Pasaniku i futbollit

David Beckham është kryepasaniku i futbollistëve. Ylli anglez i futbollit përfiton 36 milionë euro në vit, 90 për qind e tyre nga marketingu. Prapa veteranit të PSG-së gjendet Lionel Messi, me afro 35 milionë, përfshirë këtu rrogën dhe reklamat, kurse i treti përfundoi sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, me afro 30 milionë.
Do të jenë kundërshtarë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, por në rundin e parë, në nivelin e parave, fitues është David Beckham. Mesfushori i Paris Saint Germain udhëheq në listën speciale të revistës franceze ‘France Football’ përpara Lionel Messit.
‘Spice Boy’ e ka lënë prapa yllin e Barcelonës, duke përfituar plot 36 milionë euro në vit, 90 për qind e tyre falë sponsorëve, duke pasur parasysh se rroga e tij në gjigantin francez është 1,7 milionë euro për gjashtë muaj, të cilave mund t’i shtohen edhe 1,3 milionë nga premitë, transmeton Express.
Messi këtë vit duhet të kënaqet me pozitë ne dytë – 12,5 milionë euro rroga vjetore plus 22 milionë nga sponsorët. Podiumi kompletohet nga Cristiano Ronaldo, me rrogën 13 milionë dhe me reklama 16,5 sosh, me afro 30 milionë në përgjithësi.
Pozita e katërt i takon kamerunasit Samuel Eto'o, i cili e ka rrogën rekorde prej 20,5 milionë, plus 3,5 nga sponsorët, i ndjekur nga talenti brazilian Neymar (7 milionë rroga dhe 12 nga sponsorët).
Vendi i gjashtë i takon sulmuesit të Manchester Cityt, Sergio Aguero (19 milionë euro në përgjithësi), përpara Wayne Rooney (18), Zlatan Ibrahimovic (17,5) e Yaya Toure' (16,6). Top 10 mbyllet nga Fernando Torres (16,3 milionë).
Mourinho, trajneri më i paguar në botë
Jose Mourinho është trajneri më i paguar në botë, sipas 'France Football'. Në listën e fundit të kësaj reviste, trajneri portugez thuhet se merr 14 milionë euro në vit, 12 prej tyre rrogë dhe 2 të tjera nga marketingu.
Trajneri i Real Madridit e ka kaluar italianin e PSG-së, Carlo Ancelotti, i cili e mban pozitën e dytë me 12 milionë euro, 1,5 më pak se në vitin 2012. Italiani tjetër që e udhëheq ekipin kinez Guangzhou Evergrande, Marcelo Lippi, paguhet 11 milionë euro dhe e mbyll podiumin e edicionit të kaluar.
Holandezi Guus Hiddink, që e udhëheq ekipin rus Anji Makhatchkala, është i katërti me 10,8 milionë, kurse i pesti është trajneri i Liverpoolit, Kenny Daglish me 10 milionë euro.
Top 10 e trajnerëve më të paguar kompletohet nga francezi i Arsenalit, Arsene Wenger (9,4 milionë), selektori i Rusisë, italiani Fabio Capello (9,2), trajneri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, trajneri i Manchester Unitedit, Alex Ferguson dhe selektori i Kinës, José Antonio Camacho, me nga 6,1 milionë. /Indeksonline/