E Diel, 1 Nëntor 2026

Pashka e prillit



Sotiris DHIMITRIU
Dikur prilli ishte për mua – tanimë ai ka hyrë në fondin e vegimeve dhe përvojave të shumta e të përsëritura – Pashka në fshat. Por jo me atmosferën e tij fetare, veçse ashtu vagullt.
Të Enjten e Madhe, unë dhe vëllezërit e mi niseshim në mëngjes me autobus. Gjithë ai udhëtim. Mbërrinim tek ura e Kalamasë. Një urë e hekurt, e gjelbër, nga koha e Luftës Civile. Pasi bëhej kontrolli i pasaportave nga ushtarët e postës, emocionuese për zemrat tona fëmijërore, autobusi futej me ngadalë në urë. “Krrap-krrap”, fërkoheshin dhe kërkëllinin hekurishtet. Përposh uji i vrullshëm, i gjelbër nga bimësia e dendur e brigjeve. Dëborërat po shkrinin.
Që andej e tutje zinte fill një botë tjetër. Në Filiat bënim tri-katër orë pushim të detyruar. Vetëm për këto orë, që i kalonim në kafenenë e stacionit, nuk e doja edhe aq atë qytezë, ndërsa fshatin tim e adhuroja pa masë. Kafeneja ishte e mbushur plot me udhëtarë, që shkonin në zonat e thella të Filiatit. Atje fillonin të zakonshmet: “i kujt je ti, more bir?”, “kjo i ngjan së ëmës”, si dhe puthjet e para nga bashkëfshatarët tanë. Një shije ngushëlluese e fshatit.
Më së fundi në drekë, duke gulçuar ngaqë ishte i mbushur deng dhe rruga gjithë baltë, e përpjetë e me gropa, autobusi nisej drejt fshatrave të Murganës. Shën Kolli, Shën Pandat, Paliohori, të përpjeta, kthesa, edhe një kthesë tjetër dhe ja fshati im, Povlla. Rrugë e mrekullueshme, fshatra të mrekullueshëm. A thua se shpatet e veshura me koçimare, qershi, dafina, përrenjtë që kërcenin aty-këtu, gurët dhe shtigjet, përmblidhnin gjithë ç’ishte më e bukur e më bujare nga jetët e njerëzve në shekuj. Edhe sot e kësaj dite, ky udhëtim, këto fshatra janë për mua një udhëtim shpirtëror, një udhëtim malli e brenge.
Në fshat mbërrinim ndaj të ngrysur. Autobusi na linte në Thelesurë, ku ndodhej një ikonë e vogël e Shën Thanasit. Para nesh mali i Murganës. Në maja kishte ende dëborë, ndaj shndritnin nga rrezet shumëngjyrëshe të perëndimit. Atje ku hynte dielli, ndodhej një vend i dashur, fsheharak, i pakalueshëm, Epiri i Veriut. Në Thelesurë, kur zbrisnim nga autobusi, na rrihte me ëmbëlsi një fllad i ftohtë, të cilin, një Zot e di se si e qysh, e kisha lidhur me Epirin e Veriut, me Shqipërinë. Kumt prej një jete tjetër, më të lezetshme, më të pasur, më enigmatike. Është e tepërt të them se nuk dija asgjë për ideologjitë, luftërat e të tjera si këto, dhe njerëzit e mi, kushërinj e bashkëfshatarë, për kësi gjërash flisnin pak e nëpër të, çka e shtonte edhe më misterin.
Shkonim më këmbë gjer te shkolla, pastaj një pjerrinë e mprehtë na nxirrte në Sheshin e Nikoplit, ku gjendej baraka e xhako Miços tonë. Mezi na priste, me ëmbëlsira e puthje. Mandej ktheheshim një copë herë në derëbabën e nënës, sa për t’i dhënë cigare gjyshit, dhe menjëherë fishek e në shtëpinë e babait, te gjyshja. Gjatë gjithë kësaj rruge, hundët tona kishin festë. Dihatje e kthjellët e proshkës që përzihej me lulet e egra të prillit – frashër, manushaqe, zymbyla. Mirëpo ajo që sundonte, ishte era e bajgave, e plehut dhe e dherave të lagësht.
Në shtëpinë e babait. Cak i ngrohtë. Një shtëpizë e vogël me dy dhoma, bimsa e dhive, hajati, një kopsht i vogël dhe prania hijerëndë e njëkohësisht e ëmbël e gjyshes. Na mblidhte me patate jahni. Pastaj flinim të gjithë në dysheme dhe ajo në mes tonë.
Në mëngjes na zgjonin këndezat, gomerët, dhitë, frujat; zërat e grave që piqnin bukë, fshinin e lanin, këpusnin degë. Fshati ishte i mbledhur, ngrihej si amfiteatër duke krijuar një akustikë të përsosur.
“O Angjeludhe, u zgjuan fëmijët?”, dëgjonim teze Lolën nga mëhalla përbri.
“U zgjuan, krushkë, u zgjuan.”
“Ke vezë? Do?”
“Kam, kam.”
“Mirë, dërgomi pastaj.”
Fillonte festa. Vrap me fëmijët e tjerë, vizita nëpër teze, shëtitje nëpër bahçet e Mamait, nëpër vreshtat e Feras, në Shën Premte. Pak nga pak, lajthitë zinin e skuqeshin. Gjithandej kishte trandafila, rozë, të bardhë. Me gjethe të dendura e me erë të mirë. Nëpër oborre e gjerdhe. Të çanin hundën.
Nga Ringjallja mbaj mend disi rraketaket, që i shtypnim me shuaj. Gjer dhe në ato çaste që bëhej nami, unë mendjen e kisha tek yjet e horizontit, sipër trojeve të ndaluara.
Të nesërmen, gjithë fshati ngjitej majë sukës aty pranë, ku ndodhej posta me emrin “Xhelili”, për të vizituar ushtarët. U shpinim vezë, kuleç dhe ata na jepnin galeta. Ishin djem të dashur, të thjeshtë, na linin të shikonim edhe me dylbi në tokën shqiptare. Me to afronim figurat e njerëzve, sidomos gra që punonin tokën në rresht ose bënin punë të tjera, gjithnjë në grup. Kishin sajuar edhe një liqen artificial për ujitje. Edhe pse, falë dylbive, e kisha të qartë objektivin e kërshërisë sime, më shtoheshin tundimi dhe misteri. Vite më pas,dëgjoja ca histori për agjentë, të cilët nga larg përshëndesnin me buzën në gaz gratë nëpër vreshta. Ato trembeshin dhe atyre u mbetej fjala në grykë. Kalimin e këtyre njerëzve enigmatikë e kam lidhur gjithashtu me flladin e ftohtë, që na priste në Thelesurë. Kur iknim me natë drejt Igumenicës, për ne ishte e Premte e Madhe. Ndienim që të tre dhimbje, sikur na kishin çrrënjosur. Motra, me të qara dhe me britmat “gjysheeee!”, zgjonte fshatin nga gjumi. Unë mbahesha e qaja fshehurazi, në mënyrë dinjitoze, dhe për t’ia dalë kësaj mbanë, shtrëngohesha e egërsohesha. Nuk donim, s’na bëhej të ndaheshim nga gjyshe Angjeludha, nga fshati. E ku të shkonim? Në torturën e atëhershme – dhe të tanishme – të shkollës?
Me të shkuar në gjimnaz, pak e nga pak – dhe që nga liceu njëherë e përgjithmonë, e harrova fshatin dhe gjyshen. S’më shkeli më këmba. Kinema, muzikë e huaj, drithërima dashurie, pastaj studime në Athinë – histori më vete, edhe kjo e kobshme; derisa mbusha tridhjetë vjeç nuk kisha më asnjë kontakt e lidhje shpirtërore. Isha i madh – ç’i madh, goxha gomar burrë – kur na dërgoi gjyshja fjalë, një prill të hidhur, të shkonim e ta kalonim Pashkën me të. Nuk shkova. Pas pak kohësh, ajo vdiq. Nuk mbaj mend të jem mërzitur shumë. As në varrim s’i shkova. Vetvetja më kishte vënë poshtë të gjithin.
Vjet, pas Pashke, shkova në fshat për një vizitë disaorëshe. Shtëpinë e kishte mbuluar bari, gati në të shembur. Kopshtit ia kishin zënë frymën barishtet e egra. U ngjita në dhomën e dashur të fëmijërisë dhe gjeta letërnjoftimin e gjyshes. Fringo i ri. Më vështronte nga fotografia me atë dashurinë e saj, që na mëndte e na ushqente për gjithë jetën. Fshati pothuajse i shkretë. As gomerë nuk dëgjova, as zëra grash e fëmijësh. Një çast, dy ushtarë të armatosur gjer në dhëmbë sollën dy shqiptarë që kishin kapur. U kishte ardhur shpirti në majë të hundës nga mundimi. Njëri prej ushtarëve – nga Athina, me sa mora vesh më vonë – shante vendin e qelbur, shqiptarët e qelbur. U ulën në stol dhe xhaxhai nuk vonoi t’i qeraste me llokume.
Shqiptarët i hëngrën me babëzi dhe, aty-këtu, teshat e tyre u bënë me pluhur të bardhë. Paçka se ishin të këputur nga lodhja, u shkundën dhe u pastruan me kujdes.

Përktheu Romeo Çollaku

14 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›