E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni dhe çështja e pronave, BB kritika qeverisë

SHKRUAN: Blerina Hoxha 14-09-2011 12:37

Niveli i lartë i korrupsionit, çështja problematike e pronave dhe administrimi i borxhit publik, janë tre shqetësimet në fokus të Bankës Botërore. Ato janë bërë të ditura nga drejtoresha për Europën Juglindore në Bankën Botërore, Jane Armitage, dje në konferencën “Drejt një qeverisje më të mirë”, e organizuar nga BB, ku i pranishëm ka qenë edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha. "Perceptimi i korrupsionit, në sensin e atyre që paguajnë ryshfet, ka ardhur në rënie në tre vitet e fundit, sipas studimeve tona, por është sërish i lartë dhe është më i lartë se sa në vendet fqinje. Mbetet ende shumë punë për t'u bërë në këtë drejtim", tha Armitage. Zyrtarja e lartë e Bankës Botërore nënvizoi se në Ballkanin Perëndimor qeverisja është e rëndësishme dhe për procesin e integrimin në BE, dhe se depolitizimi i administratës, lufta kundër korrupsionit, dhe e drejta e pronës janë disa nga çështjet shumë të rëndësishme për BE. “Qeveritë nuk duhet të lejojnë gjithashtu praktikat korruptive”- tha Armitage. Duke iu referuar qeverisë shqiptare, e vlerësoi për stabilitetin. Dhe lufta kundër krimit është një shembull i mirë, “por duam të shohim përmirësim”- theksoi Armitage. “Besojmë se qëndrueshmëria në rritjen ekonomike është rezultat i drejtpërdrejtë i qeverisjes së mirë”- tha Armitage, duke shtuar se “Është e rëndësishme që qeveria të luftojë korrupsionin edhe në shumë sektorë, si mjekësi, transport dhe në sektorë të tjerë ku qeveria është e përfshirë, në mënyrë që burimet të investohen në mënyrë transparente”. BB ka mbështetur qeverinë dhe në një sërë projektesh për përmirësimin e mjedisit të biznesit në Shqipëri. Duke iu referuar qeverisë shqiptare, por dhe qeverive të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, ajo nënvizoi se “Vendet që arrijnë të menaxhojnë në mënyrë transparente burimet e tyre dhe sjellin rregulla të mira tërheqin më shumë investime dhe ofrojnë shërbime më të mira për qytetarët. Është shumë e rëndësishme që këto vende të përmirësojnë qeverisjen, që të nxisin investitorët që po kërkojnë në të gjitha vendet se ku mund të dërgojë investimet”. Banka thotë se ulja e korrupsionit dhe zgjidhja e çështjes së pronave janë jetike për të mos lënë ekonominë të zhytet edhe më thellë në vorbullën e krizës dhe pasigurive të mëdha që vijnë nga kriza europiane e borxheve. "Të gjithë janë të shqetësuar se kriza e borxheve në Eurozonë dhe normat e ulëta të rritjes do të godasin ekonomitë në zhvillim të rajonit. Shqipëria është shumë e lidhur me prosperitetin ekonomik të Europës Perëndimore. Normat e rritjes ekonomike nuk janë më si më parë dhe është e rëndësishme që qeveria të ulë borxhin publik e për këtë i duhet të miratojë buxhete me deficit më të lartë se 3 për qind", tha Armitage. Ndërsa kryeministri Berisha tha se toleranca ndaj korrupsionit do të jetë zero, që, sipas Berishës, më parë duhet të fillojë nga vetja. “Qeveria është e angazhuar me luftën zero tolerancë ndaj korrupsionit, nuk ka armik më të etur për njeriun e lirë se korrupsioni. Ai është fenomeni më negativ në shoqëri. Është përcaktues në suksesin e gjithë reformave të tjera. Asnjë reformë nuk mund të ketë një sukses pa një luftë kundër korrupsionit, askush nuk është imun ndaj korrupsionit. Luftën kundër korrupsionit do e fillojmë nga vetja jonë.” Duke përmendur arritjet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, Berisha theksoi se brenda një kohe të shkurtër popullata e burgjeve është dyfishuar, ndërkohë deklaroi si primare barazinë para ligjit, kush kryen vepra kriminale. “Kërkojmë një politikë të ashpër, taks-forcat kanë zhvilluar çdo vit kontrolle te qindra zyrtarë të niveleve të ndryshme, por do faktojnë se me këtë vepër qytetarët dhe zyrtarët janë të barabartë para ligjit.”- theksoi Berisha. Kryeministri vlerësoi si çështje serioze problemet me pronësinë, që, sipas tij, është çelësi thelbësor për të shmangur aktet kurruptive në administratë. “Problemet me pronësinë janë një problem serioz që duhet të marrë zgjidhje me regjistrin e tokës. Banka Botërore ka angazhuar fonde në këtë drejtim, qeveria ka krijuar një taks-forcë të kryesuar nga Kryeministri, duke e konsideruar regjistrin e pronës, pas regjistrit të gjendjes civile, regjistër themelor. Regjistri i pronës është kusht themeltar për të zvogëluar rolin e faktorit pronë si gjenerator aktesh korruptive në administratë”,- nënvizoi kryeministri Berisha.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›