Pasionet sportive të presidentëve
Janë burra të fortë shteti. Presidentë, kryeministra, mbretër, apo princër. Drejtojnë superfuqi ekonomike apo ushtarake. Edhe pse agjenda e tyre është e zënë, ata gjejnë kohën të ushtrohen me sport, apo të mos mungojnë në stadiume kur luajnë ekipe e tyre të zëmrës.
BARAK OBAMA
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë viteve të kolegjit ka luajtur basketboll, madje sipas mediave amerikane, ai ka qenë një lojtar i nivelit të pranueshëm. Obama është fotografuar duke luajtur basketboll në një bazë ushtarake amerikane në Xhibuti. Presidenti amerikan është i njohur si një tifoz i “Chicago Ëhite Sox”, një ekip bejzbolli nga Çikago. Ai ka qenë i pranishëm në finalen e Super Boul, vetëm 12 ditë pasi kishte marrë zyrtarisht detyrën si president. Obama ka pasur pasion edhe golfin, madje ishte një mik i mirë edhe lojtarit më të paguar në botë, Tajgër Udsit, duke i telefonuar e këshilluar këtë të fundit gjatë periudhës së skandalit me të shoqen të këtij të fundit.
XHORXH BUSH
Edhe ish-presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush, ka qenë një i pasionuar i madh i sportit. Ai kishte në bashkëpronësi ekipin e bejzbollit të Texas Rangers. Gjatë kohës si student ai ka luajtur bejzboll, por dhe një lojtar i nivelit mesatar i ragbisë. Bushi zhvilloi një garë miqësore me Lens Armstrongun në fermën e tij të Teksasit. Gjatë një vizite në Kinë, kur në Pekin zhvilloheshin Lojërat Olimpike ai përshkroi 16 kilometra me biçikletë, përfshirë edhe 6 kilometra në një shpat mali, i shoqëruar nga gjashtë çiklistë. Bushi kishte ngarë një biçikletë në Pekin në vitin 1975, kur i ati i tij, Xhorxh Bush, kishte hapur një zyrë lidhjeje amerikane. Edhe babai i tij, ish-presidenti Xhorxh Bush ishte kapiteni i ekipeve të bejzbollit dhe futbollit në kohën kur ishte student në Akademinë Filips.
BILL KLINTON
Bill Klinton, ish-presidenti amerikan (2 mandate, 8 vjet në detyrë) ka qenë një fans i zjarrtë i golfit. Madje duke e pasur pasion, por dhe një defekt ai ka marrë mësime golfi edhe gjatë kohës kur ai ishte në detyrë. Bill Klinton është i pasionuar pas futbollit, madje ishte i pranishëm në dy ndeshje të Shteteve të Bashkuara në Kampionatin Botëror të Afrikës së Jugut.
DIMITRI MEDVDEV
Presidenti 44-vjeçar rus, përveç se është një fans i muzikës hard rok (dëgjon me shumë pasion Led Zeppelin, Black Sabbath, Pink Floyd dhe Deep Purple) e ka një agjendë shumë të zënë, rezervon çdo ditë një horë në mëngjes dhe një orë në mbrëmje për të notuar, rreth 1500 metra dy herë në ditë. Trupshkurtër, por edhe truplidhur, Medvedevi në moshën e gjimnazit kishte një pasion të madh për sportet, dhe në veçanësi për peshëngritjen. Në vitin 1987, kur ai ishte vetëm 22-vjeç ai u përfshi në grindjen masive që shpërtheu gjatë ndeshjes së hokeit midis Kanadasë dhe Rusisë në turneun botëror për rinj. Medvedev gjithashtu luan shah dhe është një tifoz i madh i ekipit të qytetit të tij, Zenit Saint Petersburg. Nga ana tjetër pasuesi i Putinit është një fotograf amator (një nga fotografitë e tij është shitur për bamirësi 1.75 milionë dollarë). Medvedev mban një akuarium në zyrën e tij dhe i ushqen peshqit vetë.
VLADIMIR PUTIN
Ish-presidenti dhe kryeministri aktual i Rusisë, Vladimir Putin, një ish-shef i KGB-së, është i pasionuar në artet marciale, e sidomos në xhudo. Putini është trajnuar edhe në sambo, qysh në moshën 14 vjeç, përpara se të merrej me xhudo, të cilën vazhdon ta praktikojë çdo ditë. Putini ka fituar disa kampionate për të rinj në qytetin e tij, Saint Petersburg. Putini është gjithashtu bashkautor i një libri për xhudon. Edhe pse ai nuk është lideri i parë që praktikon xhudon, Putin është i pari lider në nivelet të avancuara. Putini është nderuar me medaljen “Mjeshtër i Sporteve”, për xhudon në vitin 1975 dhe sambon në vitin 1973. Gjatë një vite shtetërore në Japoni, Putini i ftuar nga instituti Kodkan, u tregoi studentëve dhe zyrtarëve japonezë teknika të ndryshme të xhudos.
MBRETI ABDULLAH
Edhe mbreti King Abdullah i Jordanisë njihet si në një njeri me shumë pasione për skitë, garat e rrelit dhe zhytjeve në ujë. Abdullah është një pasionuar i madh i motiçikletave dhe në garazhin e tij ka disa Harli-Davidson, madje është fotografuar në Karolinën e Veriut në korrik të këtij viti. Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad është shprehur në favor të ndjekjes nga ana e femrave të ndeshjeve të futbollit të meshkujve.
PRINCI ALBERT
Princi Albert i Monakos është një tjetër i pasionuar pas sportit, madje ai është martuar me notaren nga Afrika e Jugut, Çarlen Uitstok. Princi Albert dhe Çarlen kanë qenë së bashku në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore “Torino 2006”, por dhe në ato Verore, “Pekin 2008”. Në Monako zhvillohet Çmimi i Madh i Formula 1 dhe princi Albert e ndjek me pasion garën.
MBRETI HARALD V
Mbreti i Norvegjisë, Haraldi V, në rininë e tij ka qenë një i sportist i garave me varka dhe jahte. Ai ka përfaqësuar Norvegjinë në Lojërat Olimpike të Tokios (1964), Meksikës (1968) dhe Munihut (1972), ku ka fituar edhe medalje të arta, argjendi dhe bronzi. Në Tokio ai ka qenë madje flamurmbajtësi i Norvegjisë.
GEORGE ABELA
Presidenti i Maltës, George Abela, është një njeri i lidhur me futbollin. 62-vjeçari, i cili është diplomuar për jurist, ka qenë më parë president i klubit të futbollit, Qormi FC, e më pas është zgjedhur president i Federatës Malteze të Futbollit, ku solli shumë ndryshime pozitive brenda federatës, përmirësoi infrastrukturën. Lojtarët maltezë në kohën e tij u angazhuan për herë të parë në stërvitje me baza profesionale.
SILVIO BERLUSKONI
Edhe pse ai nuk është president, por kryeministër i Italisë, përfshirja e tij në këtë listë është e natyrshme. Presidenti aktual i Milanit, klubit me më shumë trofe ndërkombëtarë në botë. Berluskoni deklaroi së fundi se pasioni i tij për futbollin e ka bërë atë dhe familjen e tij të shpenzojë gjatë 25 viteve si president i Milanit, më shumë se 1 miliardë euro.
DAVID KAMERON
Kryeministri i ri britanik, David Kameron, është një i pasionuar pas vrapimeve, madje edhe në minimaratonat promocionale, ku ka ai ka vrapuar përkrah atletëve me emër, përfshirë dhe pjesëmarrës anglezë në Lojëra Olimpike, si Kristin Ohurugou dhe Kolin Xhakson, ish-kampione e botës në vrapimin me pengesa.
BOJKO BORISOV
Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov (51 vjeç), ka qenë aktiv në kampionatet e karatesë, qysh nga viti 1978, kur ai i ishte 19 vjeç dhe konsiderohet si një i dashuruar me artet marciale. Borisov ka qenë kampion në vendin e tij, madje edhe president i Federatës Bullgare të Karatesë. Borisov ka qenë gjithashtu për shumë vite trajneri i ekipit Kombëtar bullgar të karatesë, si gje një gjyqtar ndërkombëtar karateje.
REXHEP ERDOGAN
Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan ka qënë një futbollist gjysmë-profesionit për një periudhë gati 13-vjeçare (1969-1982). Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl ëhtë një tifozë i thekur i Beshiktashit të Stambollit. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, gjatë rinisë së tij ka luajtur vaterpol me Partizanin, por u tërhoq për shkak të dëmtimit. Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç, në rininë e tij ka qenë një futbollist premtues. Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, ka qenë një volejbollist kampion, madje ka qenë edhe presidenti i Shoqatës së Sporteve të Greqisë.
HUGO ÇAVEZ
Presidenti shumë i meditiatizuar i Venezuelës, Hugo Çavez, i konsideruar edhe si një mik personal i legjendës së futbollit argjentinas, Diego Armando Maradona, është një i pasiouar i bejzbollit.
VASLAV KLAUS
Presidenti i Çekisë, Vaslav Klaus, sot 69 vjeç, në rininë e tij ka luajtur basketboll dhe volejboll në ligat inferiore. Ai ka qenë dhe një lojtar aktiv tenisi dhe skiator i nivelit të pëlqyeshëm. Presidenti i Austrisë, Heinc Fisher, është një pasionuar i madh i ngjitjeve malore, dhe për një kohë të gjatë presidenti i shoqatës “Miqtë e natyrës”.
IVAN GASPAROVIÇ
Presidenti i Sllovakisë, Ivan Gasparoviç, është një tifoz sporti, kryesisht i botës së motorëve dhe hokeit në akull, që është edhe sporti kombëtar i Sllovakisë. Ai ka qenë një nga liderit e klubit sllovak të hokeit, Slovan Bratislava. Ai ka qenë gjithashtu zëvendëspresident i këtij klubi.
MARKUS STEFËN
Nga peshëngritës në president të Republikës. Kjo është ngjitja e jashtëzakonshme e presidentit të shtetit Nauru në zonën e Oqeanisë, Markus Stefën, një pjesëmarrës i rregullt në gjashtë kampionate botërore të peshëngritjes dhe i diplomuar në menaxhim biznesi. Peshëngritësi-president, i cili ka marrë pjesë dy herë në Lojërat Olimpike, “Barcelona 2002” për Samoan dhe “Sidnej 2006” për Naurunë, fitoi 12 medalje të arta në Lojërat e Oqeanisë, dukë u futur përjetësisht në Sallonin e Famës të Peshëngritjes.
MILO GJUKANOVIÇ
Kryeministri gjigant i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç (190 cm) ka qenë një basketbollist aktiv gjatë rinisë së tij. Gjukanoviç është një prej burrave të shtetit më të gjatë në botë.
Brajan Koen, kreu i qeverisë së Irlandës, është një anëtar i Shoqatës së Sporteve Galike të Irlandës, me gati një milion anëtarë.
CHUNG UN-CHAN
Kryeministri i Koresë së Jugut, Chung Un-Chan është një fans i bejzbollit dhe tifoz i deklaruar i ekipit të koreanojugor të bejzbollit Dosaa Bears, por edhe i amerikanëve të Nju Jork Jankis. Edhe kryeministri i Fixhit, Josaia Voreqe Bainimarama, është një dashamirës entuziast pas sportit. Ish-ushtaraku 56-vjeçar është i pasionar pas regbisë dhe atletikës, madje ka qene edhe presidenti i Unionit të Regbisë në vend.
Nga Topi te Nano, të lidhur pas futbollit
Presidenti i Republikës ka qenë një ish-president i Tiranës, ish-kryeministri Nano është një tifoz i Interit
Edhe politikanët më të njohur shqiptarë janë të njohur për pasionet e tyre për sportin, por midis tyre spikat edhe mbreti Zog ka qenë një i pasionuar pas peshëngritjes.
BAMIR TOPI
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, është një tifoz i vjetër i futbollit. Ai është fans i Tiranës, klubit rekordmen përsa u përket titujve në vend (24 bërë kampion, 13 herë fitues i Kupës së Shqipërisë), dhe ka qenë ish-president i saj, përpara se të jepte dorëheqjen për shkak të detyrës.
SALI BERISHA
Nuk është shfaqur si tifoz i thekur, madje ka ndjekur pak ndeshje gjatë kohës që ai ka qenë president apo kryeministër. Gjatë Botërorit të Afrikës është shfaqur me deklaratat e tij në grupin parlamentar të PD-së, si tifoz i Argjentinës.
FATOS NANO
Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, është një pasionuar i madh i futbollit. Në Shqipëri bën tifo me Partizanin, ndërsa në Itali është besnik deri në vdekje të Interit, edhe pse një nga miqtë e tij më të mëdhenj është kryeministri italian, Silvio Berluskoni, presidenti aktual i Milanit.
ALEKSANDËR MEKSI
Ish-kryeministri Aleksandër Meksi është një tifoz i vjetër i Partizanit dhe Mançester Junaitid në Angli. Edhe ish-kryeministri Bashkim Fino është tifoz me Partizanin. Ish-kryeministri Ilir Meta në rininë e tij ka ushtruar peshëngritjen, ndërsa kryetari aktual i Partisë Socialiste, Edi Rama, është marrë me basktboll.
ILIR META
Ministri i Jashtëm e njëherësh edhe zëvendëskryeministri i Qeverisë aktuale, Ilir Meta, ka ushtruar sportin e peshëngritjes në rininë e tij. Meta, i cili më parë dhe ka qenë kryeministër (1999-2002), ka qenë peshëngritës, fillimisht me Tiranën, e më pas me te Dinamo e Partizani, për një periudhë të shkurtër. Pavarësisht se nuk ka pasur ndonjë rezultat, ka qenë një sportist i pasionuar.
AHMET ZOGU
Mbreti i shqiptarëve, Ahmet Zogu (1928-1939) ka qene i pasionuar pas peshëngritjes. Një foto e madhe e Zogut (lindi, më 8 tetor 1895, vdiq më 9 prill 1961) është publikuar edhe në revistën e Federatës Europiane të Peshëngritjes. Në fakt, Ahmet Zogu e ka ushtruar sportin e peshëngritjes, por këtë më tepër e ka bërë më tepër si një ushtrim gjimnastikor, për të mbajtur trupin në formë.
6 Gusht 2010