Pascal Gallet në Tiranë
Pianisti francez, Pascal Gallet, do të jetë në Tiranë më 2 prill për një koncert recital në Akademinë e Arteve. Me rastin e Pranverës Frankofone dhe festimeve me rastin e 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit polak, Frederic Schopin, Gallet do të interpretojë pjesë të ndryshme nga ky kompozitor, por edhe të tjerë si Bach, Debussy, Messiaen, Sancan, Jolivet etj. Pianisti Pascal Gallet u lind në Savoia. Shfaqja e tij e parë në ekran në moshën 10-vjeçare e inkurajoi më tej në rrugën e pianos. Në vitin 1987 ai merr një çmim të parë, që e shtyn të vijojë më tej udhën drejt muzikës. Gallet ka realizuar disa turne nëpër vende të ndryshme të botës, si Kanada, SHBA, Meksikë, Itali, Spanjë, Zvicër, Serbi, Kinë, Tajvan, Japoni, Brazil etj. Ai interpreton në salla të njohura si Gaveau, Theatre du Chatelet, Salla Moliere dhe Opera e Lionit, ku ka luajtur edhe krah personaliteteve më të njohur të muzikës franceze dhe ndërkombëtare. Pascal Gallet i shton repertorit të tij shumë krijime të kompozitorëve si Thierry Pecou, Henri Fourrès, Widmann, Sciortino, Dequing, Jevtic. Ai vlerëson dhe arsimin, ndaj edhe ka zgjedhur të japë mësime të rregullta në një konservator kombëtar. Qysh prej vitit 2001 ai është edhe drejtor artistik i festivalit ndërkombëtar "Piano à Fontmorigny", që zhvillohet çdo vit në Cher. Pianisti francez është vlerësuar tepër edhe nga kritika. Alain Lompech, kritiku muzikor i gazetës “Le Monde” mbi sonatën e 2-të të Chopin të interpretuar prej Gallet, ka thënë: “Sonata, e krahasuar me emra të mëdhenj si Alfred Cortot, Serge Rachmanino, Martha Argerich, Nelson Freire, është një version i shkëlqyer, me gusto të ekuilibruar dhe pa miniera”.
#