E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaportat biometrike, fluks aplikimesh në kryeqytet

Në njësitë bashkiake numër 1 dhe 2 në Rrugën e Elbasanit gjejmë radhë njerëzish, të cilët prej orësh presin të aplikojnë për pasaportat e reja biometrike. Mësojmë se një pjesë e mirë e tyre janë emigrantë të ardhur me pushime, të cilët shfrytëzojnë ditët në atdhe për t’u pajisur me dokumentet e reja të identifikimit.
Interesi i qytetarëve apo dhe emigrantëve për t’u pajisur me pasaportën e re biometrike, ka bërë që në sportelet e gjendjeve civile të ketë dyndje dhe deri diku të bëhet i papërballueshëm nga stafi i këtyre njësive. Nga aplikimi për pasaportë deri tek marrja e këtij dokumenti nga aplikuesi do të paktën 15 ditë.
400 mijë shtetas shqiptarë duhet të pajisen me pasaportat e reja deri në fund të 2009. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani ka deklaruar se pajisja me pasporta biometrike është një standart – parakusht për liberalizimin në kohë të vizave për shtetasit shqiptarë.
Deri më tani me këtë pasaportë janë pajisur rreth 80 mijë shtetas, që nga 25 marsi kur në vend nisi procesi i aplikimit. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme numri i personave që aplikojnë në ditë arrin në 2 mijë.
Nga Ministria e Brendshme kemi mësuar gjithashtu se brenda vitit 2010 pasaporta aktuale duhet domosdoshmërisht të zëvendësohet me pasaportat e reja biometrike. Zëvendësimi i tyre pritet të bëhet dhe me një vendim qeverie. Një shtetas shqiptar që aplikon për një pasaportë biometrike duhet që me parë të jetë pajisur me letërnjoftimin elektronik.
Pasaportat dhe kartat e identietit janë mjete identifikimi tërësisht të kontrrollueshme me të gjitha parametrat dhe standartet dhe të një sigurie të lartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›