E Diel, 1 Nëntor 2026

Pashkët, rast për t’u shprehur mirënjohjen udhëheqësve shpirtërorë të kombit

Me rastin e Ditës së Pashkës, Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, zonja Liri Berisha, vizitoi dje në mesditë Kryepeshkopatën e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, ku është pritur nga Hirësia e tij, Kryepeshkopit Anastas.
Duke i përcjellë urimet e përzemërta besimtarëve ortodoksë dhe të gjithë besimtarëve shqiptarë, Kryeministri Berisha shprehu urimet më të përzemërta për të gjithë besimtarët e krishterë dhe të gjithë besimtarët shqiptarë për këtë ditë të ngjalljes së Krishtit, këtë ditë që përfaqëson dritën e përjetësisë së njeriut dhe njerëzimit, të shpresës së madhe të besimit tek Zoti, tek e ardhmja. Kreu i ekzekutivit u shprehu “mirënjohje shumë të thellë udhëheqësve shpirtërore të kombit, udhëheqësve të besimeve fetare, të cilët dhanë një kontribut thelbësor në të gjithë arritjet e vendit, ndërtuan infrastrukturën shpirtërore kombëtare, qëndruan dhe qëndrojnë më shumë se kushdo tjetër, me ndjeshmërinë më të madhe se kushdo tjetër, afër atyre që janë në dhimbje dhe në nevojë, zhvilluan dhe mbrojnë besimet fetare në traditën më të shkëlqyer, në vlerën më madhore që ka kombi ynë, tolerancën fetare”. Duke iu referuar kësaj dite të shënuar, Kreu i qeverisë u shpreh se “kjo është një ditë që festojnë besimtarët ortodoksë, besimtarët katolikë, myslimanë, të gjithë së bashku”. Gëzuar!”
Festa e Pashkëve, Topi: Festa e të gjithë shqiptarëve, për të ndërtuar një shoqëri të së ardhmes dhe evropiane/Presidenti Bamir Topi ka përcjellë dje urimet e tij me rastin e festës së Pashkëve nëpërmjet një mesazhi drejtuar Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë dhe mbarë besimtarëve ortodoksë shqiptarë, kudo që ndodhen, urimet më të ngrohta e të përzemërta në ditën e festimit të Pashkëve ortodokse. Presidenti i Republikës Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë Teuta Topi vizitoi dje Selinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në Tiranë me rastin e Festës së Pashkëve ortodokse. “Është një ditë e shënuar në radhë të parë për besimtarët ortodoksë, të cilëve u uroj “Gëzuar Pashkët”, por është festë për të gjithë shqiptarët që dinë t’i gëzojnë shumë bukur festat e njëri-tjetrit. Besoj që është ditë, kur të gjithë duhet të inspirohemi për të rikthyer vlerat e vërteta shpirtërore të shoqërisë shqiptare, t’i konsolidojmë ato dhe të shohim përpara. Është dita e dominimit të shpresës mbi dëshpërimin, e altruizmit mbi egoizmin. Janë vlera, të cilat të gjithë së bashku duhet të punojmë që t’i rikthejmë”, thuhet ne mesazhin e Presidentit. “Në këtë atmosferë të dlirësisë dhe tolerancës shpirtërore është momenti kur ne i shtrijmë dorën njëri-tjetrit, në frymën e dialogut dhe bashkëpunimit, duke kuptuar se vetëm kështu mund të arrijmë qëllimet e mëdha që i kemi vënë vetes, të konsolidojmë identitetin dhe traditën tonë kombëtare dhe të ruajmë pasurinë shpirtërore sot dhe në shërbim të brezave që do të na trashëgojnë. Shoqëria jonë ka nevojë që t’i kthehet vlerave më të mira të besimit dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin të ndërtojmë një shoqëri të konsoliduar, që është një shoqëri e së ardhmes, shoqëri evropiane, ku ne dëshirojmë të gjithë të shkojmë. Edhe një herë gëzuar të gjithëve Festën e Pashkëve!”, përfundon mesazhi urimit i Presidentit Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›