Në vijim të vizitës në disa zona verilindore të vendit, Kryeministri Berisha u ndal në Bulqizë dhe zhvilloi një takim me banorë të saj. Kryeministri i siguroi ata se qeveria do të bëjë ç
Në vijim të vizitës në disa zona verilindore të vendit, Kryeministri Berisha u ndal në Bulqizë dhe zhvilloi një takim me banorë të saj. Kryeministri i siguroi ata se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të lehtësuar, përmirësuar dhe ndryshuar jetën e tyre dhe për të zhvilluar Bulqizën. "Vij këtu i vendosur dhe zotohem se do të mbështesim çdo projekt për zhvillimin e mëtejshëm të Bulqizës," u shpreh Kryeministri. Duke theksuar ndër projektet prioritare për këtë zonë rrugën e arbrit, e cila, theksoi Kryeministri, përbën edhe një ndër prioritetet kombëtare me përparësi absolute dhe asfaltimin e rrugës ekzistuese Bulqizë-Tiranë. "Në mandatin 4 vjeçar, - u shpreh Kryeministri, - ne do të financojmë 1.4 miliard lekë në ndërtimin e rrugëve, autostradave, porteve dhe urave. Ne kemi inauguruar dhe kontraktuar plotësisht autostradën Durrës-Prishtinë, do të inagurojmë së shpejti autostradat Fier-Vlorë, Korçë-Qafë Thanë dhe ju jap fjalën se rruga e arbrit është prioritet absolut dhe kombëtar për qeverinë."
Në mënyrë të veçantë, Kryeministri siguroi se në prioritet për zhvillimin e kësaj zone përfshihen edhe projektet për minierën dhe kujdesin ndaj minatorëve. "Dje, qeveria, në mbledhjen e saj, ka marrë një vendim tjetër në favor të minatorëve, të cilët po të punësoheshin në punë të tjera, humbnisin pensionin. Sot nuk do ta humbasim më atë," u shpreh Kryeministri. Duke shtuar se "çdo javë e çdo ditë po zgjohet e po bëhet me i madh interesi i kompanive të mëdha botërore për Shqipërinë. Në këtë kontekst, Bulqiza, me pasuritë e saj përrallore, do të përfitojë më shumë nga këto investime."
- Gjatë kthimit nga Burreli, Kryeministri Berisha pati një takim spontan me banorë të Klosit. Duke u përshëndetur përzemërsisht me ta, Kryeministri theksoi se qeveria ka dhe do të ketë gjithnjë në vëmendje të saj jetën e tyre, problemet, shkollimin e fëmijëve të tyre, sikundër do të mbështesë të gjitha projektet për zhvillimin e zonës së tyre.
"Ne do t'i japim përparësi ndërtimit dhe rikonstruksionit të shkollave të zonës, rritjes së infrastrukturës së saj, duke garantuar se aksi rrugor që ju lidh Klosin me Tiranën do asfaltohet plotësisht," u shpreh Kryeministri, duke ritheksuar se rruga e arbrit do jetë prioritet madhor i qeverisë.
Kryeministri bëri të ditur se qeveria ka dyfishuar financimin e qeverisjes vendore dhe ka objektiv katërfishimin e tij për përmirësimit e jetës suaj. "E gjithë politika jonë, - u shpreh Kryeministri, - ju ka në epiqendër ju me hallet e dertet tuaja, ndryshimin e jetës suaj dhe shkollimin e fëmijëve tuaj."