Lindita Kola
Angazhimi më i fundit e ka sjellë në skenë nën petkat e një vajze lozonjare, një femër e re dhe e bukur, që hyn në mes të një historie dashurie. Mexosopranos Lindita Kola i ka takuar të interpretojë Madalenën në rivënien moderne të “Rigoletto”-s në Teatrin Kombëtar të Operës nga regjisori Nicola Zorzi. Gjatë shtatë viteve angazhimi artistik, ajo ka provuar të sjellë shumë role. Ambiciet artistike e shtyjnë në të tjera karaktere, të cilat mendon t’i realizojë në të ardhmen.
Angazhimi juaj më i fundit ka qenë në operën “Rigoletto”, e rikthyer në Teatrin e Operës në një tjetër koncept. Si u gjendët në këtë version modern?
Në këtë version të “Rigoletto”-s unë interpretova rolin e Madalenës, motrës së Sparafucile-s, e cila ndihmonte vëllanë në planifikimet e tij për vrasjen e njerëzve. Ndërsa ndihmon vëllain për vrasjen e Dukës së Mantovës, me porosi të Rigolettos, ajo dashurohet me djaloshin e ri, i cili nga ana e tij dashuron Xhildën. I lutet të vëllait të mos e vrasë dhe bien dakord që do prisnin deri në mesnatë, e të vrisnin të parin njeri që do të hynte në atë zonë. Xhilda që dëgjon bisedën, e veshur si mashkull, sakrifikohet për dukën. Të gjitha veprat e vendosura më parë në skenë mund të sillen në një version modern, sepse historitë e tyre janë ende aktuale. Edhe sot gjen një Xhildë që sakrifikohet për dashurinë, ashtu siç gjen edhe një Madalenë, një femër lozonjare që ndërhyn në jetën e një çifti. Unë personalisht u ndjeva shumë mirë në realizimin e këtij roli në versionin modern, ashtu siç u ndjeva mirë edhe në bashkëpunimin me stafin e përzgjedhur për ta risjellë në skenë. Besoj se edhe publiku e priti mirë, ndonëse nga përvoja duket se pëlqen më shumë shfaqjet klasike, të cilave ua njeh mirë historinë.
Cili është procesi juaj për të mbërritur deri në karakterin e personazhit që duhet të ngjisni në skenë?
Unë kam interpretuar shumë role: personazhe meshkujsh, personazhe me moshë të madhe, ndërsa Madalena ishte një vajzë e re dhe e bukur që përpiqej të joshte meshkujt. Unë u përpoqa të vija me freskinë e saj. Sigurisht që ka të tjera role që kërkojnë më shumë angazhim, te të cilët ndihma e regjisorit të jep dorë për atë që duhet të shfaqësh në skenë. Kam interpretuar tek opera “Falstaff” rolin e Megit, ku jam ndier shumë mirë, rolin e një plake në “Gianni Schicchi”, Orfeun tek “Orfeu dhe Euridicce”, damën e tretë te “Flauti magjik” etj.
Vitet e fundit, këngëtarët e huaj lirikë, regjisorët apo dirigjentët kanë qenë vazhdimisht të pranishëm në skenën shqiptare. E njëjta gjë ka ndodhur edhe te “Rigoletto”. çfarë sjell ky bashkëpunim?
Sigurisht që artistët e huaj vijnë nga një shkollë dhe një formim tjetër nga i yni, kanë një karrierë të mirë, dhe sjellin eksperienca të reja dhe mendime të ndryshme. Këto shkëmbime na ndihmojnë së pari të shikojmë nivelin në të cilin jemi dhe mendoj se deri më tani nuk kemi disnivel me ata që vijnë.
Cilat janë ambiciet tuaja artistike si mexosoprano?
Në ambiciet e mia profesionale hyjnë disa role. Do të më pëlqente shumë të luaja rolin e Karmenit, të cilin do të përpiqem ta realizoj, por ka edhe role që duan një pjekuri vokale e një moshë pak më të madhe, të cilët mendoj se do të vijnë gradualisht. Megjithatë unë mendoj se disa role mexosh dua t’i arrij dhe do të punoj shumë për këtë. Një këngëtar lirik duhet të investojë shumë. Angazhimi nis që në përgatitjet vetjake në mëngjes, marrja e partit, kalimi nëpër audicione, prova me orkestër, me regjisorin, deri sa mbërrihet në shfaqjen finale.
Pas viteve ‘90 zhvillimet artistike morën një tjetër rrjedhë. Mendoni se ka pasur mjaft hapësirë për artistët e rinj për t’u afirmuar?
Nuk duhet mohuar që kemi pasur mbështetje në opera, por sigurisht që vendet e punës janë të pakta. Unë personalisht kam shtatë vjet që punoj në opera, kam realizuar 17 role dhe ende nuk jam punësuar përfundimisht. Megjithatë, pasioni është ai që më bën të vazhdoj të punoj.
Pas Madalenës, a ka një tjetër rol për të cilin keni nisur të angazhoheni?
Do të luaj rolin e një ushtaraku tek “Anna Bolena”. Unë kam bërë disa role meshkujsh, sepse vetë vokali i mexosopranos u përshtatet. Janë role interesante.
Si ndihet një femër nën petkat e një mashkulli?
Veç faktit që duhet të punosh shumë, ka një sërë elementesh që të ndihmojnë ta realizosh mirë rolin, duke nisur nga regjia, grimi(përfitoj nga rasti të falënderoj grimieren Bebeka Alla), kostumet. Në të gjitha rolet që kam realizuar jam ndjerë shumë komode, kjo edhe për faktin se kam qenë në shtrirjen time vokale.
Disa prej artistëve tanë lirikë kanë mundur të ndërtojnë një karrierë edhe në skenat ndërkombëtare. A është e mundur kjo të realizohet pa u larguar nga Shqipëria?
Vitet e fundit kanë nisur të praktikohen audicionet, por ende është shumë e vështirë. Duhet të njohësh e të kesh kontakte të vazhdueshme me një agjent, i cili i njeh mirë kërkesat e tregut ndërkombëtar e po ashtu kriteret. Përgjithësisht edhe ata agjentë që vizitojnë Shqipërinë, janë në ndjekje të një emri të caktuar që e kanë dëgjuar më parë. Tani për tani, i mbetet drejtorisë së teatrit të ftojë personalitete të tilla, të mundësojë audicione me të rinjtë. Pasi kam mbaruar Akademinë e Arteve, kam shëtitur, kam qenë dy herë përfaqësuese e korit të Mesdheut nga Shqipëria, isha dy muaj për specializim në Verona të Italisë, kam fituar një bursë me austriakët që bënë audicione në Tiranë. Kanë qenë disa mundësi për të ikur, por mua më pëlqen skena jonë dhe pritja e publikut shqiptar.
#