A ia keni dalë ta zbuloni misterin e femrave, që kanë mbushur jetën tuaj?
Mendoj se misteri tek një grua duhet të mbetet i tillë. Por kur fjala është për gratë që më kanë tërhequr dhe që kam dashur; në këtë rast, misteri nuk ka më vend, pasi çdo gjë zbulohet pak e nga pak.
Tek femrat që ju tërheqin, ju ka ndodhur të kërkoni modelin e nënës, qoftë edhe tiparet e saj fizike?
Mamaja ime ka qenë shumë e bukur, e butë, në të njëjtën kohë dhe inteligjente. Pa vetëdije jam i tërhequr nga femrat e këtij tipi; brune me flokë të gjatë. Natyrisht më pëlqejnë edhe biondet dhe kuqet, por anoj nga brunet.
çfarë e mban një lidhje?
Personalisht, pranoj vetëm një raport shumë pasionant, në mos më mirë preferoj të jem vetëm. Nuk ia vlen të mbash një marrëdhënie, nëse mbaron pasioni. Ndërsa për sa i takon jetëgjatësisë në një marrëdhënie, babai më ka mësuar se: “një grua është si një lule; duhet çdo ditë me ja ba “hyzmetin”, përndryshe lulja ose vyshket,ose kërkon ujë diku tjetër; kollaj me e pas, vështirë me e mbajt”. Jetëgjatësia ka edhe shumë faktorë të tjerë, por eksperienca ime, më ka mësuar se është shumë e vështirë të ruash një marrëdhënie apo të sakrifikosh pafund për hir të saj. Aq më pëlqen kur kërkon të jesh një joshës i përjetshëm.
Ju keni joshur shumë femra?
Më parë kam qenë dy herë i martuar, të dyja marrëdhëniet dështuan, kësisoj erdhën divorcet. Gruaja e parë ishte shqiptare. E dyta ishte franceze, dhe sërish erdhi divorci. Ndërsa prej vitesh bashkëjetoj me një muzikante japoneze. Tani jam i lirë, duke mos qenë në të njëjtën kohë vetëm. Në dukje është vështirë për ta shpjeguar, sepse nuk kam një status si të gjithë. Tek e fundit kam statusin tim, jam i lirë.
Po thoni se institucioni i martesës ju kufizon lirinë?
Martesa më pëlqen, por kam vendosur t’i provoj vetes që një relacion, një çift mund të bashkëjetojnë edhe pa forcën e martesës si institucion.
Pas dy divorceve dhe një bashkëjetese, jeni i kënaqur me statusin ‘e joshësit’ të përjetshëm?
Nuk jam për kompliment! Po të varej nga mua, do të kisha zgjedhur një marrëdhënie të qëndrueshme. Do të doja të martohesha vetëm njëherë, siç është tradita shqiptare, me urimin “u plakshi bashkë”. Por ja që jeta ime, e ka dashur ndryshe, dhe për këtë më vjen vërtet keq.
çfarë nuk shkoi siç duhet në marrëdhëniet tuaja të mëparshme?
Janë një sërë faktorësh që më çuan të merrja vendime të këtilla. Më lart përmenda se në një çift, kur shuhet pasioni është e kotë që të rrinë së bashku. Më tej, mendoj se kam qenë shumë i ri dhe nevrik, pa eksperiencë dhe tejet i ndjeshëm. Kam gabuar por mendoj se kam mësuar nga gabimet e mia. Për shembull tani jam i më i qetë, pasi babai më ka mësuar gjithashtu, se vullkanin që kam në shpirt, ta jap aty ku unë jam më i fortë, në muzikë.
Gjithnjë jeni diktuar nga pasioni në vendimet tuaja karshi femrave?
Jam pasionant, përndryshe nuk do isha ndarë. Gjithsesi, për të zgjedhur një shok në jetë, nuk është një lojë fëmijësh. Pasionit të madh i bashkëngjitet një reflektim i thellë, si dhe liria karshi njëri-tjetrit, përndryshe ngelet një histori pa të ardhme. Më pas është koha ajo që tregon.
Sa i rëndësishëm është përkimi profesional në një çift? Në rastin tuaj, me orë të gjata provash në tastierën e pianos, ju ka penalizuar në jetën në çift?
është vështirë të ndash jetën me një muzikant. Zanati, që kam kërkon një status si student i përjetshëm. Në këtë kontekst, më e mira do të ishte, të kesh pranë dikë në të njëjtin profesion. Megjithatë, nuk është kryesorja, pasi dy nga tre gratë e mia, kanë qenë dhe janë muzikante, por ja që nuk u puqëm... Prapëseprapë, femrat ‘vdesin’ për arinjtë që rrinë të mbyllur në strofull, kështu nuk mendoj se profesioni më ka penalizuar.
Divorci? Jo më një tabu
Tanimë nuk është më një tabu. Këshillat e lagjeve, apo organizatatat bazë të partisë nuk mblidhen më për të bindur çiftin që të rrijë i bashkuar me çdo kusht. Vetëm në ditët e para të muajit maj janë rregjistruar 44 kërkesa për divorc në Gjykatën e Tiranës, ndërsa prej janarit 822 syresh. Jo thjesht dhe vetëm për shkak të problemeve në çift, por edhe sepse dashuria mbaron, dy bashkëshortë vendosin t’i japin fund lidhjes së tyre. Si popull gjaknxehtë që ka jetuar gjatë mes paragjykimesh, shumë herë bashkëshortët u kthejnë shpinën njeri-tjetrit dhe i presin kontaktet mes tyre, por ka edhe nga ata që vendosin të ndahen në mënyrë paqësore. Dhe kjo është forma që shkakton edhe më pak trauma tek fëmijët. Artistët Gennc Tukiçi dhe Natasha Bega i kanë kaluar këto situata. Madje jo nga një herë. Pianisti Tukiçi numëron dy divorce një me një shqiptare, një me një franceze dhe tanimë bashkëjeton me një grua japoneze. Ndërsa piktorja Bega është e divorcuar dhe bashkëjeton me partnerin e saj prej 14 vjetësh. Ndërkohë e konsideron ish-bashkëshortin si pjesë të familjes së saj.
Tukiçi, dinastia vazhdon...
Nëse në aspektin sentimental e ka pasur të zorshme të gjejë karar, si baba i katër fëmijëve, Genc Tukiçi shprehet me plot gojën se nuk ka të sharë, përkundrazi është roli të cilin e ka përmbushur më së miri. “Jam babai më i mirë në botë. është i vetmi kompliment qe i pranoj vetvetes. Për mua fëmija është fryt i dashurisë dhe i jep marrëdhënies dritë. është si një pemë që jep fruta të mira”, pohon artisti, i cili ka dy vajza dhe dy djem, me barqe të ndryshme. Nga martesa e parë, pohon me krenari se ka ardhur në jetë Majku, tashmë 20 vjeç, i cili banon në Romë. “E kam edhe djalë dhe shok, pasi flasim për çdo gjë. Ai është më i pjekur për moshën që ka. është i gjatë, simpatik, dhe studion për shkenca politike, pasi dëshiron të bëhet diplomat”, shprehet Tukiçi. Ndërkaq, e dyta në radhë vjen siç e quan ai ‘e ëmbla Matildë’, 13-vjeçarja, nga martesa e dytë me gruan franceze, për të cilën rrëfen se është fëmija me të cilën kuptohet pa shumë fjalë. “Matilda është vajzë shumë sensibël, e bukur, me sharm francez dhe e rezervuar, në të njëjtën kohë”. Ndërkaq, nga bashkëjetesa me muzikanten japoneze Genc Tukiçi ka edhe dy fëmijë të tjerë; Nadia, 8-vjeçaren japoneze me karakter shqiptar, që flet shumë mirë shqip dhe mbi të gjitha është e vetmja për momentin që studion piano, duke ndjekur gjurmët e të atit. Djali i pleqërisë, Abrahami sapo ka mbushur 4-vjeç, ngjall emrin e të atit. ëndrra e njëkohësisht kërkesa e babait tim, ka qenë që një nga djemtë të bëhet këngëtar si ai. Shpresoj që Abrahami të bëhet këngëtar i madh si gjyshi. Imagjinoni një japonez që këndon bukur dhe quhet Abraham Tukiçi, dinastia vazhdon...”. Me gjithë këtë, merita më e madhe që i njeh vetes, është që fëmijët e tij e duan njëri-tjetrin. “Fëmijët e mi, takohen disa herë në vit me njeri-tjetri, dhe e duan shumë njëri-tjetrin, si të thuash ndjejnë erën e gjakut që i bashkon. Në tavolinë flitet rreth katër gjuhë, por ngaqë duhemi shumë, kuptohemi shumë mirë”.