Topalli: Imuniteti i Mediut, do veprojme si ne rastin e Bashes
Kërkesa e kryeprokurores Ina Rama për heqjen e imunitetit të deputetit, ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka rihapur edhe një herë debatin e hershëm për kufizimin e tij në mënyrë ligjore për të gjithë deputetët. Në festën e Pashkëve, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli pasi vizitoi Selinë e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, nuk ka mundur që t’i shmanget interesit të gazetarëve në lidhje me kërkesën e Kryeprokurores, duke u deklaruar e hapur për të futur edhe një herë në diskutim parlamentar nismën për kufizimin e imunitetit të deputetit me ligj. Sipas Topallit, rasti “Mediu”, ashtu si edhe rasti “Basha” bëjnë të domosdoshëm marrjen në konsideratë të kësaj nisme, si e vetmja mënyrë për t’i krijuar hapësirën e duhur ligjore organit të akuzës, që të nisë hetimet edhe mbi deputetët sa herë që e sheh të arsyeshme, pa qenë nevoja për t’iu drejtuar Kuvendit për autorizim. “Vlen për t’u theksuar se, sa të drejtë kishim në fillim të vitit 2005 kur kërkuam heqjen e imunitetit për të gjithë deputetët. Kjo është zgjidhja më e mirë. Ky është rasti, me anë të të cilit i japim vetes moralin më të fortë dhe profilin e një politikani me integritet. Unë uroj që të shfrytëzohet edhe ky rast, meqenëse herët e tjera nuk është shfrytëzuar, në mënyrë që të gjithë deputetët të pranojnë që të mos i njohin vetes imunitetin në raport me fenomene të caktuara. Ky është politikani i vërtetë”,- u shpreh kryeparlamentarja Topalli. Por, duket se një gatishmëri e tillë e shprehur nga Kryeparlamentarja nuk do të ketë asnjë vlerë konkrete, pasi imuniteti i deputetit mund të hiqet vetëm duke ndryshuar Kushtetutën, gjë që ka pak gjasa të ndodhë përsëri, të paktën për këtë legjislaturë. Ndërkohë duke folur për kërkesën e paraqitur nga prokuroria për imunitetin e Mediut, kryetarja e Kuvendit ka bërë të ditur se, për të do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore për të kaluar në fillim në Këshillin e Mandateve të Imuniteteve dhe më pas në seancë plenare, ku dhe do të votohet. “Menjëherë, në bazë të Rregullores së Kuvendit, do u dërgohen shkresat anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet. Këshilli do të mblidhet sapo të njihet me materialet dhe do të procedohet në bazë të Rregullores dhe Kushtetutës, sikurse është vepruar edhe në rastet e tjera”,- u shpreh Kryeparlamentarja. Megjithatë, pavarësisht predispozicionit të saj për ta shqyrtuar këtë kërkesë sa më shpejt, duket se edhe ajo do të ketë të njëjtin fat që pati edhe kërkesa e kryeprokurorit Theodhori Sollaku për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Transporteve, Lulëzim Basha, trajtimi i së cilës, vetëm në Këshillin e Imuniteteve mori më shumë se 5 javë kohë. Në kërkesën e saj, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama kërkon autorizim për procedim penal ndaj deputetit Fatmir Mediu. Në një letër të gjatë drejtuar Kuvendit ajo drejton një sërë akuzash ndaj ish-ministrit për veprime dhe mosveprime të tij, që sollën si pasojë tragjedinë e Gërdecit