E Diel, 1 Nëntor 2026

Alia: Më vjen keq për viktimat e komunizmit

“E konsideroj një gjë të keqe që ka pasur njerëz që kanë shkuar viktima të pakujdesive” Lustracioni është hakmarrje e Berishës, parimisht është gjë e mirë

Ish-udhëheqësit të fundit komunist dhe Presidentit të parë në Shqipërinë multipartiake, Ramiz Alia, “i vjen keq”. Ky është termi i përdorur prej tij kur një gazetar i BBC-Scotland e intervistoi në Tiranë dhe e pyeti nëse e vriste ndërgjegjja, për viktimat e komunizmit.

“Padyshim më vjen keq... më vjen keq dhe e konsideroj një jetë të keqe për ne që ka pasur njerëz që kanë shkuar viktima të pakujdesive të veprimeve të ashpra, të veprimeve të gabuara të disa organizmave tona, qofshin këto organizmat e Sigurimit të Shtetit apo të Partisë”, tha ai.

Disa mijëra vetë humbën jetën gjatë kohës së komunizmit, të ekzekutuar nga organizma të shtetit dhe u groposën në varre pa emër. Njëzet vjet pas rënies së komunizmit, asnjë prej udhëheqësve të kohës, nuk ka shfaqur deri tani shenja pendese. Alia, i cili para se të ngjitej në krye të partisë dhe shtetit komunist, pati qenë ministër propagande për disa dekada, është i pari ish-udhëheqës komunist që pranon se ndihet përgjegjës “për atë çfarë është bërë keq”. Deklarata e tij nuk është një kërkim i plotë faljeje, ndërsa vlerëson si më të rëndësishëm faktin se “nuk është bërë aq sa duhej për zhvillimin kulturor dhe ekonomik të vendit”.

Ish-presidenti beson te Lustracioni, por komenton se nisma aktuale e qeverisë është “një hakmarrje politike”. Beson se Shqipëria nuk ka shumë çfarë të fitojë nga hapja e arkivave të 50 viteve të komunizmit, por shton se së paku për rastet e ekzekutimeve, familjarët e të ekzekutuarve kanë të drejtë të dinë se pse. Përsërit vazhdimisht se e ka shpëtuar Shqipërinë nga gjakderdhja në vitin 1990, kur lejoi ndryshimin e pushtetit pa dhunë, megjithëse përdorimi i këtij termi është relativ për shkak të viktimave në protestën e Shkodrës më 2 prill.

Gazetarët e BBC të Skocisë realizuan një dokumentar mbi gjetjen e Varrit Masiv 313, lajmi për të cilën u publikua për herë të parë në muajin shkurt. Pjesë e dokumentarit qe edhe intervista me Ramiz Alinë.

Mund të na thoni se cili ka qenë roli juaj në periudhën e komunizmit?

Veprimtarinë time e kam filluar që në periudhën e Luftës Antifashiste. Kam qenë partizan dhe njëkohësisht udhëheqës i rinisë komuniste. E kam vazhduar kështu gjatë të tërë periudhës së komunizmit, që pas shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë, ku kam pasur detyra të ndryshme shtetërore dhe partiake. Deri në fund, pas vdekjes së Enver Hoxhës, isha në krye të Partisë së Punës së Shqipërisë, duke qenë njëkohësisht edhe President i Republikës. Viti 1990 ka qenë vit i vështirë për Shqipërinë. Kishte ndodhur rënia e murit të Berlinit dhe në Europën Lindore filluan ndryshimet e mëdha që sollën rënien e shteteve socialiste. Në atë vit ka pasur lëvizje edhe në Shqipëri. Një nga këto lëvizje qe hyrja e rreth 5 mijë të rinjve dhe të rejave, por më shumë të rinj, nëpër ambasadat e huaja. U Zgjidh ky problem duke i pajisur të tërë këta të rinj me pasaporta. Erdhën anije që i morën dhe i dërguan në Itali dhe në vende të tjera të Europës Perëndimore.
Shkuan me pasaporta shqiptare normalisht. Por fundi i vitit ’90 ka qenë edhe si të thuash, fundi i sistemit socialist.

Para se të shkojmë te viti ’90, a mund të na thoni diçka mbi funksionimin e pushtetit në kohën e komunizmit?

Gjatë asaj periudhe kishte vetëm një parti që ishte partia komuniste ose partia e punës e Shqipërisë. Udhëheqësi i saj qe Enver Hoxha. Kryeministri zgjidhej nga parlamenti, por edhe aty Partia e Punës kishte rol të dorës së parë. Kryeministër ka qenë Mehmet Shehu deri në vitin 1982 dhe pas kësaj, u bë kryeministër Adil çarçani. Veprimet e saj i bënte si çdo qeveri tjetër si në çdo vend tjetër. Padyshim kishte konceptet e kohës, të lidhura edhe me pikëpamjet e partisë. Cilat kanë qenë pikëpamjet?! Kanë qenë të tilla që kërkonin zhvillimin e vendit tonë. Të mos harrojmë se Shqipëria doli nga lufta si një vend i shkatërruar tërësisht. Doli një vend i prapambetur nga pikëpamja bujqësore dhe nga pikëpamja e industrisë, bile industri nuk kishte fare. Nëntëdhjetë për qind e popullatës qe analfabete. Shëndeti i popullatës qe për faqe të zezë. Mosha mesatare e jetës ishte rreth 45-47 vjet. Kjo ishte Shqipëria e asaj kohe dhe detyrat që patën qeveritë shqiptare të kohës të udhëhequr nga partia ishin që të zhvillohej ekonomia e Shqipërisë dhe të përmirësohej mirëqenia e popullit. Besoj se nuk është e nevojshme ta them tani, por ka pasur ndryshime të mëdha gjatë të tërë kësaj periudhe që kaloi që nga koha e luftës deri në vitet ’90.

Vijmë në vitet ’90. Pas ndryshimeve demokratike, ju u zgjodhët President i parë. Një epokë e re ku ju ishit prapë kreu i vendit...

Në dhjetor të vitit ’90 filloi lëvizja studentore. D.m.th u ngritën studentët në Tiranë, por jo vetëm studentët, pati lëvizje të të rinjve edhe në Shkodër, Kavajë e vende të tjera. Përpara nesh lindi pyetja nëse duhej nxitur dhe përkrahur kjo lëvizje në mënyrë që të shmangej përplasja popullore, apo duhej shuar.

Unë në atë kohë kisha mendimin që lëvizja duhet përkrahur me qëllim që të evitohej një përplasje masive dhe vendimtare, që do të çonte padyshim në gjakderdhje të madhe. Sepse do të ngriheshin veteranët komunistë nga njëra anë dhe nga ana tjetër, rinia që filloi të kërkonte ndryshimin e sistemit, pra rreziku i një gjakderdhjeje ishte evident. Unë në atë kohë zgjodha rrugën e pajtimit të këtyre forcave pra i hapa rrugë zhvillimit të lëvizjes studentore, për pasojë, rrugës së ndryshimit në vendin tonë.

Gjatë kësaj periudhe ka dalë ligji për Lustracionin dhe ligji për Institutin e Kujtesës. Si i shikoni ju këto ligje?

Po kthehem pak te lëvizja që thashë. Ne zgjidhëm rrugën e pajtimit të forcave. Për pasojë u bënë zgjedhje të lira ku unë u zgjodha President i Republikës. Më 1992 kur u bënë zgjedhjet e reja dhe fitoi Partia Demokratike, unë dhashë dorëheqjen. Gjykova që misioni im mbaroi dhe që Shqipëria duhej të zhvillohej në rrugën e vet. Tani, që nga ajo kohë, desha të theksoj se ka pasur nga ana e qeverive që kanë ardhur, përpjekje për të bërë Lustracion, dhe kanë bërë disa herë rresht. Më 1992 u arrestua e gjithë udhëheqja e mëparshme e Partisë së Punës, duke më përfshirë edhe mua. Unë bëra pesë vjet burg. Pra, ka pasur masa të tilla dhe të tjera në drejtim të Lustracionit. Por kohët e fundit është ngritur sërish kjo çështje nga ana e qeverisë “Berisha” bile ka pasur edhe një vendim që mora vesh se u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Pavarësisht nga kjo, për t’iu përgjigjur direkt pyetjes, mendoj që Lustracioni në çdo kohë është i nevojshëm, sepse gjithmonë ka nevojë që të shihet qëndrimi i njerëzve, sidomos atyre që kanë detyra themelore, për të parë biografinë e tyre, të kaluarën, në mënyrë që të kuptohet nëse janë ata në përputhje me realitetin e sotëm. Në parim jam dakord. Por dua të theksoj që sidomos nga ana e qeverisë “Berisha”, ideja e Lustracionit është përdorur gjithmonë për të marrë hak kundër njerëzve të ndryshëm. D.m.th është përdorur për të dënuar disa njerëz ose disa sektorë të cilët janë bërë pengesë për disa vendime të Berishës. Të tillë ka pasur në fushën e prokurorisë apo gjykatës, sepse p.sh, Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë afërsisht 20 vendime të qeverisë, që i quan vendime antikushtetuese. Dhe sulmi i Berishës është pikërisht ky, për të thënë që këto vendime nga i hodhën poshtë njerëzit e para ’90-s.

Përveç Lustracionit është ngritur edhe një institut për studimin e të shkuarës, krimet e komunizmit. A mendoni se duhet të merret me këtë gjë, të hapen dosjet?

Desha të them një gjë, e para tani e mora vesh për këtë që ka propozuar Berisha (Institutin e Kujtesës). E propozoi Berisha këtë pasi mori vesh që u hodh poshtë Lustracioni dhe njëkohësisht pasi mori vesh që edhe faktori ndërkombëtar e hodhi poshtë këtë ligj. Pas kësaj vendosi të krijojë këtë institutin a ç’është ky. Tani, a ka nevojë për kontroll?! Unë desha të them një gjë, që arkivi i shtetit është i lirë, i hapur. Në arkivin shtetëror janë të gjitha dokumentet e vjetra, të gjitha dhe askush nuk i ka ndaluar që të shikohen.

A ka pasur zhdukje dosjesh gjatë ndryshimit të sistemeve?

Unë nuk jam në dijeni në lidhje me këtë gjë, por di që të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me veprime të karakterit politik apo të dënimeve, të gjitha këto janë ose Kuvendin Popullor, ose në qeveri, ose në Gjykatën e Lartë, por të gjitha këto i kanë dokumentet në Arkivin e Shtetit. Kështu që, nëse duan t’i hapin, le t’i hapin, por mendimi im është që duhet të hapen me kujdes. Duket shumë kujdes në mënyrë që të mos ngjallen urrejtje të vjetra.

Sa e rëndësishme është që Shqipëria të merret me të shkuarën e saj?

Unë gjykoj që themelore për Shqipërinë nuk është që të merret me të kaluarën, por me të tashmen. Shqipëria ka një krizë të madhe ekonomike, ka një varfëri shumë të madhe në popull, ka një krizë politike, por jo krizë për ide politike, por krizë se kush t’i zërë vendit tjetrit. Mendoj se këto janë probleme më të mëdha sesa të merremi me të shkuarën.

Ju mendoni që ato që ndodhën në kohën e komunizmit të varrosen?

Jo, për disa çështje thelbësore duhen marrë dhe janë marrë. Por mendimi im është që janë marrë. Janë bërë 20 vjet që atëherë dhe shumë vendime, shumë gjëra janë marrë ndaj atyre personave dhe atyre vendimeve që asaj kohe.

Në lidhje me ekzekutimet që janë bërë gjatë kohës së komunizmit, besoni që qe drejtësi?

Nuk them në mënyrë kategorike që nuk ka pasur hakmarrje, gabime. Me doemos mund të ketë pasur. Por këto janë të kontrollueshme, dokumentacioni për to ekziston. Por kanë kaluar 50 vjet që atëherë. Unë nuk besoj se do t’i japë ndonjë gjë Shqipërisë për të parë dokumentacionin e 50 vjetëve më parë. Them unë, nuk e di.

Po në lidhje me ato familje që humbën njerëzit e afërt në ekzekutime. A kanë të drejtë që së paku të gjejnë trupat?

Shumë dakord. Ata kanë të drejtë jo vetëm që të gjejnë trupat, por edhe të shikojnë arsyen pse ka ndodhur ajo. Nuk kam kundërshtim për këtë, por jo që të përgjithësohet siç po përgjithësohet problemi.

A keni brerje ndërgjegjeje? Nëse shikoni tani, a ka gjëra që nuk do të donit t’i kishit bërë? A keni ndonjë keqardhje a pendesë?

Sigurisht, që e shoh me sy ndryshe. E shoh në dy aspekte: E para, mendoj se mund të bënim më shumë për zhvillimin ekonomik dhe kulturor të vendit. E dyta, padyshim më vjen keq... më vjen keq dhe e konsideroj një jetë të keqe për ne që ka pasur njerëz që kanë shkuar viktima të pakujdesive të veprimeve të ashpra, të veprimeve të gabuara të disa organizmave tanë, qofshin këta organizmat e Sigurimit të Shtetit apo të Partisë, që nga poshtë edhe lart. Dhe ka pasur edhe raste të tilla. Mua më vjen keq për ato, padyshim që më vjen keq. Mendoj se atyre u duhet dhënë e drejta dhe në përgjithësi, një pjese të madhe të atyre kuadrove për të cilët po flas, u është dhënë, u është njohur kjo gjë. Por natyrisht për atë që është bërë keq, ndiej përgjegjësi edhe unë.

Ka ndonjë gjë tjetër që doni të shtoni në këtë intervistë?

Jo, rreth këtij problemi nuk kam ndonjë gjë të veçantë.

Intervistoi: BBC

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›