E Diel, 1 Nëntor 2026

Po mbyllet tranzicioni - 2008 paralajmëron kandidimin e Shqipërisë për në BE

Zhurma e politikës së ditës, e amplifikuar me një zell deri diku pervers nga një pjesë e mediave vendase, nuk mundet që të anashkalojë faktin që këtë vit Shqipëria është futur në binarët e integrimit të shpejtë në Bashkimin Europian, ndërsa pret që pas një viti të aderojë zyrtarisht në aleancën më të madhe politiko-ushtarake që ka njohur bota në kohët moderne. Etja për të zbuluar skupe dhe skandale mediatike aty ku nuk ekzistojnë, dëshira e papërmbajtur dhe paradoksale për të bërë prokurorin a xhelatin ndaj një zyrtari, kur vetë organi qëndror i akuzës po kryen një punë profesionale ne hetimin e tragjedisë së Gërdecit (e pranuar kjo edhe nga vetë partia me e madhe opozitare) nuk mundet kurrsesi që të eklipsojë faktin që viti 2008, si viti i tretë i qeverisjes së koalicionit të djathtë, pavarësisht problemeve e sfidave, mund të sintezitohet si momenti i kthesës së madhe dhe vendimtare kah Evropa, mbi të gjitha kah Perëndimi, vlerat e të cilave janë evokuar rëndom në këto 18 vite tranzicion edhe nga ata që realisht historia duhet t’i kishte lënë tërësisht të mënjanuar nga qendrat e vendimarrjes politike apo qoftë edhe pozicioneve të liderit shpirtëror të këtij apo atij urdhri kalorësish të rënë nga vakti. Vetëm dy ditë më parë ambasadori i BE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, gjatë një interviste televizive duke vlerësuar kursin e reformave që po ndërmerr Shqipëria, klasifikimin e saj si shembull frymëzimi për rajonin, ka paralajmëruar se po afron momenti që Shqipëria të kandidojë edhe formalisht për anëtarësim të plotë në BE. “Shqipëria është një vend potencial kandidat dhe ka një perspektivë të qartë evropiane në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE. Është normale që departamenti administrativ në BE të merret me Shqipërinë, sepse është departamenti që ka më shumë eksperiencë kundrejt vendeve kandidate për në BE” - deklaroi zoti Lohan, duke theksuar përgjegjësinë e klasës politike që ka një rol të veçantë në këtë proces. Paralelisht me këtë vlerësim, procesi i ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me BE-në po ecën me rrtiem të shpejta. Me Danimarkën dhe Maltën, rezulton se mbi dy të tretat e vendeve anëtare të unionit kanë miratuar në parlamentet respektive aktin historik të nënshkruar në 12 qershor të vitit 2006. në rastin më të mirë ky proces përmbyllet brenda këtij viti ose maksimumi brenda tremujorit të parë të vitit të ardhshëm, prej nga ky vendi pritet që të hyjë në një tjetër proces që e sheh si vend kandidat për anëtarësim në NATO, status që fqinji ynë Maqedonia e ka fituar para dy vjetësh e megjithatë për shkak të problemeve të brendshme me korrupsionin, pakicat etnike dhe atë të jashtmin, për çështjen e emerit me Greqinë, ka mbetur prapa në këtë proces dhe njëkohësisht është penalizuar me një vonesë në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Në kontrast me të Shqipëria, e cila ka sfida të natyrave krejt të ndryshme, ka ditur që edhe këto të fundit të’i përballojë, sidomos muajt e fundit me një maturi të admirueshme e cila nuk është ndikuar aspaki nga tendencat recidive të disa individëve apo partive politike të cilat haptazi shprehin nevrasteninë e tyre ndaj klimës së qetë politike. Dhe vlerësimet personale të presidentit amerikan Xhorxh W. Bush për progresin e admirueshëm në reformat e mëdha apo edhe të shteteve që përbëjnë boshtin e BE-së siç është Franca, nuk përbëjnë veçse një detyrim me tepër për të mos e humbur këtë mirëbesim.
Shqiptarët e Amerikës festojnë marrjen e ftesës për në NATO/Shqiptarët që jetojnë në Uster (Worcester, Massachusetts SHBA) kanë festuar së bashku ftesën e Shqipërise për anëtarësim në NATO dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Nismëtare e kësaj feste të organizuar ditët e fundit ishte Shoqata Atdhetare Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Kombi”, që sapo ka nisur rrugën për njohjen dhe veprimtarinë e saj. Përmes një njoftimi për shtyp të kësaj shoqate bëhet e ditur se rreth 250 pjesëmarrës nga Uster, por edhe nga Bostoni, Kenektikati, Nju-Jorku përfaqësonin në këtë festë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, që punojnë e jetojnë në SHBA. Mes tyre kishte dhe miq amerikanë, individë dhe organizata që 10 vjet më parë u bënë pritësit e zbutjes së krizës në Kosovë, si pasojë e genocidit serb. Po sipas këtij njoftimi, kryetarja e bashkisë së Usterit, Konsantina B. Lukes, me origjinë shqiptare, tha se “ne shqiptarët po bëjmë histori”. Unë, vijoi kryebashkiakja, “jam e para grua dhe e para shqiptare që kam një post të tillë, zgjedhur me votë, por me bindje them se do të kemi të tjerë bashkiakë dhe njerëz të shquar”. Në ceremoninë festive përshëndetën Ilir Spahiu, Dalip Karameti dhe Shyqyri Bytyçi, të cilët nënvizuan se “Pavarësia e Kosovës është një gëzim sa edhe 28 Nëntori për mbarë shqiptarët”. Ata vlerësuan se ftesa për anëtarësim në NATO shënon në historinë tonë një fitore, por po aq është një sukses i shteteve demokratike, i SHBA-së dhe Evropës së Bashkuar dhe forcave përparimtare”.

 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›