E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasditen e sotme, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorë të Unazës së re të Tiranës. Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri theksoi: "Dëshiroj t'ju përshëndes pÃ

Pasditen e sotme, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorë të Unazës së re të Tiranës. Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri theksoi:

"Dëshiroj t'ju përshëndes përzemërsisht dhe t'ju falënderoj me mirënjohje të madhe për votën tuaj të 3 korrikut, votë në të cilën, ne, sëbashku, ia dolëm së pari të shtypim krimin e organizuar, grupet kriminale, kudo që ishin, në Shqipëri dhe jashtë vendit, vetëm dhe vetëm për të siguruar jetën tuaj, fëmijët tuaj, rrugët tuaja, shkollat tuaja. Toleranca zero ndaj krimit është dhe mbetet përcaktimi ynë madhor.

Me votën tuaj, ne zhvilluam një betejë të pashembullt me zero tolerancë kundër korrupsionit dhe ia dolëm, në një vit, të nxjerrim nga kthetrat e zeza të zyrtarëve të korruptuar, të kontrabandistëve, të evazionit fiskal, 600 milionë euro, të cilat ne i shndërruam në rritjen më të madhe të pensioneve, të rrogave, deri më sot, hapjen e dyerve të universiteteve, përgjysmimin e taksave për biznesin e vogël, uljen drastike të taksave të tjera, uljen e madhe të çmimit të energjisë elektrike për bizneset 33 deri në 45 përqind. Ne i shndërruam këto para në projekte të mëdha për mbarë vendin, autostrada, ura, porte, ujësjellësa, më shumë se në 50 vitet e fundit të marra së bashku.

Me votën tuaj, ne firmosëm në Bruksel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Europën, pasi shembëm së bashku murin e krimit, murin e korrupsionit, që kishte bllokuar rrugën tonë. Me votën tuaj, ne ia dolëm të marrim nga NATO mesazhin e mundësisë së anëtarësimit.

Me votën tuaj, ne liberalizuam universitetet dhe hapëm dyert e tyre për të gjithë fëmijët që mbaruan maturën. Me votën tuaj ne ndryshuam Shqipërinë. Ajo votë ishte fuqia e madhe e ndryshimit të Tiranës dhe Shqipërisë.

Sot, ne kërkojmë votën tuaj, të vazhdojmë sëbashku për të garantuar sigurinë tuaj, për të thelluar luftën kundër krimit, për të thelluar luftën kundër korrupsionit, për të tërhequr investime të mëdha në Shqipëri. Vetëm në këto 4 vjet, ne po investojmë në rrugët e vendit 1.4 miliardë euro. Miliarda të tjera, nga sektori privat, priten të investohen në energji, në turizëm dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë së vendit.

Sot, ne presim 18 shkurtin si fitimtar. Përballë kemi humbësin e 3 korrikut, përballë kemi koalicionin e humbjes, kemi koalicionin e mashtrimit. Ju i ndiqni vet zhvillimet. Cila është alternativa që paraqet opozita në Tiranë?. Së pari, është alternativa e vetmisë. A e keni parë ta shoqërojë njeri Edvin Ramën nëpër qytet? Jo dhe jo! Sepse ata skuqen nga mashtrimet e tij, sepse ata turpërohen nga vjedhjet e tij. Le t'u referohemi fakteve. Ish ministri i Kulturës së këtij vendi, e shndërroi Tiranën nga një qytet me 5 kinema, në qytet me 1 kinema. Ish ministri i Kulturës së vendit nga 2 teatro la vetëm 1, Ai shkurtoi me 43 përqind shpenzimet për arsimimin e fëmijëve tuaj, vetëm e vetëm se ai në shkolla nuk mund të vjedhë dot.

Sot, kishte dalë diku dhe u thoshte njerëzve se nuk kam premtuar ndërtimin e unazës. Unazën e madhe e ka premtuar 3 herë deri tani, sikundër në Kombinat ka premtuar 33 milionë euro për qendër social kulturore. Po ku i ka sot? U premtoi në Shkozë qytetarëve banesa sociale, por ku janë sot? Muzeun e Pezës e përvetësoi për vete, e ka meremetuar, por nga ana tjetër nuk ka strehuar asnjë qytetar në banesa sociale. Pra, kjo është opozita e humbjes, opozita e mashtrimit.

Ju ftoj të gjithëve, qytetarë të Tiranës, të vizitoni pallatin e turpit. Shpesh herë kemi dëgjuar të flitet për pallate pushtetarësh, por 13 katëshi në qendër të Tiranës, 13 katëshi i ndërtuar mbi rrugën e qytetit, gjoja në emrin e Dash Pezës, është pallati i Edi Ramës. Unë kam bindjen se nuk ka në Tiranë qytetar të majtë, pa bindje partiake, apo çfarëdo qoftë, që nuk do të ndëshkojë, me votën e tij, atë që ka pallatin si një nga dëshmitë madhore të korrupsionit të tij. Korrupsioni është fenomeni më i pamëshirshëm ndaj njeriut dhe ndaj shoqërisë. Ai rrënon jëtët tona, rrënon qytetin, le fëmijët tanë pa klasa, i le ata në shkolla pa ngrohje, i le ata pa kopshte, pa parqe lojërash.

Sot, gjithashtu, kam shumë kënaqësi t'ju përshëndes dhe të ndaj së bashku me ju padurimin për ditën e hënë, ditë ku ne ndajmë tapitë e para për ju. Ju, Tiranën që kishte vetëm 3 hektar vila, e mbushët me vila në të katër anët e saj. Ju i sollët qytetit energji të pashtershme, ju derdhët në këtë qytet dhe në qytete të tjera të vendit lumenj djerse, nderi, dinjiteti, për një të ardhme më të mirë dhe të lirë. Ndaj ju, të parët, aplikuat për legalizimin e shtëpive tuaja. Unë ju jap fjalën se ne do të bëjmë çdo përpjekje për ta kompletuar procesin sa më shpejtë të jetë e mundur.

Sikundër, ju jap fjalën se urbanizimi i plotë i zonave tuaja, ngritja e infrastrukturave moderne në këto zona, riorganizimi i shërbimeve për të gjitha moshat, do të jetë përkushtim i madh i Sokol Olldashit, i Fatmir Nezës, i Kryeministrit dhe i qeverisë që ai kryeson.

Edhe njëherë, ju ftoj të merrni të gjithë pjesë në votime, sepse me votën tuaj ju i bëni një nder të madh vetes, por i bëni një nder të madh Shqipërisë. Shqipëria ka nevojë për besimin tonë, për mbështetjen tonë, në mënyrë që ajo të ngrihet gjithnjë e më lartë dhe së bashku me të, të ngrihemi të gjithë ne.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›