Elbasan, 200 familje marrin ujë të ndotur
Higjiena, bashkia dhe ndërmarrja e furnizimit me ujë i hedhin fajin njëra-tjetrës në lidhje me problemin e ujit të ndotur
Higjiena: Situatë problematike, uji i papastër, në raste shirash hyn i gjithë në tubacione
ELBASAN- Rreth 200 familje në vendin e quajtur Belebej furnizohen me ujë të ndotur ndërsa institucionet mundohen të justifikohen duke e kaluar tek njëra-tjetra përgjegjësinë. Situata paraqitet alarmante në këtë pjesë të lagjes "Emin Matraxhiu" pasi tubacionet ndodhen brenda në kanalin ku qarkullojnë ujërat e zeza.
Shqetësimin e ka ngritur fillimisht Drejtoria e Higjienës në Elbasan, e cila deklaron se ka konstatuar vonesa dhe mosndërhyrje të ndërmarrjes për furnizimin me ujë të pijshëm në riparimin e defekteve në tubacionet e ujit të pijshëm. Madje kjo drejtori i ka nisur një shkresë edhe prefekturës mbi problemet e konstatuara në pritje të një përgjigjeje nga kompania që ka në koncesion furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit të Elbasanit.
Përgjegjësi për Higjienën, Agim Banushi thotë se specialistët kanë konstatuar se në vende të ndryshme në qytetin e Elbasanit është ndërhyrë mbi një muaj me vonesë nga ndërmarrja aq sa këto pika janë kthyer në problem pasi uji i papastër, në raste shirash, hyn i gjithë në tubacione dhe si pasojë krijohen probleme me cilësinë duke u kthyer në një rrezik potencial për sëmundje të ndryshme.
Banushi thotë se pikat ku është ndërhyrë me tepër vonesë nga ndërmarrja janë në lagjen "5 Maj" tek Kisha, tek Kinezët, ish-Rrobaqepësia ndërsa pikat ku ende nuk është ndërhyrë është Belebej në lagjen "Emin Matraxhiu". Sipas tij, justifikimi i ndërmarrjes ka qenë se merrte leje me vonesë nga bashkia megjithëse tek "Emin Matraxhiu" ku situata është mjaft problematike nuk ka nevojë për çarje asfalti.
"Ne i monitorojmë dy herë në ditë ujin e pijshëm në 25 pika. Ende nuk kemi probleme por shtimi i temperaturave mund t'i kthejë këto defekte në një shqetësim të madh pasi uji i ndotur shkakton sëmundje",- tha Banushi.
Por kreu i ndërmarrjes që ka në administrim ujin e pijshëm të qytetit të Elbasanit hedh poshtë akuzën për ndërhyrje të vonuara apo mosndërhyrje.
Atila Gjyladin thotë se nuk ka një reagim nga Higjiena për analizat e ujit, që mund të kenë dalë me probleme. Sipas tij, ajo ka në dorë të monitorojë ujin dhe nëse konstaton probleme atëherë mund ta mbështesë shqetësimin e saj. "Unë deklaroj me gjithë përgjegjësinë se nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë që për një defekt të kontaktuar të mos riparohet.
Nuk është në interesin tonë, është humbje uji nëse e leme të pariparuar defektin. Ne jemi një ndërmarrje që mbahemi nga të ardhurat tona dhe nuk mund të lejojmë me muaj rrjedhje të rrjetit për ujin e pijshëm",- tha Gjyladini.
Në lidhje me mosmarrëveshjet me bashkinë, Gjyladini përgjigjet se riparimi i rrugëve pas riparimit të defektit është një problem që ka bërë që lejet të kenë procedura më të zgjatura. "Procedurat e bashkisë i zbaton vetë bashkia dhe mund të zgjasë marrja e lejes.
Bashkia ka një shqetësim objektiv për shkak të ndërhyrjeve tona. Për të qenë korrekt ka disa pika ku ne kemi ndërhyrë për riparim ose investim të cilat nuk janë rikthyer në gjendjen e mëparshme dhe nëse janë rikthyer, kjo nuk ka ndodhur në standardin e kërkuar. Për këtë ne nuk mund ta mohojmë përgjegjësinë tonë",- tha ai.
Tubacionet e çara duken qartë në anë të rrugës ndërsa banorët shprehen se nuk i ndihmon askush
Banorët: Fëmijët pijnë ujë të ndotur
Teksa lëviz nga Drejtoria e Higjienës për tek Sigurimet shikon sesi nga pika të ndryshme, gropa apo çarje del ujë i pastër që mendohet se vjen nga tubacionet e çara. Pikat janë disa në këtë pjesë të lagjes "Beqir Dardha" dhe banorët të thonë se rrjedhja e ujit ka kohë që vazhdon por askush nuk është parë t'i riparojë.
Problemi më i madh përqendrohet në vendin e quajtur "Belebej" ku banorët konsumojnë ujë mes ujërave të zeza. Sapo zbret poshtë tunelit të hekurudhës, që të çon në këtë lagje e kupton këtë shqetësim pasi pikërisht aty tubacionet duken qartë se janë të dëmtuara dhe pak më tej shikon sesi del uji i pijshëm dhe përzihet me ujërat e zeza të një kanali mjaft problematik që del tek Gorga.
Xhevahir Toromani banon pak metra larg vendit ku uji i pijshëm del e bashkohet me ujërat e zeza. "Siç mund ta shikoni, tubacioni është i çarë nën kanalin me ujëra të zeza dhe tani gurgullon por kur ikën uji.
Çdo gjë që ndodhet këtu jashtë hyn brenda në tubacionin e ujit të pijshëm. Ne jemi të kërcënuar dhe kuptohet shumë mirë nga se. Këtu gjithçka është e pambrojtur dhe ne kemi frikë të pimë ujë. Kemi fëmijë dhe ujin e pimë nga ky tubacion",- thotë ai.
Srita Hida është një tjetër banore e kësaj lagjeje. Ajo thotë se shpesh ku mbush ujin, seç ndjen një erë e cila sipas saj vjen për shkak të kanalit të ujërave të zeza që përzihet me tubacionin e ujit të pijshëm.
"Ne nuk kemi çfarë t'ju themi sepse ju duhet ta shikoni vetë se me çfarë uji furnizohemi. Këtu në këtë lagje është skandal uji i pijshëm",- thotë ajo.