Pashkët, Berisha: Duhet t`i falemi Zotit më shumë se askush tjetër
Tiranë- Kryeministri Berisha i sapo kthyer nga Afganistani, ka uruar sot të gjithë besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve. Ai vizitoi Kishën Ortodokse Autoqefale ku u takua me kryepeshkopin Anastas Janullatos.
Berisha ka uruar besimtarët që Pashka tjetër t’i gjejë më mirë dhe për më tepër me një Katedrale te re.
“Është një ditë e shenjtë, dita e ringjalljes së Krishtit, dita e ringjalljes së shpresës së pashuar, dita e përjetësisë. Prandaj në këtë ditë dua të përcjellë urimin tim më të përzemërt për të gjithë besimtarët ortodoks, besimtarët e krishterë dhe të gjithë besimtarët e Zotit. Iu uroj mbarësi dhe shumë gëzime në këtë ditë të veçantë. Uroj që Pashka tjetër të na gjejë edhe më mirë. Ta festojmë në katedralen e re theksoi Berisha.
Kryeministri ka nënvizuar se shqiptarët kanë motivet më të mëdha se kushdo tjetër për t`u falur Zotit pasi janë një komb me besime të rilindura pas regjimit komunist.
Asnjë komb tjetër nuk pati fatin tonë të izolohej në thellësi, në errësirat më të thella, të privohet nga besimet dhe shpresa. Këto 20 vite janë vite të rilindjes së vërtetë të shqiptarëve, të besimeve të tyre të mëdha theksoi Berisha.
Berisha lartësoi figurën e krytarit të Kishës Auqefale Shqiptare, Fan Nolit, në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Ne jemi në këtë 100 vjetor pasi kemi kaluar një kalvar të vërtetë zhvillimesh, vijmë të pavdekshëm si komb. Duhet të falenderojmë zotin më shumë se të gjithë të tjerët- shtoi më tej kryeministri.