E Shtunë, 31 Tetor 2026

Narkovizita e Edvinit nuk ndal dot ndarjen e PS-së

Formalizohet grupimi anti-Rama. Dje kanë nisur takimet zyrtare për formatin e ri që do të drejtojë PS-në. Grupimi ka përcaktuar një kalendar pune, që do t’i konfirmojë shumicë në kongresin e 29 gushtit, por edhe do të sanksionojë përjashtimin e Edvinit nga rikandidimi dhe zgjedhjen e kryetarit të ri sipas parimit “një anëtar – një votë”, brenda këtij viti


TIRANE - Në një kohë kur Edvini është në kulmin e narkovizitës së tij në kontinentin amerikan, grupi kundërshtar ka nisur në Tiranë, takimet e para intensive për Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, ku synohet të përgatitet terreni që do ta bëjë më të lehtë largimin përfundimtar të Edvinit nga Partia. Qëllimi i këtij takimi, lidhet me rënien dakord për një qëndrim të përbashkët, për të detyruar Edi Ramën, të lejojë votimin për zgjedhjen e kryetarit të ri të PS-së, nëpërmjet parimit “një anëtar-një votë”. Dyshimet e para, flasin për një mundësi të Ramës, që ta shmangë votimin për rikandidimin e tij, nëpërmjet një “mocioni besimi”, në kongresin e 29 gushtit. Nga ana e tyre, nëpërmjet këtij qëndrimi të cilin e kanë diskutuar edhe dje, drejtuesit anti-Rama të PS-së, kanë gati edhe mënyrën se si do t’i bëjnë rezistencë mosrikandidimit të Edi Ramës, për postin e kryetarit të partisë. Burime pranë këtij grupimi bënë të ditur për gazetën “55”, se është parashtruar projekti i grupit kundërshtar të Ramës, i udhëhequr nga anëtari i kryesisë Ben Blushi, për strukturimin e Partisë Socialiste dhe kthimin e besimit tek socialistët e thjeshtë në vend. Sipas projektit të ri, në bazë të të cilit do të drejtohet Partia Socialiste në të ardhmen, nuk përfshihet në të Edi Rama, madje, për të është rezervuar largimi pa kushte nga PS dhe njëherazi, heqja e çdo mundësie statusore, për një rikandidim të mundshëm në Kongresin e Jashtëzakonshëm më 29 gusht. Grupi i mbështetësve të Ben Blushit është mbledhur dje në selinë e kryesisë te zyra e nënkryetarit të Parlamentit, Ylli Bufi për të diskutuar dhe vendosur mbi ecurinë dhe zhvillimet e mëtejshme me bazën socialiste. Në këtë takim të pranishëm ishin Ben Blushi, Kastriot Islami, Anastas Angjeli, Elmaz Sherifi, anëtarja e kryesisë Saemira Pino, Eva Allushi, Edlira Haxhiymeri, Rrapush Tola e të tjerë. Temë e diskutimit ka qenë ndarja e zonave dhe diskutimi që do të bëhet me delegatët në kuadër të kongresit të 29 gushtit. Anëtarët kanë vendosur që të zhvillojnë takime intensive dhe diskutime me të gjithë delegatët në mënyrë që në kongres të ketë një numër të madh përfaqësuesish të cilët do të kërkojnë mos kandidimin e Edi Ramës. Udhëheqësi i këtij grupimi, Ben Blushi nga ana tjetër ka deklaruar se Edi Rama nuk duhet të rikandidojë për postin e kryetarit të Partisë Socialiste pasi ai është humbës i zgjedhjeve. Pasi Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste votoi rezolutën e Edi Ramës dhe rrëzoi rezolutën e Ben Blushit, ky i fundit ka nisur punën me bazën dhe grupin e mbështetësve në kryesi për të shkuar të përgatitur dhe me një platformë të qartë në Kongresin e 29 gushtit. Pak ditë më parë, gjatë një emisioni televiziv, Ben Blushi prezantoi platformën e tij, për një PS konstruktive dhe të besueshme për shqiptarët. Sipas tij, PS ka nevojë për konsulta dhe projekte që duhen shtrirë në tre linja: Largimin e PS nga duart e një individi autokrat; Të jetë një parti e disa forumeve të zgjedhura dhe jo vetëm e një njeriu; Që dy të parat të jenë të besueshme dhe PS të largohet nga koncepti përtej së majtës dhe së djathtës dhe të synojë një të majtë të re. Sipas Blushit, për legjislaturën e re parlamentare, PS ka nevojë për ‘cilësi’, e cila mund t’i japë një frymë të re, deri në zgjedhjet lokale, për të bërë një opozitë të frytshme dhe njëherazi të denjë. Kësisoj, Edi Rama është përjashtuar në mënyrë kategorike nga projektet e Partisë Socialiste, që do të përcaktojnë të ardhmen e saj politike në opozitë. Ai nuk njihet më si kryetar i partisë, as deri më 29 gusht, kur do të mblidhet Kongresi, që do të zgjedhë kryetarin e ri. Përgatitjet kanë filluar, Edi Rama nuk do të drejtojë më një parti politike, ndonëse gjithçka pritet të formalizohet në punimet e Kongresit, duket qartë se një rimandatim i Ramës, duket gjithnjë e më i pamundur, pasi socialistët e thjeshtë dhe baza në tërësi, e ka shprehur hapur qëndrimin kundër tij dhe filozofisë apo kauzave politike të përdorura në PS, gjatë këtyre viteve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›