E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma e pensioneve, konsultimet nisin në tetor

Konsultimet për reformën e pensioneve në Shqipëri do të fillojnë më 1 tetor të këtij viti. Pak ditë më parë kryeministri Berisha bëri të ditur se do të ketë një reformë gjithëpërfshirëse në pensione. Drejtore e Bankës Botërore për Shqipërinë, Jane Armitage, deklaroi për median se qeveria shqiptare ka kërkuar ekspertë nga institucioni që ajo përfaqëson, për të gjetur një formulë për reformën e pensioneve dhe pohoi se puna do të nisë në tetor të këtij viti. Aktualisht, mosha e daljes në pension është 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë, pasi kanë përmbushur 35 vite periudhë sigurimi. Rreth 570 mijë vetë përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore. Nga këta, 385 mijë pensionistë janë të zonave urbane, 160 mijë janë të zonave rurale dhe 25 mijë bëjnë pjesë në kategori të veçanta, si invalidë, minatorë etj. Pensioni minimal në qytet gjatë vitit ishte 12 mijë lekë dhe në fshat rreth 6 500 lekë. Armitage tha se Banka Botërore do të vazhdojë mbështetjen e politikave qeveritare për uljen e ndikimit të krizës ekonomike globale në vend.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›