E Diel, 1 Nëntor 2026

Pashkët, Jahjaga, Thaçi e Krasniqi urojnë besimtarët

PRISHTINE - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka uruar kreun e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergjin dhe të gjithë besimtarët katolikë, me rastin e Festës së Pashkëve.
“Festa e Pashkëve është festë e paqes, e dashurisë dhe e shpresës, ditë e ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen, ditë e rikthimit në vlerat më sublime shpirtërore. Në këtë ditë kujtojmë sakrificën e të gjithë atyre që ranë për lirinë e vendit tonë, kujtojmë përpjekjet shekullore për liri, pavarësi e demokraci, për një jetë në paqe dhe në harmoni ndërmjet gjithë njerëzve. Kjo ditë e gjen vendin tonë me të arritura të shumta në të gjitha fushat, me përkushtim më të madh, me synimin e qartë që sa më parë të bëhemi pjesë e familjes së madhe të kombeve të lira, të Bashkimit Evropian dhe anëtar i OKB dhe i të gjitha mekanizmave dhe organizatave ndërkombëtare. Në këtë rrugë po ballafaqohemi edhe me sfida, të cilat do t’i tejkalojmë bashkërisht dhe me angazhim të vazhdueshëm të institucioneve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet mes tjerash në urimin e presidentes Jahjaga, raporton Koha.

Me rastin e festës së Pashkëve, urime Imzot Dodë Gjergjit dhe besimtarëve katolikë të Kosovës u ka dërguar edhe kryeministri Hashim Thaçi.
“Kjo festë e shenjtë është simbol i fuqishëm i Rilindjes së besimit në ideale madhore, i përkushtimit ndaj vlerave shpirtërore, i thellimit të dashurisë ndaj njëri - tjetrit. Ky festim bëhet edhe më i veçantë në vitin kur ne po e përmbyllim suksesshëm pavarësinë e mbikëqyrur, dhe po ecim sigurt drejt perspektivës së ndritur euroatlantike”, thuhet në urimin e Thaçit.

Me rastin e Pashkëve, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi uroi të gjithë besimtarët e krishterë në vend.
“Të gjithë qytetarëve të krishterë të Kosovës dhe atyre të diasporës ju uroj: Gëzuar për shumë mot festën e Pashkëve, ditën e simbolit të fitores mbi të keqen dhe Ditën e ringjalljes. Uroj që në Kosovë të mbretërojë paqja e dashuria dhe mirëkuptimi e toleranca”, thuhet në urimin e kryeparlamentarit Krasniqi.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›