E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasagjerët mund të jenë ngrënë nga peshkaqenët

Rio de Zhaniero - Forcat braziliane të mbrojtjes kanë filluar nxjerrjen e pjesëve të avionit “Air France” nga thellësitë e Oqeanit Atlantik. "Jemi duke nxjerrë pjesët e avionit", deklaroi gjenerali Ramon Borges Cardoso. Ai shtoi se pjesët e gjetura do të dërgohen në Francë, ku autoritetet e këtij vendi janë ngarkuar me hetimin e kësaj tragjedie.

"Nëse do të kishte të mbijetuar, ata do të gjendeshin medoemos në afërsi të mbetjeve të avionit, theksoi zëdhënësi i ushtrisë, në një konferencë shtypi në lokalitetin Recife (në verilindje).

Ndërkohë, ministri brazilian i Mbrojtjes, Nelson Jobim, deklaroi se trupat e viktimave mund të jenë ngrënë nga peshkaqenët.

Ministri ka kujtuar se trupat e të mbyturve nga 48 orë deri në 6 ditë dalin në sipërfaqe, për shkak të gazrave të prodhuar nga organet e brendshme gjatë dekompozimit.

Gazeta franceze “Le Monde” shkruan se shkaku i aksidentit mund të ketë qenë shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonte avioni nga Rio de Zhaniero për në Paris.

"Ka shumë mundësi që për shkak të shpejtësisë tepër të madhe, avioni është copëtuar që në ajër. Mbetjet e shpërndara në një hapësirë prej 300 kilometrash janë një provë për këtë", shkruan "Le Monde".

Aksidenti tragjik i rrëzimit të avionit me 228 persona në bord ndodhi ditën e hënë, kur ai ishte nisur nga Rio de Zhaniero për në Paris.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›