E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, Berisha i blinduar në shesh

Qeveria organizoi dje ditën festive për Shqipërinë në NATO, nën masa të larta sigurie dhe shpenzime të mëdha


Premtimi i Berishës: Do të shkojmë drejt 28 qershorit për zgjedhje të lira dhe të ndershme


TIRANË - Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk e kishte përshkruar në këmbë bulevardin "Dëshmorët e Kombit", që kur ishte në opozitë dhe protestonte për rrëzimin e qeverisë socialiste të kohës. Anëtarësimi në NATO dhe festa e organizuar dje nga qeveria, risollën sërish një itinerar të njohur prej vitesh nga ana e PD-së, atë të manifestimit përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", duke filluar nga sheshi "Nënë Tereza".

Një festë e mirorganizuar deri në detaj, po aq edhe e tepruar, si nga masat e larta të sigurisë që u morën, ashtu edhe nga shpenzimet e mëdha. Një ngjarje historike për Shqipërinë, siç është ajo e anëtarësimit të saj në NATO, e cila u shfrytëzua së tepërmi dje nga qeveria aktuale. Një ceremoni festive dhe pompoze, që me mbërritjen e delegacionit shqiptar në orën 12.00 të mesditës, dhe që në fillesë, pa praninë e opozitës.

Asnjë prej përfaqësuesve të opozitës nuk ishte pjesë e kësaj feste, po aq edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili është larguar pasi ka mbajtur fjalën përshëndetëse, më të mbërritur në Rinas.

Presidenti Topi dhe më pas Kryeministri Sali Berisha, u uruan nga Rinasi shqiptarëve hyrjen në NATO, ndërsa u shprehën dhe njëherë falënderime anëtarëve të NATO-s. Më pas, eskorta e delegacionit shqiptar është nisur në Tiranë, nën masa tejet të tepruara sigurie, të shoqëruar nga dhjetëra makina, ku valëviteshin flamuri shqiptar dhe ai i NATO-s.

Kryeministri Berisha ka mbërritur në Tiranë vetëm në orën 14.00 të pasdites, për të rifilluar festimet në orën 18.00 në sheshin "Nënë Tereza", ku Kryeministri u njoh me instalacionin e ideuar nga Akademia e Arteve, që një vit më parë fitoi çmim në Bienalen e Selanikut. Më pas, Berisha përshkoi në këmbë bulevardin "Dëshmorët e Kombit".


Masat e larta të sigurisë


Ajo që të binte në sy dje, ishte prania e madhe e forcave të policisë dhe jo vetëm. Gjithë Garda e Republikës kishte zbritur në bulevard, që të siguronin mbrojtjen e Kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë, nga qytetarë krejt të paqtë, që kishin dalë për të festuar.

Kësaj panorame nuk i mungonte as kordoni i policisë, i zgjatuar në të dyja anët e bulevardit "Dëshmorët e Kombit", pa llogaritur më dhjetëra makina policie, deri dhe oficerë e ushtarakë. Të gjithë në shesh, teksa Berisha përshkonte bulevardin, për të përfunduar rrugëtimin në sheshin "Skënderbej", me një koncert të madh me këngëtarë të njohur nga Shqipëria dhe Kosova.

Berisha: Zotimi, zgjedhjet e lira


Ende pa u hapur koncerti, Kryeministri Berisha mbajti fjalën përshëndetëse, ku ndër të tjera theksoi se, mbështetjen e ndërkombëtarëve për anëtarësimin, Shqipëria do ta shndërrojë në konsolidimin e vlerave dhe parimeve, mbi të cilat NATO është ndërtuar.

"Ne, le t'i garantojmë ata se me reformat e mëdha dhe të gjithanshme, ne shqiptarët do t'u përgjigjemi me besnikëri të madhe të gjitha kërkesave të Aleancës, do marrim pjesë në të gjitha misionet e saj civile dhe ushtarake, për çdo nevojë. Ne do të shkojmë drejt zgjedhjeve të 28 qershorit për zgjedhje të lira, të ndershme",- tha Berisha, i cili më pas ka dëgjuar në shesh, bashkë me anëtarët e kabinetit qeveritar dhe drejtues të partive aleate, grupin "Elita 5", për t'u shkëputur më pas nga koncerti festiv.


Tubimi, PD mobilizon rrethet

TIRANË- Tubimit të djeshëm nuk kishte si të mos i mungonin mjaft elementë, që të kujtonin se ceremonia e djeshme mund të kthehej qartazi në një miting të mirëfillte elektoral.

Pa vënë në dyshim dëshirën e qytetarëve për të festuar, koncertit të djeshëm nuk i kanë munguar flamujt e PD-së, (edhe pse të paktë nga herët e tjera), si dhe pankartat e Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Në të njëjtën kohë, ka pasur organizime me autobusë nga e gjithë Shqipëria, teksa hidhje sytë në shesh dhe dallojë parulla sipas qyteteve, nga kishin ardhur militantë të Partisë Demokratike, për të ndjekur koncertin.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për aktivizimin e shkollave, ku, duke filluar nga sheshi "Nënë Tereza", përgjatë bulevardit, por edhe ne sheshin "Skënderbej", binte në sy prania e mjaft gjimnazistëve dhe e mësuesve të shkollave të mesme.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›