E Diel, 1 Nëntor 2026

Imuniteti i Mediut nuk pritet të shkaktojë tension parlamentar

Kërkesa e dorëzuar dy ditë më parë në Kuvend nga Prokuroria e Përgjithshme për heqje të imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, është e dyta që i paraqitet parlamentit shqiptar brenda sezonit parlamentar 2007-2008. Në fund të sesionit të pestë të Kuvendit, 27 dhjetor 2007, parlamenti miratoi me shumicë votash kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit Lulzim Basha, për t’i hapur rrugë hetimit penal ndaj tij për procedurat e rrugës Durrës-Kukës. Më 15 tetor 2007, ish-Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë, autorizimin për procedim penal ndaj deputetit Lulzim Basha, ish-ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit (MPPT), aktualisht Ministër i Punëve të Jashtme. Sipas kësaj kërkese, ndjekja penale ndaj z. Basha përfshinte “shkelje të kryera nga zyrtarët e strukturave të MPPT-së në financimet për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë”. Pas marrjes së kësaj kërkese, sipas rregullores së Kuvendit, ajo iu kalua për shqyrtim Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, i cili i paraqiti seancës plenare të Kuvendit raportin përkatës lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për autorizim për procedim penal ndaj deputetit Basha. Në seancën plenare të 27 dhjetorit 2007, Kuvendi votoi me shumicë votash pro kërkesës për heqje të imunitetit të z. Basha. Vetëm katër muaj më pas, Kuvendi sërish duhet të nisë procedurat për heqjen e imunitetit, të deputetit Mediu. Ky i fundit me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, duhet t'i nënshtrohet hetimit penal lidhur me zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në 15 mars në një fabrikë të çmontimit të muncioneve në Gërdec. Në paraqitjen e kërkesës zyrtare, që organi i akuzës i drejton kryesisë së Kuvendit për këtë çështje, kryeprokurorja Ina Rama, tha se “gjithçka në Gërdec është kryer në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore të demontimit të armëve, e ndihmuar kjo dhe nga urdhërat e dhëna nga ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu”. Gjatë deklarimit të saj për mediat, znj. Rama tha se bilanci i deritanishëm i ngjarjes së Gërdecit përfshin 26 persona që kanë humbur jetën, rreth 250 të tjerë të plagosur, ndërsa dëmet materiale përllogariten në afro 2.4 miliard lekë ose rreth 20 milionë euro. Për të gjitha këto organi i akuzës i kërkoi parlamentit heqjen e imunitetit të z. Mediu për të vazhduar më tej ndjekjen penale. Neni 118 i rregullores së Kuvendit, parashikon "shqyrtimin e kësaj kërkese nga Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve dhe brenda 4 javëve hartohet një raport që i përcillet seancës plenare, në të cilin rekomandohet rrëzimi ose miratimi i dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit në fjalë.
“Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi i seancës, ndërkohë që Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit”, theksohet në rregullorjen e Kuvendit.
Thagma e Braçes, del si mbështetës i hetimeve të prokurorisë/Partia Socialiste ka shfrytëzuar gjatë ditës së djeshme kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Mediu, për të treguar se mbeten të përkushtuar në ndihmën e tyre në dobi të hetimeve, duke harruar se në atë institucion ka me qindra dosje kriminale që inkrimijonë në mënyrë të drejtpërderjtë njerëzit e Brades dhe Edvinit. Por, nënkryetari i grupit parlamentar në PS, nuk ka dalë ndonjë herë vullnetar si pionier në mbështetje të hetimeve të prokurorisë së Përgjithshme, për individë me lidhje të përafërta me vetë Erionin dhe Edvinin. Megjithatë, dosjet e mbushura me implikime abuzimesh nga ana e kryetarit aktual të PS-ë dhe njëherazi të Bashkisë Tiranë dhe të afërmve të Erionit, me siguri nuk ndodhen më në institucionin e organit të akuzës, pasi avokati i krimit Dhori Sollaku, ditët e fundit të punës së tij, koleksionoi dhe hodhi në kosh një pjesë të mirë të dokumenteve. Ndërsa për rastin konkret, Brace tregon vullnetarizmin e ylberistëve të PS-ë si mbështetës të hetimeve të prokurorisë në drejtim të ish ministrit Mediu. “PS-ja mbështet Prokurorinë e Përgjithshme në zbardhjen e plotë të ngjarjes së Gërdecit”, tha ai. Një ditë pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Braçe tha dje se “PS është e gatshme të mbështesë çdo kërkesë që vjen në Parlament nga organi i akuzës për hetimet e mëtejshme lidhur me çështjen ‘Gërdeci’. Grup parlamentar i PS-s, vijoi ai, është i gatshëm të mbështesë si luftën kundër krimit të organizuar apo korrupsionit, pavarësisht emrave apo personave të implikuar në to, të cilët do të jenë objekt hetimi nga institucionet e larta të drejtësisë. Braçe kërkoi që hetimet të vijojnë edhe më gjerë, duke mos u pozicionuar vetëm tek një individ, por edhe në emra të tjerë. Një ditë më parë, Kryeprokurorja Ina Rama, publikoi në një konferencë për shtyp shkeljet e evidentuara deri tani nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duke paraqitur dhe kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të tij si deputet. Në 15 mars të këtij viti, në një fabrikë të demontimit të muncioneve në Gërdec të bashkisë së Vorës, pranë Tiranës, ndodhi një shpërthim i fuqishëm, i cili shkaktoi vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve.
Mediu: Jam i hapur ndaj hetimeve për zbardhjen e çështjes “Gërdeci”/Kryetari i Partisë Republikane, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, reagoi dje lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për procedimin penal ndaj tij për shkak të ngjarjes së Gërdecit. “Jam i hapur dhe i interesuar për zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit”, tha Mediu në një konferencë për shtyp, një ditë pasi Prokuroria e Përgjithshme kërkoi nga Kuvendi heqjen e imunitetit të tij si deputet. Ai theksoi se është i vetmi funksionar publik civil dhe ushtarak që, në vlerësim të përgjegjësive morale dhe njerëzore, ka dhënë dorëheqjen pas kësaj ngjarjeje. Duke u shprehur i bindur për pafajësinë e tij ligjore, z. Mediu nënvizoi se “i jam vënë në dispozicion drejtësisë pa asnjë lloj ngurimi”. Ish-ministri i Mbrojtjes bëri publik para mediave qëndrimin e tij ndaj kërkesës së Prokurores së Përgjithshme. “Në datën 3 prill 2008 i jam drejtuar Prokurores së Përgjithshme me një letër, ku i kam konfirmuar gatishmërinë time për të dhënë shpjegime në çdo kohë lidhur me ngjarjen e Gërdecit, me qëllim zbardhjen e saj. Asnjëherë gjatë kësaj periudhe, në cilësinë e re proceduriale timen nuk më është kërkuar për të dhënë shpejgime pranë organit të akuzës, gjë e cila mundësohet nga neni 289, paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Penale”, sqaroi zoti Mediu. Ai e konsideroi hetimin e deritanishëm të njëanshëm dhe tendencioz si nga mënyra e veprimeve dhe qëndrimeve publike të Prokurores së Përgjithshme, ashtu dhe nga thelbi i kërkesës. “Tendencioziteti duket edhe në përfundimet e hetimeve të deritanishme, sipas të cilave, Forcat e Armatosura, drejtuesit përkatës të tyre, kanë qenë njëkohësisht të përjashtuara nga procesi apo të urdhëruar, duke krijuar kështu një paradoks logjik në të gjithë përmbajtjen e kërkesës”, tha Mediu. “Në analizën përfundimtare të shkakut të shpërthimit, kryeprokurorja Ina Rama konfirmoi se ngjarja ka ndodhur për shkak të moszbatimit të rregullave të sigurisë gjatë demontimit”, vijoi z. Mediu, duke shtuar se “prokurorja gjithashtu duhej të shpjegonte se cili veprim apo mosveprim konkret dhe me dashje i ministrit të Mbrojtjes dhe cili akt i firmosur prej tij ka ulur nivelin e sigurisë në këtë proces”. Ai cilësoi se “paraqitja kaq vonë e kësaj kërkesë nga Prokuroria e Përgjithshme është e pajustifikueshme dhe mbetet e kompromentueshme”. “Kam dhënë dorëheqjen si ministër i Mbrojtjes i detyruar vetëm nga morali im dhe dhimbja për tragjedinë e ndodhur, por nuk do të lejoj askënd që përgjegjësinë time morale të tentojë ta kthejë në përgjegjësi ligjore’, nënvizoi z.Mediu.
Ish- ministri i Mbrojtjes bëri publik dhe dokumentacionin e plotë, që sipas tij, fakton dhe provon të kundërtën e pretendimeve të ngritura në këtë kërkesë. “Asgjë nuk do të mundet të pengojë hetimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe aq më pak hetimet e njëanshme”, tha Mediu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›