E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhveshja nga imunitetet nje standard që rrit transparencën e politikës

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje se Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet sapo të njihet me materialet lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe më pas do të procedohet në bazë të Rregullores dhe Kushtetutës, sikurse është vepruar edhe në rastet e tjera. Pas vizitës në Selinë e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë me rastin e Festës së Pashkës Ortodokse, Kryetarja e Kuvendit iu përgjigj interesimit të medias mbi heqjen e imunitetit të z. Mediu dhe ndjekjen e tij penale, me kërkesë së Prokurorisë së Përgjithshme, që po heton ngjarjen e Gërdecit, që ndodhi në 15 mars. “Do te mblidhet fillimisht Keshilli i Imunitetit dhe në bazë të rregullores së Këshillit do t’u dërgohen shkresat deputetëve të Këshillit. Bazuar në rregulloren e kushtetutës do të veprohet si në raste të tjera. Topalli mbrojti kërkesën e bërë më parë nga PD për heqjen e imuniteteve të deputetëve sa herë kjo të kërkohet nga organi i akuzes. “Është rasti për të thënë sesa të drejtë kemi pasur kur kemi kërkuar në fillim të 2005-ës heqjen e imunitetit për të gjithë deputetët. Unë uroj që të shfrytëzohet dhe rasti kur të gjithë deputetët të mos i njohin vetes imunitetin për disa fenomene të caktuara. Kjo është politiamë e vërtetë!”, tha Topalli. Para pak muajsh Këshilli i Imuniteteve me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme miratoi heqjen e imunitetit të ministrit të jashtëm Lulzim Basha. Kërkesa e prokurorisë erdhi në kuadër të hetimeve për segmentin e rrugës Rrëshen-Kalimash, ku deputeti Basha do të hetohej për kohën që ka qenë ministër i transporteve. Kurse z. Fatmir Mediu, deputet i PR do të hetohet për tragjedinë e Gërdecit ku humbën jetën mbi 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Partia Demokratike, por edhe aleatë të saj, si demokratë reformatorët dhe demokristianët, janë shprehur pro heqjes së imunitetit të Mediut. PD-ja konfirmon të njëjtin qëndrim që u mbajt edhe për ministrin Basha, i cili duhet të ishte i lirë nga imuniteti për t‘u ndjekur më pas penalisht nga Prokuroria e Përgjithshme. Në ditët në vazhdim, PD-ja dhe aleatët e saj do të përgatiten për të hequr imunitetin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për shkak që t‘i lihet rrugë të lirë hetimit të shpërthimit të 15 marsit. Nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu, ka bërë me dije se deri tani ka një vendim të marrë nga shefi i mazhorancës për të dorëzuar imunitetin sa herë të ketë një kërkesë nga Prokuroria e Përgjithshme. Edhe deputeti i PD-së, Preç Zogaj, është shprehur se mbështet hetimet e Prokurorisë së Përgjithshme për ngjarjen e 15 marsit. Deputeti Zogaj është treguar i rezervuar në komentet e tij lidhur me imunitetin e ish-ministrit Mediu, duke pritur vendimin e grupit parlamentar demokrat përpara zhvillimit të seancës parlamentare të ditës së sotme. “Nuk mund të flas për gjurmët e Mediut në tragjedinë e Gërdecit, pasi Prokuroria e Përgjithshme po vazhdon hetimin”, tha Zogaj. Ai ka shtuar se Shqipëria ka kërkuar asistencën e Amerikës për t‘i dhënë më shumë transparencë këtij hetimi dhe që janë në mbështetje të prokurorisë për të çuar fajtorët e vërtetë përpara drejtësisë. “Do të doja që përgjegjësia e Mediut të ngelet në persuazën politike”, u shpreh Zogaj. Ndërkohë që imuniteti i ish-ministrit të Mbrojtjes pritet të diskutohet gjatë kësaj jave në Kuvendin e Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›