Në pranga pas festës private me minorenen

LEZHË – Kaloi dy ditë “festë private” me të dashurën minorene, apo tentoi që ta trafikonte jashtë vendit, mbase për prostitucion? Këtë duhet të zbardhë tashmë prokuroria, pas arrestimit të kryer në mbrëmjen e së shtunës së 34-vjeçarit Ridi Ndreca. Agjentët e Antitrafikut të Drejtorisë së Policisë së Lezhës, mësohet se mbrëmjen e dy ditëve më parë kanë bërë të mundur arrestimin e Ridi Ndrecës, nga fshati Fan i rrethit të Mirditës. Arrestimi i tij u krye pas akuzës së prindërve të një të miture, se ky shtetas kishte marrë dhe kishte kryer marrëdhënie intime me minorenen, duke e mbajtur atë dy ditë në një banesë të braktisur në fshatin Fan të Mirditës. Familjarët e minorenes pas kthimit të vajzës së tyre në banesë dhe pasi kanë mësuar ngjarjen, kanë kryer edhe denoncimin në Komisariatin e Policisë së Mirditës së bashku me vajzën e tyre. Arrestimi i Ridi Ndrecës është kryer në orën 21:00 të ditës së shtunë, ndërsa ai tentonte për të vajtur tek të afërmit e tij në fshatin Tale të Lezhës, pasi kishte mësuar se prindërit e minorenes së bashku me vajzën e tyre kishin bërë edhe denoncimin për të. Burime zyrtare të policisë së Lezhës bëjnë të ditur se një minorene ishte larguar nga shtëpia e saj më datë 10 korrik 2008. Me të parë mungesën e vajzës në banesë, prindërit e vajzës kanë kryer edhe denoncimin në policinë e Mirditës, të shqetësuar për mosgjetjen e vajzës në banesë. Menjëherë policia lokale në bashkëpunim me kolegët e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Lezhës kanë bërë shpalljen në kërkim të minorenes, si dhe shpërndarjen e fotos së saj për identifikimin sa më shpejt të vendndodhjes së minorenes. Dy ditë më vonë, adoleshentja është rikthyer në shtëpinë e saj, duke treguar gjithçka i kishte ndodhur dhe duke pranuar se ka qenë nën shoqërinë e të dashurit të saj, Ridi Ndreca. Por këmbëngulja e vajzës “së vogël” se ajo kishte vajtur me të me dëshirën e saj, nuk ka bindur as prindërit dhe as policinë, të cilët pas marrjes së denoncimit për ngjarjen e ndodhur, kanë bërë dhe shpalljen në kërkim të 34-vjeçarit Ridi Ndreca. Dyshohet se veprimet e shpejta të policisë që s’ka lënë shteg largimi të vajzës nga Fani, kanë detyruar Ndrecën të lejojë largimin e vajzës për në banesë. Ka qenë pikërisht Zyra e Trafiqeve e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë, ku në bazë të deklarimeve dhe hetimeve të bëra nga policia që në momentin e largimit të kësaj minoreneje e deri në rikthimin e saj në shtëpi, bëri të mundur arrestimin e Ridi Ndrecës dhe vënien e tij nën akuzën e trafikimit të femrave për qëllime përfitimi. Materialet në ngarkim të Ndrecës do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.