Nikolin Gurakuqi: Në Shqipëri është art i medaljeve, në perëndim art i shpërblimit
Është pa dyshim një nga emrat më të talentuar të artit shqiptar, i cili ka falë pasionit dhe talentit të tij sot është një nga njerëzit, që ka sjellë për publikun vepra të bukura operistike, dhe jo vetëm në skenën e TKOB, por dhe në skenat e rretheve të tjera të vendit,
një sukses i tij kanë qenë dhe operat, që ia ka vënë jashtë vendit. Regjisori i njohur Nikolin Gurakuqi ka një karrierë të pasur artistike, duke sjellë për publikun vepra të emrave të njohur botërorë, që janë ngjitur në skenën operistike shqiptare me sukses. Në një intervistë dhënë për gazetën ai tregon se sot duhet të ketë një vlerësim më të madh për artistët, për ata që kanë sjellë vlera të larta artistike në skenë për publikun, pasi sipas tij kjo gjë mungon në vendin tonë. Ai pohon se sot nuk duhet të jetë një art shqiptar vetëm i vlerësimeve me medalje, por ai të jetë dhe i shpërblyer nga ana materiale. Regjisori Gurakuqi pohon se sot ka ardhur koha që kjo gjë të ndryshojë dhe artistët shqiptarë të shpërblehen për atë që ata sjellin në skenë për publikun. E ndërkohë që para disa kohësh ai solli në skenën operistike premierën absolute Manon Lescaut një opera me katër akte. E cilësuar si një ndër veprat më të mira të kompozitorit italian Xhakomo Puçini, një premierë dashurie u shfaq në skenën e TKOB, pikërisht në 14 shkurt, Manon Lescaut një nga kryeveprat Puçiniane rrëfeu një dashuri me fund tragjik. Kjo kryevepër erdhi nën regjinë e regjisorit të mirënjohur Nikolin Gurakuqi, i cili padyshim solli në të perceptime personale, por duke iu referuar origjinalit. Muzika e Puçinit solli trazimet e dashurisë, xhelozisë, tradhtisë, derisa akti i fundit vendos një qetësi farsë mes dy të dashuruarve. Ata duan të largohen diku ku njerëzit nuk ndahen në të pasur e të varfër, ku të shijojnë qetësisht dashurinë e tyre. Por i pret një fund i trishtë që e çon Manonin drejt vdekjes, kurse De Grijë kthehet në Francë dhe fillon një jetë tjetër, atë të klerikut. Manoni, një vajzë e re nga një familje e pasur, që josh burra me bukurinë e saj, i fal ndjenja të pastra studentit De Grijë, të cilin e takon për herë të parë në një mjedis pijanecësh dhe qejflinjsh. Manon tërhiqet pas kësaj jete. Është vetëm një vajzë e re në kërkim të kënaqësive, gjë që nuk mund t'ia ofrojë bankieri Zheron de Ravjor, mik i mbretit, që i siguron luksin dhe të mirat e jetës. Në katër netët e shfaqjes interpretuan sopranot më të mira të skenës shqiptare si Etleva Golemi, Irini Nikolla dhe Shpresa Beka. Në krah të Manonit është djaloshi i dashuruar (De Grijë), që u interpretua nga tenori italian Lorenzo Decaro. Bankieri u interpretua nga Sidrit Bejleri, dhe vëllai i Manonit, Leskoja nga Armando Likaj. Interpretues të tjerë ishin: Erlind Zeraliu, Denis Skuro, Jani Çekixhi, Manjola Konjari, Sofika Kola, Klodiana Laze, Genc Vozga, Roel Llupo, Bledi Hoxha, Sokol Tomorri. Manon Lescaut (1731), është bazuar në novelën e Abatit Prevost, Historia e kavalierit De Grijë dhe Manon Lesco. Për herë të parë kjo vepër është shfaqur në Teatro Regio të Torinës më 1893 dhe ajo erdhi si premierë absolute në skenën shqiptare nga regjisori Nikolin Gurakuqi.
-Para disa kohësh ju sollët në skenën e operës veprën Manon Lescaut, e cila u prit shumë mirë nga publiku. Sa ju ka lodhur kjo vepër operistike?
Artisti mund të lodhet vetëm atëherë kur ai punon me pasion. Ai ka konsum energjie, ka konsum artistik, konsum emocional, sepse ai e jeton këtë dhe jeton me këtë vepër. Ai jeton me vënien në skenë të saj, ai jeton nga mëngjesi deri në darkë me të, por mund ta vesh dhe në mënyrë të distancuar veprën. E distancon nga vetja, e luan në një mënyrë të distancuar veprën, e luan në mënyrë skematike dhe nuk përjeton asnjë personazh, nuk përjeton asgjë, por del atje dhe bën një shfaqje pa vlera. Nëse unë punoj në këtë mënyrë atëherë duhet të lë këtë zanat dhe kështu që unë po nuk u lodha, nuk kam asnjë kënaqësi nga profesioni. Lodhja është pjesë e vullnetit tim.
-Sa vepra keni vënë deri tani në skenën operistike?
Unë me Manon lecaut dhe Giove a Pompei, që vura në Itali mu bënë 38 vepra në skenë, që janë vënie dhe rivënie. Unë kam filluar punë si regjisor në opera që nga viti 1990.
-Në dy dekada janë shumë vepra...?
Po të përmendësh dhe faktin që është i dyti pas meje im atë me 16 vepra, kjo kuptohet.
-Si u prit vepra juaj Giove a Pompei në Itali?
Unë nuk është hera e parë, që po punoj në skenën italiane, pasi dhe më parë unë kam vënë vepra atje në skenën e operës. Unë atje kam punuar dhe në vitin 1995, dhe në vitin 1996, 1997 dhe e njoh mentalitetin teatral italian, por kam punuar dhe në Greqi dhe në Maqedoni. Janë 8 vepra që kanë parë dritën e skenës jashtë kufijve të Shqipërisë, por Giove a Pompei kishte një të veçantë, pasi ajo u vu me artistë italianë dhe unë isha i vetmi shqiptar grupin realizues. Opera atje u prit shumë mirë dhe për këtë opera nuk ekzistonte asnjë material. Unë kisha vetëm librin për tiu referuar veprës. Atje u prit shumë mirë dhe unë tre artistë prej tyre i njihja, por në përgjithësi ata kanë dhe disiplinë shumë më të lartë pune se ne. Nuk kanë probleme që na ndodhin ne gjatë provave dhe kanë një nivel shumë më të lartë të punës se sa ne. Atje ke një disiplinë të fortë për punën.
-Keni vënë opera dhe në Maqedoni e Greqi, por ku e keni gjetur frymën artistike më të mirë?
Me thënë të drejtën e kam gjetur në Itali, sepse atje kanë një kulturë tjetër, kanë një tjetër pasion për punën, është diçka tjetër. Italianët janë oksidentë dhe nuk bëhen dot orientë nuk kanë qenë ndonjë herë lindorë. Ata kanë qenë Europianë gjithmonë. Arti operistik në Itali ka 400 vjet që punon me një sistem kapitalist dhe me një sistem që është me kontratë. Ti je ai që bën opera, por je i kontraktuar dhe kështu ka qenë që kur ka filluar. Në socializëm është që të emërohesh dhe deri kur vdes vazhdon të punosh.
-Si e keni parë artin operistik gjatë këtyre dy dekadave?
Sigurisht që kur shkova në Francë, atëherë arrita që të bëj diferencën e institucioneve homologe. Institucionet teatrore artiske nuk kishin të krahasuar me tonat, si nga ana administrative, legjislative dhe ajo artistike. Problemi qëndron në faktin se ajo frymë
duhej përçuar dhe unë mendoj se sadopak jam përpjekur që ta përçoj atë frymë që unë kam, pra kam pasur dhe do të kem në opera.
-Si kanë nisur fillimet tuaja në opera?
Unë jam i hershëm në opera dhe kam filluar në vitin 1978. Kam bërë stazhin si solist pranë sektorit të solistëve të TKOB, më pas më emëruan në korin e operës dhe sigurisht unë nuk mund të pajtohesha me këtë, por çdo vit unë bëja nga një rol, dhe pas 5 vitesh e mora emërimin si solist. Pas një viti ndiheshe mungesa e regjisorit, pasi im atë ishte larguar nga opera, sepse vinin shumë që bënin eksperimente dhe shikonin që nuk pulsonin në frymën e muzikë së dramaturgjisë skenike. Më vonë erdhi një bursë për specializim, ku një e mori Inva Mula dhe një e mora unë, kështu që unë shkova vë Francë për regjisurë në Paris. Edhe në atë kohë para se të shkoja në Paris unë kisha vënë në skenë si asistent i Pirro Manit dy vepra, operën Kavaliera Rustikana dhe në operetën Paja, por dhe luaja rolin kryesor të Mateos bashkë më Inva Mulën. Më pas në vitin 90 unë vura operën e parë që ishte Peshkatarët e perlave më pas vura operën Trovatore dhe që ishte shumë vështirë. Kjo kaloi me sukses më pas menjëherë erdhi bursa dhe në këtë mënyrë vazhdoi dh e gjithë karriera ime artistike më pas, e cila është e mbushur me regjisurë.
-Çfarë morët gjatë specializimit në Paris?
E para në Francë kishte vënie madhështore me mizanskena jashtëzakonisht të shkathta dhe me skenografi potente dhe me ndriçime të shkëlqyera, por mbi të gjitha me këngëtarë të përgatitur jashtëzakonisht mirë në fushën e aktrimit dhe në fushën e të kënduarit, por në radhe të parë për të bërë këtë shkollë duhet të jesh muzikant i shkëlqyer, duhet të jesh kë