Pasaportat biometrike, Beja: Të sqarohen emigrantët
Kreu i komisionit të jashtëm, Fatos Beja, i ka kërkuar përfaqësuesve të Ministrisë së Jashtme të sqarojnë mirë për qytetarët që jetojnë jashtë vendit për proçedurat që duhet të ndjekin për pasaportat biometrike. Shqetësimi i kreut të komisionit të jashtëm erdhi vetëm pak ditë pasi ka përfunduar afati i përdorimit të pasaportave të vjetra dhe mbajtja në përdorim vetëm e pasaportave biometrike.
Ndërkaq komisioni i jashtëm me votat e mazhorancës dhe opozitës miratoi marrëveshjen, në bazë të cilës Shqipëria do të përfaqësojë Kosovën në shtetet ku ajo nuk ka përfaqësi diplomatike. Në këtë mënyrë shtetasit kosovarë me banim në Greqi, Spanjë, Rumani dhe Egjipt do t`u drejtohen ambasadave shqiptare për tu pajisur me pasaportat kosovare apo për të marrë shërbime të tjera.
Efektet financiare për Shqipërinë në këtë rast do të kenë kosto zero, pasi të gjitha pajisjet dhe materialet do të financohen nga Ministria e Jashtme e Kosovës, ndërkohë që ambasadat shqiptare do të kryejnë vetëm shërbimet.