E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasoja për Shqipërinë nga ndryshmi i klimës

Autori i Lajmit: red.
Banka Botërore paralajmëroi dje se ndikimi i ndryshimeve klimaterike në Rajonin e Evropës dhe atë të Azisë Qendrore* do të jetë më i madh nga ç pritej për shkak të një trashëgimie të vazhdueshme në keqadministrimin mjedisor post-Sovjetik dhe infrastrukturës së dobët të pjesës më të madhe të Rajonit, duke i lënë kështu këto vende në gjendje të papërgatitur për t u adaptuar.
“Evropa dhe Azia Qendrore vuajnë nga një deficit adaptimi, i cili tashmë është sfiduar nga ndryshueshmëritë e fundit klimaterike,” tha Marianne Fay, Drejtoresha e Raportit te Zhvillimit Botëror 2010, për Bankën Botërore, dhe autorja e raportit të ri Adaptimi ndaj Ndryshimit Klimaterik në Evropë dhe Azinë Qendrore , “ i cili do të shënojë vetëm përkeqësim në pasojat e ndryshimeve të parashikuara klimaterike në dhjetëvjeçarët që do të vijnë.”
Fay shtoi se “Ndërsa kanë kaluar pothuajse dy dhjetëvjeçare që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tij partnere në Evropën Qendrore dhe Lindore, trashëgimia e keqadministrimit mjedisor dhe infrastrukture së fryrë në vendet jashtë Bashkimit Evropian, vazhdojnë të jenë mbetje të së kaluarës. Kjo përkeqëson në një mase të madhe cënueshmërinë e këtyre vendeve madje edhe ndaj ndryshimeve të vogla klimaterike.”
Raporti i bërë publik sot gjatë Bisedimeve për Ndryshimet e Klimës të UNFCCC në Bon, dhe në prag të Ditës Botërore të Mjedisit (5 Qershor), thotë së në kundërshtim me perceptimet e njerëzve, Rajoni kërcënohet ndjeshëm nga ndryshimet e klimës dhe ka filluar tashmë të përjetojë pasojat: ndryshueshmëri në rritje, temperatura më të larta, ndryshim i situatës hidrike, deri në ekstreme si thatësira, përmbytjet, valët e nxehtësisë, gjithashtu dhe tufanet dhe zjarret në pyje.
Temperaturat mesatare në Evropë dhe Azinë Qendrore janë rritur tashme me 0.5ºC në jug dhe 1.6ºC në veri (Siberi) që nga fillimi i shekullit të 20. Rritje të përgjithshme nga 1.6 deri në 2.6 ºC priten të ndodhin deri në mesin e shekullit dhe ndryshimet më të mëdha do të jenë në lartësitë me veriore. Veriu parashikohet të ketë rritje më të mëdha temperature gjatë dimrit, ku numri i ditëve me ngrica do të bjerë nga 30 në 14 ditë në 20 deri në 40 vitet e ardhshme. Pjesët jugore te rajonit pritet te përjetojnë ndryshimet me te mëdha ne stinën e verës, ku numri i ditëve te nxehta do te rritet nga 22 ne 37 dite gjate të njëjtës periudhë. Kjo tendencë ngrohjeje është e konsiderueshme: nga mesi i shekullit, vende si Polonia apo Hungaria pritet të kenë të njëjtin numër ditësh të nxehta (>30oC) ashtu si Spanja apo Siçilia sot.
Sipas Fay, “Rritjet në temperaturë po ndikojnë në situatën hidrike, përmes një shkrirjeje të shpejtë të akullnajave të rajonit dhe një ulje të sasisë së reshjeve të dëborës në dimër. Shumë vende po vuajnë tashmë përmbytjet e dimrit dhe thatësirat e verës, ku si Evropa Juglindore ashtu dhe Azia Qendrore rrezikojnë të kenë mungesa të mëdha ujore. Numri i njerëzve që do vdesin do jetë më i madh nga valët e nxehta të verës se sa numri i njerëzve që do shpëtojnë nga dimra më të ngrohtë.”
Raporti thotë se ndryshimet në nivelin e detit, si një tjetër ndikim i ndryshimit të klimës, do të ndikojë në katër pellgjet e Rajonit-në Detin Baltik, në Adriatikun Lindor dhe bregun Mesdhetar të Turqisë, Detin e Zi dhe Detin Kaspik-gjithashtu edhe në Oqeanin Arktik Rus. Në Baltik, Polonia, e cila ka një dendësi të madhe të popullsisë të e cila jeton ne një bregdet te ulet, është më e kërcënuara. Përgjatë Adriatikut dhe Mesdheut, shpërthimet e stuhive dhe depërtimi i ujit të kripur në shtresat ujore nëntokësore, kërcënon pjesë të brigjeve kroate, shqiptare dhe turke. Ngritja e nivelit të detit në Detin e Zi po kërcënon tashmë një numër portesh dhe qytetesh përgjatë brigjeve ruse, ukrainase dhe gjeorgjiane. Në Detin Kaspik, avullimi në rritje i sipërfaqes, deri në fund të shekullit të 21-t, parashikohet të ulë nivelin e ujërave deri në 6 metër, kësisoj duke rrezikuar rezervat e peshkut dhe duke pasur ndikim mbi infrastrukturën bregdetare.
Megjithatë, sipas raportit, çështje të trashëguara e bëjnë Rajonin edhe më të rrezikuar. Gjatë regjimit Sovjetik, rritja e ekonomisë u bë me një shpërfillje të madhe për kushtet e natyrës. Kur uji nevojitej për vaditje, ujërat që ushqenin Detin Aral devijoheshin për në shkretëtirë për prodhimin e orizit, frutave dhe pambukut. Uzbekistani u bë një nga eksportuesit më të mëdhenj të pambukut, por kostoja e kësaj ishte shkatërrimi i Detit Aral gjatë këtij procesi.
Administrimi historikisht i dobët në Rajon ka pasojat e veta. Edhe vendet dhe sektorët që duhet të përfitojnë nga ndryshimet klimaterike, aktualisht janë në një pozitë të disfavorshme për këtë gjë. Sipas Fay, “Shumë është thënë se një klimë më e ngrohtë dhe një perceptim i madh në pjesën verilindore të Evropës dhe Azisë Qendrore-Kazakistan, Rusi, dhe Ukrainë do të hapin një front të ri bujqësor. Megjithatë, çdo përfitim i mundshëm lokal venitet kur krahasohet me prodhueshmërinë relativisht të ulët dhe jo efikase të rajonit. Teksa prodhimi i grurit në botë është rritur mesatarisht 1.5 herë për vit, ai ka pasuar rënie ose ka mbetur ne vend në këto shtete..”
Por në dhjetë apo njëzet vitet që vijnë, adaptimi i Evropës dhe Azisë Qendrore ndaj ndryshimeve klimaterike mund të forcohet me anë të një infrastrukture të përmirësuar dhe me sisteme administrimi të mjedisit, ku të gjitha së bashku do te kenë rezultate pozitive për zhvillim të qëndrueshëm. Pavarësisht ndryshimit të klimës, Evropa dhe Azia Qendrore do të përfitojnë nga administrimi i burimeve ujore, nga zgjidhja e problemeve të tyre të ndotjes mjedisore, nga përmirësimi infrastrukturës dhe strehimit të lënë pas dore, dhe nga fuqizimi i administrimit të situatave katastrofike. Këto hapa do të forcojnë gjithashtu aftësinë e Rajonit për t u përballur me klimën aktuale.
Adaptimi ndaj klimës në ndryshim do të kërkojë gjithashtu veprime specifike të lidhura me klimën si: investime në monitorimin e motit dhe ujërave; kapacitetin për të kuptuar dhe shpërndarë informacione mbi klimën; institucione për të mbështetur përpjekjet për adaptime, qoftë firma të mëdha apo fermerë të vegjël; dhe politika për të mbështetur nisma për reagime proaktive dhe të arsyeshme ndaj sfidave që lindin nga ndryshimet klimaterike.
Vendeve të Evropës dhe Azisë Qendrore do të kenë nevojë të zhvillojnë strategji, të cilat to ta pakësonin ndikimin nga ndryshimet e së ardhmes. Jane Ebinger, Specialiste e Lartë për Energjinë në Bankën Botërore, theksoi nevojën e përfshirjes së grupeve të interesit në procesin e adaptimit. “Strategjitë e adaptimit do të kërkojnë hapa për të sjellë politikë bërësit, planifikuesit, pronarët e pronave, akademikët dhe shoqërinë civile në një tryezë të përbashkët për të diskutuar dhe për të vlerësuar rreziqet me të cilat një vend mund të përballet nga ndryshimet aktuale dhe të parashikuara te motit dhe klimës, dhe për të identifikuar masat e mundshme adaptuese, kostot e tyre dhe përfitimet. Përpos kësaj, përvoja e vendeve, rajoneve apo qyteteve që aktualisht po zhvillojnë dhe po zbatojnë planet e adaptimit, ofron mësime dhe metodologji të dobishme.”

*Ekonomitë e Rajonit Evropian dhe te Azisë Qendrore: Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Gjeorgjia, Hungaria, Kazakistani, Kosova, Kirgistani, Letonia, Lituania, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Taxhikistani, Turqia, Turkmenistani, Ukraina, Uzbekistani

Ky lajm është publikuar: 03/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›